Fermerët prej kohësh kanë ngritur si ankesë madhore mbiprodhimin dhe mospasjen e një tregu për të shitur. Bëhet fjalë për tonelata me patate, qepë e të tjera produkte stok që fermerëve shqiptarë u kanë mbetur pa shitur.

Në “Studio Live” me gazetarin Ermal Qori, ishte i ftuar Agim Rrapaj, kreu i Këshillit të Agrobiznesit shqiptar ndërsa në lidhje direkte ishte eksperti i bujqësisë Eduart Sharka dhe fermeri nga Maliqi Julian Guri. Për tonelatat stok, Agim Rrapaj nxjerr si shkaqe kryesore subvencionet, TVSH-në 20%, e cila gjithashtu rëndon mbi prodhuesin dhe ekonominë jo të formalizuar duke mos i dhënë garanci dhe mbështetje fermerit.

“Riciklohet problemi sa herë që konjunktura ndërkombëtare e atyre që prodhojnë në vendet përreth nesh apo në Evropë është pozitive. Domethënë që në bursën e patates çmimi ka dalë i ulët, ata janë agresivë në eksport dhe kjo bën që të jemi në disavantazh, në radhë të parë për koston. Kostoja e produkteve tona me ato që vijnë nga importi është e papërballueshme për fermerët tanë. Në radhë të parë për mungesë të disproporcionalitetit të subvencionit, sepse është i ulët krahasuar me vendet përreth nga të cilat ne importojmë. Kemi një ekonomi jo të formalizuar me kontrata, ku qendrat e grumbullimit që duhet ta merrnin këtë prodhim dhe ta çonin në eksport dhe treg, ndërsa ne gjithë barrën ia kemi lënë fermerit që duhet të përgjigjet për gjithçka. Ne në politikën fiskale nuk kemi rregulluar TVSH-në. TVSH 20% nuk rëndon vetëm konsumatorin, por edhe fermerin, sepse atij nuk i rimbursohet TVSH-ja dhe qendrës së grumbullimit akoma më shumë. Nuk kemi kontrata dhe presim nëse kemi fat që produktet tona të shiten”, tha Rrapaj.

Nga ana tjetër, Sharka sheh si problematikë mungesën e mekanizmave orientuese për fermerët lidhur me kërkesat e tregut, mungesën e industrisë agropërpunuese dhe atë të fondeve të IPARP nga BE.

“Problemi kryesor është mosorientimi i fermerëve me kërkesat e tregut. Këto kriza që përsëriten çdo 2 muaj janë dëme të jashtëzakonshme, janë pasojë e prishjes së raportit kërkesë–ofertë. Për ta rregulluar këtë raport mund të ndërhysh te mekanizmi i ofertës, që korrigjohet me orientimin e fermerëve te rajonizimi i kulturave. Shkak tjetër është mungesa e industrisë agropërpunuese, sepse kur ke ofertë më të madhe se kërkesa, atë pjesë që nuk e merr tregu e merr industria agropërpunuese. Zgjidhja është orientimi, mbrojtja e produktit vendas nga produktet e rajonit, zhvillimi i industrisë agropërpunuese, përthithja e fondeve të IPARD. Mundësi ka vetëm qeveria për t’i rregulluar”, tha Sharka.

Fermeri Julian Guri ngre problemet konkrete të bujqësisë duke thënë se në rradhë të parë fermerët nuk marrin subvensionet për të cilat qeveria flet dhe shkak për këtë janë politikat që nuk japin aksesin e pretenduar. Julian Guri bën krahasimin dhe me vendet e tjera, konkretisht Kosovën, të cilët marrin 10fishin e mbështetjes financiare nga shteti.

“Problematikën më të madhe e kemi konkurrencën me vendet e tjera; na godasin me çmimin nga të gjitha anët sepse jemi pa subvencione. Asnjë lloj mbështetjeje nuk marrim nga institucionet. I bëjnë në atë formë që të mos i marrësh dot subvencionet. Nuk vjen asnjë lloj tregtari, nuk na lejon as Gjermania, as Kosova. Kam rreth 30 hektarë me qepë, patate, grurë. Nga këto 30 hektarë marr vetëm për 24 dynym diku te 70 mijë lekë për hektar, ndërkohë Kosova e ka diku te 700”, tha fermeri.

Për të marrë fondet atyre iu nevojitet dokumenti i pronësisë dhe tokat i kanë me qira dhe kjo e bën të pamundur aksesin në subvensione. Guri foli dhe për Bankën e Zhvillimit të ngritur nga shteti, për të cilët tha se është një fasadë, pasi askush nuk do t’i japë kredi sepse nuk kanë fatura shitje për produktet që tregtojnë.