Donald Trump zgjoi një “Armada” të vendosur në detet përreth Iranit, por flota amerikane e gatshme për të ndërhyrë është shumë më e vogël se ajo e mobilizuar gjatë krizave të Lindjes së Mesme në dy vitet e fundit, shkruan Corriere della Sera. Pesëdhjetë avionët F-35 dhe F-18 të aeroplanmbajtëses “Lincoln”, së bashku me raketat lundruese Tomahawk të ngarkuara në gjashtë anije luftarake dhe në disa nëndetëse me energji bërthamore, janë të vetmet mjete sulmuese në dispozicion të Shtëpisë së Bardhë. Mjete të mjaftueshme për një goditje të shpejtë kundër disa objektivave, por jo për të zhvilluar një fushatë të zgjatur kundër regjimit teokratik.
Skuadriljet e tjera të avionëve gjuajtës-bombardues të dërguara në aeroportet jordaneze dhe saudite nuk do të mund të kontribuojnë në një ofensivë, sepse monarkët janë kundër një përplasjeje të re me Teheranin. Nëse megjithatë presidenti amerikan vendos të nisë një sulm, atëherë këto formacione me F-15, F-16 dhe F-35 që supozohet të jenë rreth njëqind e pesëdhjetë avionë, do të duhet të marrin përsipër mbrojtjen e instalimeve amerikane dhe të vendeve që i strehojnë ato, si edhe të kontribuojnë në “mburojën” izraelite me bateritë antiraketore THAAD. Në bazat më të ekspozuara ndaj një hakmarrjeje në Katar, Kuvajt dhe Emirate, avionët dhe personeli tashmë janë reduktuar në minimum.
Me pak fjalë, skenari është kompleks dhe të shtyn të mendosh se prioriteti i Trumpit është të marrë lëshime nga ajatollahët pa përdorur armët: të synojë një marrëveshje për çështjen bërthamore dhe një moratorium të ekzekutimeve të protestuesve. Sulmi do të ndodhte vetëm nëse do të konkretizohej mundësia për t’i shkaktuar regjimit shiit një “goditje vendimtare” siç do ta kishte quajtur presidenti: nëse inteligjenca do të identifikonte një dritare mundësie për të vrarë udhëheqësin suprem Khamenei ose krerët e Gardës së Revolucionit, atëherë mund të jepej urdhri për të vepruar.
Misioni me gjasë do t’u besohej bombarduesve B-2 Spirit, me një përsëritje të operacionit 36-orësh me ngritje nga Shtetet e Bashkuara që qershorin e kaluar shkatërroi laboratorët bërthamorë nëntokësorë. Avionët e aeroplanmbajtëses “Lincoln” do të merreshin me neutralizimin e asaj që ka mbetur nga mbrojtja ajrore iraniane, tashmë e goditur nga Izraeli dhe me verbimin e rrjetit radar, i cili së fundmi thuhet se ka përmirësuar pajisjet e konceptimit bjellorus për të lokalizuar avionë stealth si B-2 apo F-35.
Paralelisht me goditjen për t’i prerë kokën teokracisë, nuk përjashtohet lëshimi i dhjetëra raketave lundruese ndaj ndërtesave simbol të pushtetit, si kazermat e Pasdaranëve, zyrat e shërbimeve sekrete, televizioni dhe radioja shtetërore. Shpërthime që do të shërbenin si mesazh për protestuesit për t’i bindur të kthehen në sheshe. “Një sulm ajror”, ka theksuar analisti izraelit Michael A. Horowitz “mund të ndëshkojë dhe të paralizojë, por për të shkaktuar një kolaps të vërtetë të regjimit do të nevojitej një çarje e njëkohshme në terren, si një rifillim i protestave dhe një përçarje në udhëheqje”.
Megjithatë, një sulm i synuar kundër një personaliteti të vetëm mbart rreziqe aq të larta dështimi sa duket si një aventurë e rrezikshme. Trump në Karakas ka treguar se është i gatshëm të guxojë, por Teherani është krejt tjetër histori dhe një goditje e humbur do të provokonte gjithsesi një hakmarrje raketore shumë të rrezikshme. Për këtë arsye presidentit i është paraqitur një plan alternativ për të rritur presionin pa veprime të drejtpërdrejta: një bllokadë detare e cisternave të naftës, pikërisht si ajo që në Venezuelë i parapriu kapjes së Maduros.
Ushtarakisht është një veprimtari e thjeshtë dhe do t’i hiqte teokracisë burimin kryesor financiar, përveçse do të afirmonte edhe më me vendosmëri ambiciet e Trumpit për dominimin e tregut të naftës.
Ka dy pikëpyetje. E para lidhet me “luftën psikologjike”: makina e brendshme e propagandës së ajatollahëve mund ta shfrytëzojë embargon për t’ua hedhur Shteteve të Bashkuara fajin për krizën ekonomike. E dyta është më luftarake: Garda e Revolucionit është gati ta paralizojë trafikun detar në ngushticën e Hormuzit me mina, dronë dhe varka-bombë. Kjo do të thoshte ndalimi i mbi një të pestës së fluksit botëror të hidrokarbureve, të destinuara kryesisht për Azinë.
Një perspektivë që tremb shumë vende, por jo Shtetet e Bashkuara, të cilat nuk importojnë më naftë bruto nga rajoni./La Repubblica
Komente









