Topalli heq nga axhenda
pr/ligjin për kufijtë shtetërorë

Topalli heq nga axhenda<br />pr/ligjin për kufijtë shtetërorë
TIRANE- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka shtyrë në kohë shqyrtimin e projektligjit për mbikqyrjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror, duke i hapur rrugë abuzimit me kufinjtë detar.

Kryeparlamentarja Topalli edhe pse e ka futur në kalendarin e punimeve këtë projektligj, nuk e ka përfshirë në tre seancat e radhës plenare për votim. Mos kalimi në komisionet parlamentare të këtij ligji në tre javët në vijim, tregon një anë të errët, atë të zvarritjes në kohë të këtij ligji të rëndësishëm, që synon mbrojtjen e kufinjve. Pas skandalit me paktin detar, dhe pas emërimit në mënyrë ekstraligjore të gjeneralit të flotës, Topalli kërkon të mbaj peng pikërisht këtë ligj kaq të rëndësishëm, siç janë kufinjtë shtetëror.

Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Gjoni ka akuzuar mazhorancën dhe kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli se po lejon Greqinë të cenojnë çdo ditë kufinjtë shqiptar. "Maxhoranca i bishtnon amendimit të ligjit të kufinjve. Përmes një truku alla Joz në kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit është përfshirë diskutimi i amendamentit të propozuar nga PS për ligjin famekeq të 2008, që i hapi rrugë marrëveshjes tradhtare te detit me Greqine, por ndërkohë në të tre seancat plenare të planifikuara për 3 javët e ardhshme nuk figuron. Kjo ndodh në një kohë kur kufinjtë e Shqipërisë cënohen përditë nga Greqia. Sipas një informacioni të besueshëm nga brenda Ministrisë së Mbrojtjes, vetëm muajin e kaluar janë dokumentuar rreth 34 shkelje të kufirit detar", është shprehur Gjoni. Sipas tij, Shqipëria ndodhet para një rasti flagrant ku komandanti i Flotës detare është emëruar nga ministri në shkelje të Kushtetutës.

OPOZITA

Partia Socialiste e cila ka përgatitur amendimet dhe ja ka vënë në dispozicion Kuvendit të Shqipërisë, ku ka këkruar që brenda muajit mars të diskutohet projektligji që do të bëjë të mundur rivendosjen e kufinjve shtetërorë të Shqipërisë. Deputetët socialist pretendojnë se Shqipëria momentalisht ndodhet pa kufij, por kufijtë e Shqipërisë, detarë dhe tokësorë, janë përcaktuar vite më parë dhe janë të shënuar në arkivat ndërkombëtare dhe ligjet e shteteve fqinje. Pas skandalit të paktit detar me shtetin grek, PS-ja ka marrë nismën, për të mos lejuar shitjen e territorit shqiptar.
DRAFTI
Drafti "Për një ndryshim në ligjin 9861, datë 24.01.2008 "Për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit shtetëror" është firmosur nga kryetari i grupit socialist Gramoz Ruçi, dhe i ka kërkuar kryetares së Kuvendit që të përfshijë shqyrtimin e këtij ligji në komisionet parlamentare. Drafti përcakton se "kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë është i vendosur dhe rregullohet mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare të pranuara nga shteti shqiptar si dhe të traktateve dypalëshë ose shumëpalëshe të lidhura me shtetet e tjera dhe të ratifikuara nga Kuvendi. Ndryshe nga ligji i 2008-ës që e la vendin pa kufij, nisma e re përcakton qartë kufijtë detarë jugorë dhe veriorë duke vendosur dhe koordinatat e sakta. Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë, thuhet në draft, shtrihen gjatë gjithë bregut të saj në një gjerësi prej 12 miljesh detare duke filluar nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit, Kepi i Pallës, i Lagjit, derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjirit të Gramës dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke, deri përmes Kanalit të Korfuzit. Ndërsa gjatësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det, deri te Kepi i Rodonit, shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav. Nisma e paraqitur në Kuvend nga grupi parlamentar socialist përcakton dhe kufijtë e brendshëm të vendit tonë. "Ujërat e brendshëm territorialë të Republikës së Shqipërisë janë ujërat e detit Adriatik dhe të detit Jon, që shtrihen brenda vijës së drejtë bazë që përshkon derdhjen e lumit të Bunës, kepat e përmendur më sipër, dhe vijës së drejtë bazë që përshkon Kepin e Gjirit të Gramës, Kepin e Gjirit të Palermos, Kepin e Qefalit, Kepin e Sarandës si dhe ujërat këtej vijës kufitare të liqeneve e lumenjve kufitarë", përfundon propozimi.
(Shkrimin e plote mund ta lexoni sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë