Topi në Report Tv: Berisha arkitekti i shkatërrimit të PD! Basha lider pa karakter, të tradhton rrugës, i ka gjetur gjërat gati dhe kështu mendon se do bëhet dhe kryeministër

TIRANË-  Një nga figurat historike të PD-së, Bamir Topi, thotë se opozita aktuale është në diktaturë dhe fajtor për këtë bën Lulzim Bashën, që e quan një lider pa karakter jo vetëm politik, por edhe si njeri. Jo më pak fajtor bën Sali Berishën, të cilin e cilëson se arkitekt të shkatërrimit të PD-së që e bën përgjegjës, mes të tjerave edhe për emërimin në krye të partisë, Lulzim Bashën. Këtë të fundit e quan lider të dështimin, për të cilin thotë se i ka gjetur të gjitha gjërat gati dhe mendon se në këtë mënyrë do bëhet edhe kryeministër. Ai shpreh keqardhje që njerëzit besojnë ende te kryedemokrati. Në studion e Report Tv, në emisionin ‘Repolitix’, Topi kthehet pas në kohë, në vitin 2005 dhe tregon se sa përshtypje i ka bërë marrëdhënia e Bashës me Berishën, ku ai sapo kishte ardhur në PD. Një kofidencë që nuk di ta shpjegojë se nga i vinte. Teksa shumë kush e cilëson raportin Berisha-Basha si të pandashëm, Topi e sheh në një tjetër këndvështrim. Një marrëdhënie që vjen nga detyrimi, pasi në të kundërtën Topi është i bindur se Basha do “i vinte stërkëmbëshin” Berishës.

“Berisha arkitekt i shkatërrimit të PD. Basha një njeri që i ka marrë të gjitha gati, është katapultuar, në 2005 e di dhe vendin kur kishim shkuar për të festuar përvjetorin e PD, në Durrës aty e kam parë për herë të parë, aty e pashë Bashën që ndryshe nga të tjerët kishte një komunikim shumë konfidencial me Berishën, më ka bërë shumë përshtypje, por në natyrën time nuk i bëja komente. Berisha dhe Basha marrëdhënie e pandarë, Basha të tradhton gjatë rrugës, por ka qenë i detyruar me një simbiozë politike, ky i ka marrë të gjitha pozicionet në mënyrën më të lehtë të mundshme, por pjesa më e madhe e njerëzve që e ngritën atë parti nga hiri, i ke të larguar, ardhja, marrja e disa pozicioneve lehtësisht, ke një lider pa karakter, dhe nuk flas për karakter politik, nuk ka karakter njerëzor, me këtë mund të ecësh dhe rrugës e sheh veten me stërkëmbësha.”, tha Topi.

Ai ka folur për herë të parë edhe për atë se çfarë ndodhi në selinë e blu, episodin ku Lulzim Basha u bë bashkëfajtorë me Sali Shehun dhe nënshkruan një marrëveshje fiktive, sikur FRD, partia e themeluar prej tij,  pranonte koalicionin me PD-në, për t'u futur bashkë në zgjedhjet e 25 prillit. Mes vendimeve absurde të Bashës, cilëson edhe largimin e shumë figurave historike nga PD-ja, mes tyre edhe Jozefina Topallin, edhe pse raportet mes tyre nuk kanë qenë asnjëherë të mira.

“Basha ka dalë dhe ka thënë që ka nënshkruar marrëveshjen me Topin, ku ishte firma ime?. Të nesërmen kjo gjë është marrë vesh vetëm pas dorëheqjes sime, Basha u bë bashkëfajtor i një akti zyrtar ku unë nuk isha prezent, kur je në opozitë ti duhet të demonstrosh akte të larta të karakterit dhe sinqeritet, por kur del lakuriq në opozitë çfarë pret nga njerëzit. Berisha ishte lider i ashpër, ka problemet e veta, ka pasur edhe kontribute, ky është lider pa karakter, nuk mund të fshihet asgjë mbi maskën e buzëqeshjes. Si mund të largosh njerëzit e kontributeve të mëdha, unë kam pasur probleme me Topallin, por si mund ta largosh Topallin, di mjaft raste që ka qenë duke lënë kokën për PD-në, mbi ç’bazë”, tha Topi.

Të ardhmen për opozitën, e veçanërisht për PD-në e sheh të zymtë. Njëjtë, edhe atë se çfarë do të ndodhë të shtunën me mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

“Po ça Kuvendi?  Dritë në fund të tunelit për PD? Nuk shoh as tunel të projektuar e jo më të çpuar”, tha Topi. Mes kësaj të ardhshme të zymtë, ku e sheh veten Topi?  “Unë do jem vetëm në qetësinë time, do të shkruaj, kur të më ftosh në studio do vij të flas dhe të falënderoj që je një mendje e hapur në një studio të hapur se shumë studio të tjera kanë vendosur mure se kur bëhet fjalë për pisllëkun e madh janë përfshirë të gjithë. Nuk pres një ftesë nga kryeministri Edi Rama”, përfundoi ai përballë gazetarit Denis Minga.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:44
Topi në Report Tv: Shqipëria nuk është gati të futet në BE! Sulmet e Ramës ndaj unionit të tepruara! SPAK po ‘bën nxehjen’, po i ushtrohet shumë presion

Shqipëria nuk është gati që të integrohet në Bashkimin Europian dhe sulmet e bëra drejt Bashkimit Europian nga kryeministri Edi Rama, ish-presidenti Bamir Topi nuk i sheh aspak të arsyeshme. Përtej keqardhjes që thotë se ndjen për vendin pasi do ta shohë në BE, Topi ka listuar një sërë problematikash që sipas tij nuk shkojnë e që i kanë bllokuar rrugën Shqipërisë drejt Europës. Duke pranuar që edhe BE ka problemet e saj, për Topin, “hallet” e vendit tonë janë shumë herë më të mëdha dhe se "procesi u bllokua për faj të Bullgarisë që vuri veton ndaj Maqedonisë së Veriut", sipas tij janë justifikime.

“Në çdo dalje, sulmon BE, do të mjaftonte BE se bëhet fjalë për një nivel të lartë politik, Europa ka problemet e veta, por ne kemi më shumë probleme, kjo është alibi që Rama tenton ta përdorë, por e tepron, nuk mund të sulmohet BE në çdo moment, duket sikur kemi dalë te rrugica e lagjes së vjetër. Nuk është gjuhë politike kjo, nga ana tjetër a jam unë i dyzuar nëse e kemi ne problemin apo ato, sigurisht e kemi të dyja pakët. Ju mendoni se gjërat shkojnë siç duhet në vend. Të përdorësh alibinë e kundërshtimit në një kohë kur nuk i bën për gjërat që i ndodhin vendin, nuk është gjuhë politike kjo. Shqipëria nuk është gati, janë shumë gjëra që nuk shkojnë, ka probleme të mëdha me demokracinë, është një njeri që i ka të gjitha pushtetet, ka një marrëdhënie hegjemoniste në politike, tentohet të mbahet një opozitë që nuk është opozitë, por që nuk i krijon asnjë problem kryeministrit, të mos flasim për administratën. Tani të përdoret një artificë se për shkak të Maqedonisë së Veriut Bullgaria bllokoi Shqipërinë, nuk është alibi për të mbuluar defektet madhore që ka ky vend”, tha Topi.

Fajtorin e sheh te politika, pasi prej saj prodhohen të gjitha institucionet, edhe ato të drejtësisë, e nisur nga kjo Topi thotë se “askujt nuk duhet ta gënjejë mendja” se këto figura nuk qëndrojnë pas këtyre “dështimeve”.

“Jo vetëm SPAK, por të gjitha institucionet duhet të funksionojnë, së pari është parlamenti, me ca rregullash funksionon partitë politike, gjithçka varet nga politika, kjo politikë prodhon institucionet, Presidenca, institucionet e drejtësisë, kë e rren mendja që gjërat bëhen jashtë politikës. Duhet të jesh analfabet ta mendosh këtë”, tha ish-presidenti.

Për operacionet e SPAK, Topi thotë se është vetëm fillimi, mirëpo është i mendimit që këtij institucioni po i ushtrohet një presion shumë të madh nga qytetarët, mediat, politika. E për rrjedhojë i druhet një dështimi e për ta argumentuar këtë qëndrim të tij sjell një shembull nga futbolli, më konkretisht kombëtaren angleze në EURO 2020. Ai thotë se kjo kombëtare po luante në shtëpinë e saj, tifozët ishin pothuajse të bindur në fitore, por në fund dështuan.

“Nuk besoj që Politika të ketë hequr dorë në mënyrë absolute se ndryshimi nuk vjen menjëherë, një gjë nuk shoh mirë, që institucioni i SPAK është futur në okelion e debateve politike apo mediatike. Institucioni duhet të punonte i qetë, por kam parë që ka shumë kohë televizive, dhe gazetat hapen me këto titujt dhe eksperienca është e keqe, një presion i madh mediatik destabilizon çdo njëri, ato i kanë konturet institucionale. Nëse hapet një çështje ku të dhënat janë konkrete, në abuzime financiare, patjetër janë ata aty. Institucioni duhet të shoh dominancën e problemit, nëse nuk i merr çështjet e mëdha është një problem i madh, nëse nuk merret me problemet e mëdha, atëherë humb besueshmërinë, të merren me tenderat e fuqishëm që e kanë çuar Shqipërinë nga pikëpamja ndërkombëtare gropë”, tha ai.

B.K./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar