TIRANE - Tregtarët që ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregun çam dhe atë të Medresesë në Tiranë janë ngritur këtë mëngjes me protesta kundër aksionit të qeverisë në luftën kundër informalitetit. Ata thonë se nuk i përballojnë dot gjobat e larta ndëshkuese dhe shprehen se po trajtohen më keq se në diktaturë.

Ankesat e tyre i referohen edhe detyrimit për të prerë kuponin tatimor për çdo shitje që bëjnë, por tregtarët thonë se në disa raste ka probleme me kasat, jo për faj të tyre.

Tregtarët thonë se protestat e tyre nuk do të ndalen dhe shprehen të vendosur se "nuk do të dorëzohen para qeverisë".

Ata shprehen se protesta e tyre vjen për t'i paraprirë mbylljes së bizneseve, siç ka ndodhur me shumë tregtarë të tjerë të cilët nuk mundën të përballojnë masat e reja ndëshkuese dhe miratimit të ligjit të ri më 12 nëntor i cili pesëfishon gjobat ndaj bizneseve pas çdo shkeljeje të konstatuar.

Për protestën ata kishin marrë leje në polici, ndaj efektivët ishin të shumtë për të garantuar sigurinë. 

protesta te medreseja

Ligji i ri i penalizimeve që do të miratohet në kuadër të luftës kundër informalitetit përfshin gjoba nga 500 mijë lekët të rinj deri në 1 milion. Protesta e tregtarëve do të përshkallëzohet pasi të premten në orën 09:00 ata do ta zhvendosin protestën para kryeministrisë për të kundërshtuar sanksionet.

protesta tek medereseja pa logo

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)