Xhamat e dritares të thyera nga shpërthimi kanë rënë mbi motrën e Dakos, e cila ka marrë plagë të lehta dhe pas ndihmës së parë mjekësore është plotësisht jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 02:40 pas mesnate duke u gdhirë dita e hënë (sot), në rrugën “Ymer Kurti”, në zonën e Tiranës së Re, përballë gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.
Në pallatin e ish-agjentit sekret që prej vitit 2006 është në pension, banojnë edhe deputetë dhe ish-deputetë, siç janë Fidel Ylli, Sulejman Starova, Neritan Ceka dhe Paskal Milo, çfarë ka bërë që policia të përfshijë në hetime edhe pistën e një gabimi në objektiv duke hetuar edhe kërcënime të mundshme ndaj këtyre.
Madje një kat më poshtë banesës së Dakos, banon me qera një prej zëvendësministrave të bujqësisë, ballkoni i të cilët është dëmtuar gjithashtu nga shpërthimi.
Në pallatin ku ndodhi shpërthimi deri 2 javë më parë kanë banuar rreth 30 muxhahedinë të rezistencës iraniane të cilët kanë mbërritur në Shqipëri sipas një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por sipas policisë nuk ka prova që të ketë lidhje mes tyre dhe ngjarjes.
Familjarët e Ilir Dakos, jashtë kamerave shprehen të habitur me gjithë çfarë ka ndodhur.
“Jetojmë këtu që prej 16 vjetësh dhe asnjëherë nuk kemi pasur probleme, në këtë pallat gjysma janë deputetë. E vetmja mundësi është që të kenë ngatërruar shenjestër”, thonë familjarët që ende nuk e kanë mbledhur veten nga shpërthimi.
Komshinjtë tregojnë që Dako prej 10 vitesh ai ishte i papunë, ndërsa nuk ka as ndonjë biznes.
ORA 11:20 POLICIA: NGA SHPRETHIMI NJE GRUA E LENDUAR
Ndërkaq, Policia e Tiranës ka bërë të ditur se nga shpërthimi është lënduar një grua, motra e Ilir Dakos, Vasilika Dako. Policia ka ngritur një grup hetimor për këtë çështje.
Sipas policisë, “më datë 10 mars 2014, ora 02:40 në rrugën “Ymer Kurti” në Tiranë, në katin e 3-të të një pallat të ri, në pronësi të shtetasit Ilir Dako, ka ndodhur një shpërthim, ku është dëmtuar lehtë 60-vjeçarja me inicialet V. D., 60 vjeç, e cila u dërgua në Spitalin Ushtarak jashtë rreziku për jetën.
“Aktualisht, grupi hetimor në vendngjarje po punojnë për identifikimin e kapjen autorëve si dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, bëri të ditur Policia e Tiranës.
(Foto: Ballkoni i banesës së Ilr Dakos që u dëmtua nga shpërthimi)Foto të tjera
Redaksia Online
(sg/ak/Shqiptarja.com)