TIRANE- Arrihet marrëveshja për çështjen e toponimeve në pasaportat e emigrantëve shqiptar në Greqi. Në një deklaratë për mediat, kreu i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati theksoi se kishte arritur marrëveshjen me homologun e tij grek Venizelos. Sipas marrëveshjes së nënshkruar, është përcaktuar se do të bëhet një korrektim në pasaportat aktuale të shtetasve shqiptar të cilat kanë lindur në Greqi. Sipas marrëveshjes së arritur me palën greke është përcaktuar se në pasaportat e shtetasve shqiptar do të bëhet një korrektim, ku emri i qytetit grek, ku ka lindur do të shkruhet siç përdoret nga Greqia, por në gjuhën angleze. Pra sipas kësaj, marrëveshje, qytete të tilla si Selaniku do të shënohen Thesaloniki, gjë kjo që është miratuar nga ana e Shqipërisë dhe Greqisë.

Por, ky korrektim do të bëhet pas datës 1 janar 2015 pasi deri në këtë datë, Greqia do të vijojë me Moratoriumin e vendosur për Pashkët, ku të gjitha lëvizjet ndërmjet dy shteteve do të jenë të lira. Lidhur me marrëveshjen e arritur, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati theksoi se është zbatuar e drejta ndërkombëtare. Në një deklaratë për mediat, ai theksoi se: “Gjithashtu, kemi rënë dakord se rruga më e sigurt për të adresuar problemet e së shkuarës, është referenca në parimet e së Drejtës Ndërkombëtare dhe këtu e kam fjalën tek emërtesat gjeografike që kanë depozituar të gjithë vendet në OKB dhe gjithashtu tek standardet e ICAO-s që është Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil.

Në terma praktikë Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord, kanë vendosur një afat, që është 1 janari i 2015-s. Deri në 1 janari 2015 do të mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve në përputhje me praktikën apo Moratoriumin ekzistues që qeveria greke bëri për këtë kategori personash, bashkëqytetarësh tanë, me rastin e Pashkëve. Pra, ajo praktikë e qeverisë greke me rastin e Pashkëve do të shtrihet deri më 1 janar të 2015. Ndërkohë të dy qeveritë angazhohen për të ndërmarrë masat e nevojshme ligjore, institucionale, administrative, në mënyrë që 1 janari ta gjejë këtë çështje në mënyrë definitive, të adresuar në përputhje me atë që thashë pak më lart në parimet të së Drejtës Ndërkombëtare”.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)