Tiranë/ Rikualifikohet zona e Thesarit, Veliaj inspekton punimet: Do ndërtojmë rrjet unazor, kemi përfunduar urbanizimin në 75 lagje!

Tiranë- Zona e Thesarit në Njësinë 12-të po transformohet nga Bashkia e Tiranës, teksa sot (18 nëntor) u inspektua edhe nga kreu i institucionit, Erion Veliaj. 

Rikualifikimi urban përfshin rrugët “Mahmut Allushi”, “Ramazan Lici”, “Muhamet Deliu” dhe “Sotir Caci”. Gjatë inspektimit të punimeve, kryebashkiaku Erion Veliaj i shprehu mirënjohen komunitetit për bashkëpunimin. 

“Bëhet fjalë për të gjithë zonën e Thesarit, një kërkesë e ardhur nga komuniteti. Në këtë lagje kemi bërë disa ndërhyrje, duke filluar nga rruga që kemi bërë në fillim të mandatit tonë, rruga e Dajtit, dhe pastaj shkollat ‘Luan Hajdaraga’ dhe ‘Klodian Tanushi’, të cilat e futën zonën e Freskut dhe lagjen 12 në rrjetin e arsimit cilësor të Tiranës, ku shkollat e periferisë kanë dalë shumë më mirë se ato të qendrës. Më vjen mirë që, pasi zgjidhëm fëmijët të parët, tani jemi vërtet në një situatë të qetë, ku ne mund të punojmë lirshëm për të gjithë zonën e Thesarit”, u shpreh Veliaj. 

Ai shpjegoi se në fund të punimeve, lagjja do të ketë një rrjet të brendshëm kapilar, që mundëson akses pranë pallateve, duke shmangur rrugën kryesore, e cila vitet e fundit është ngarkuar së tepërmi nga turistët e shumtë që vizitojnë edhe “Bunkart”. 

“Janë disa mijëra turistë që vizitojnë ‘Bunkart’ çdo ditë. Vetëm fakti që autobusët nuk ndalen ndonjëherë edhe pasi mbaron ora e pikut, duke sjellë turistët, zonës i bënë mirë se konsumojnë edhe shpenzojnë, por nga ana tjetër shtojnë trafikun, i cili zgjidhet vetëm me propozimin që kemi me rrjetin e unazor. Në fund të punimeve, lagjja do të ketë një rrjet të brendshëm kapilar për të hyrë dhe për të dalë nëpër pallate. Secili do të dalë dhe do të hyjë nga pjesa më e afërt që ka me këtë Unazë. I gjithë ky bllok, duke filluar nga Fresku deri tek Thesari, do të funksionojë si një Unazë”, u shpreh kryebashkiaku. 

Veliaj tha se bashkë me lehtësinë e aksesit të lagjes, do të mundësohet edhe zgjidhja e problemit me kanalet e ujërave të bardha dhe ndriçimi led. Veliaj shtoi se deri tani Bashkia e Tiranës ka përfunduar punimet për rehabilitimin në 75 lagjeve në kryeqytet.

“Për herë të parë do të zgjidhim historinë e kanaleve të ujërave të bardha. Janë zgjidhur kanalet e ujërave të zeza, por jo të bardhat sepse kemi pasur gjithmonë reshje, që kanë krijuar baltovina, që duhet t’i zgjidhim një herë e mirë. Me ndriçimin led, me pemët, i japim kësaj lagje të njëjtin zhvillim, urbanizim që i kemi dhënë edhe pjesës qendrore të Tiranës. Në buxhetin e vitit 2025 ne do të vazhdojmë me konceptin tonë të 100 lagjeve. Kemi shkuar mbi 75 lagje, kemi edhe rreth 25 ndërhyrje të ngjashme për cilësi, urbanitet dhe hijeshi”, deklaroi Veliaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:31
Veliaj fton fëmijët e shkollave në zonën e Freskut që të përfitojnë nga kurset falas në Qendrën Tumo: Financohen 100% nga Bashkia e Tiranës

Kryebashkiaku Veliaj duke inspektuar punimet te Thesari

Gjatë inspektimit të punimeve për rikualifikimin e bllokut urban në lagjen e Thesarit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ftoi edhe të gjithë fëmijët e shkollave në këtë zonë, që të ndjekin kurset falas të Qendrës Tumo. 

Ai tha se një investim kaq i madh, që financohet nga Bashkia e Tiranës, duhet të shfrytëzohet nga të gjithë fëmijët. 

“Do vazhdojmë të marrim hapësira me qira për çerdhe dhe kopshte të tjera, duke qenë se lagjja po rritet, por e mira s’ka fund. Unë dua t’ju ftoj që fëmijët e Freskut dhe të gjithë zonave periferike të Tiranës të përfitojnë nga të njëjtat të mira që po përfitojnë fëmijët e qendrës. Nxënësit më të mirë të shkollave “Klodian Tanushi”, “Luan Hajdaraga”, apo të shkollës së re në Surrel, s’kanë asnjë arsye pse të mos shkojnë te Qendra Tumo, të marrin kurse falas, të cilat paguhen 100% nga Bashkia e Tiranës”, tha kryebashkiaku.

Duke u ndalur te subvencionimi i kurseve digjitale në Qendrën Tumo, Veliaj theksoi se nga viti i ardhshëm do të përfitojnë abonetë falas edhe pensionistët, ndërkohë që nga shtatori tjetër fëmijët në shkolla do kenë ushqim falas.

“Vitin tjetër subvencionojmë abonetë falas për pensionistët, por do subvencionojmë edhe ushqimin në shkolla për fëmijët. Sot që kemi lagjen e fundit që po e mbyllim, mund të fokusohemi në shumë tema sociale, siç është ndërtimi i qendrës për autizmin etj, që i kemi vërtet për zemër, por vetëm tani kemi mundësinë që t’i përballojmë me buxhetin e Tiranës. Do bëjmë një minifushatë me të gjitha njësitë administrative ku të themi: Zgjidhëm infrastrukturën horizontale, kemi zgjidhur infrastrukturën vertikale, por tani duhet të zgjidhim ‘infrastrukturën e mentalitetit’ dhe punëve që dimë të bëjmë. Kemi fëmijë të jashtëzakonshëm dhe me talent. Siç po përfiton 70% që jeton në Tiranën urbane, edhe ky 30% në Tiranën rurale duhet të ketë të njëjtin shans. Në finale, të fitojë më i miri, por startin ta kenë të gjithë të barabartë”, u shpreh Veliaj.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?