Tirania e “tireve”

Tirania e “tireve”

“Për mua janë pak për sonte… Më premtove se do ta rregullosh dorën”. Fjalët e sanitares së spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, shkruar vajzës së pacientes Covid që humbi jetën në moshën 55 vjecare, duhet të lenë pa gjumë një shoqëri të tërë. Tortura që ka përjetuar një bijë, me siguri në kushte të vështira për të siguruar ato 1000, 2000, 3000, 7000, 8000 lekë për nënën e saj të shtruar në spital, janë dëshmi të një shoqërie të padrejtë që ende vazhdojmë të ndërtojmë. Askush nuk duhet të ndjehet i baltosur nëse nuk e sheh veten pjesë të sistemit të korrupsionit të ngritur. Askujt nuk i zbehet titulli “Hero” në këtë luftë të vështirë me pandeminë, por të gjithë ama duhet të rrimë pa gjumë për një vajzë që ra në këtë ferr të uriturish parash me shqetësimin e madh: Sa të tjerë më parë e më pas do të bien? Nuk është justifikim rroga e ulët. As mos të guxojë njeri të krahasojë se sa paguhen mjekët e infermierët në Gjermani, Francë e Itali. Pyetini kolegët tuaj se sa taksa paguajnë, sa fatura e shërbime dhe sa i mbetet në fund të muajit kudo që jetojnë. Me përjashtime të rralla, rroga është rrogë kudo. Asnjëherë nuk mjafton! Asnjëherë nuk mund të jetë alibi për të krijuar ferre rreth njerëzve në nevojë.

Direkt apo indirekt mjekë e infermierë që detyrojnë qytetarët të bëjnë atë që nuk kanë mundësi ta bëjnë – orientimi në privat, manipulimi për kurime milionere me charter jashtë shtetit (nese ka ndodhur), mohimi i shërbimit si shantazh për të paguar për të marrë shërbime jetike, është një krim dhe si krim duhet zbuluar dhe ndëshkuar.

Askush nuk duhet të jetë i qetë për atë që doli në dritë nga dhimbja e një bije për nënën e saj. Por më shumë nga të gjithë nuk duhet të jenë të qetë njerëzit e drejtësisë. Nëse hetojnë, ndjekim, investigojnë mirë, mund të kemi rastin që nga kjo baltë e shëmtuar të mësojmë e të shërojmë. Mjekët, infermierët e sanitarët më të mirë gjithashtu duhet ta heqin nga vetja këtë turmë shantazhuesish që nuk punon, që si mafiozë të heshtur kërcënojnë me mosveprim, mosushqim, mosdhënie ilacesh, nëse nuk paguhen nën dorë.

Në cdo fushë ku punojmë e veprojmë e kemi pyetur ndonjëherë veten sa “tire” ushtrojnë këtë tirani? Iluzoini ynë se janë pak e raste të izoluara i ushqen, i shton, e papritur, kur jemi në hall e vështirësi, kuptojmë nga sa shumë “tire” rrethohemi.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot