TIRANE- Dy fëmijë janë përplasur nga një automjet në Tiranë, e cila pas aksidentit është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ndërsa dy fëmijët janë dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën mjekësore, dhe mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 në rrugën e Dibrës, afër "Farmacisë 10" në kryeqytet, teksa dy fëmijët që po luanin me biçikletë janë përplasur nga makina.

Të aksidentuarit E. Koçi dhe O.Fetahu përkatësisht 13 dhe 9 vjeç, ishin në një biçikletë ku janë aksidentuar nga mjeti tip “Benz” me targë TR 5505 S. Drejtuesi i mjetit, Agush Shkëmbi është larguar nga vendi i ngjarjes, duke mos i dhënë ndihmën e parë dy fëmijëve.

Ishin kalimtarë të rastit ato të cilët njoftuan ambulancën dhe, më pas, janë dërguar në spitalin e traumës ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Vetëm pak minuta më vonë, policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit i cili ishte larguar në drejtim të rrugës “Bardhyl”.  Agush Shkëmbi, akuzohet për veprën e largimit nga vendi i ngjarjes.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)