Nënoficeri i batalionit special, tetar Skënder Hidri mësohet se në luftë me flakët për shuarjen e zjarrit është lënduar në këmbë.
Hidri u dërgua menjëherë për ndihmë mjekësore në spital ku gjendja e shëndetësore paraqitet e qëndrueshme.
Skënder Hidri ishte së bashku me efektivë të tjerë të Forcave te Armatosura në operacion në Shëngjergj në momentin që u lëndua nga flakët që kanë përfshirë zonën pyjore.
Zjarri është aktiv në këtë zonë prej 2 ditësh, ndërsa për shuarjen e tij në malin e Derjes janë angazhuar rreth 50 efektivë të Forcave te Armatosura.
Efektivët e Forcave të Armatosura janë angazhuar javët e fundit në disa operacione nga veriu në jug të vendit për të shuar zjarret që kanë përfshirë Shqipërinë nga temperaturat e larta, por edhe rastet e qëllimshme.
Zjarret, probleme në Mat, Ardenicë, Vlorë/ 15 vatrat
Gjatë 24 orëve të fundit në vendin janë shënuar 15 vatra zjarri në qarqet kryesore të vendit, Vlorë, Elbasan, Tiranë, Dibër, Korçë, Mat, etj.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 125 punonjës zjarrfikës, 21 automjete zjarrfikëse, 160 forca të armatosura të Ushtrisë. Gjithashtu mësohet se për fikjen e zjarrit janë angazhuar edhe mbi 60 vullnetarë.
Emergjencat Civile bëjnë me dije se për shuarjen e zjarreve janë angazhuar dy avionë të vegjel nga shteti grek, të cilët kanë ndërhyrë në vatrat e zjarrit në llogara. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.
Mbytja e pushuesve dhe zjarret, LSI: Bilanc lufte, Rama turist
Kryetari i grupit të LSI, Petrit Vasili e cilëson si verën më të rëndë për shqiptarët duke e krahasuar me një bilanc lufte.
Vasili shprehet se tragjedia e të mbyturve në plazhet shqiptare nuk ka të sosur dhe zjarret po shkretojnë vendin dhe pasuritë e qytetarëve.
Ndërsa kryeministri sipas tij është turist, duke vijuar pushimet, ndërsa të gjithë qytetarët janë në ankth.
Deputetja e PD sulmon ministrin e LSI: Papërgjegjshmëri totale
Deputetja demokrate, Dhurata Çupi ka reaguar pas situatës së zjarreve në qarkun e Dibrës duke fajësuar ministrin e LSI, Lefter Koka dhe qeverinë.
Dhurata Çupi akuzon se qeveria ka edhe një ministri për mirëmbajtjen e pyjeve, ndërsa shton se qeveritarët po pushojnë nëpër plazhe duke mos u shqetësuar për zjarret.
dy.b/shqiptarja.com