TIRANË- Avokati i Popullit Igli Totozani nëpërmjet një letre i kërkon ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati të ndjek më nga afër hetimet për vdekjen e shqiptarit Ilia (Ilir) Kareli në burgun grek. Ai shkruan se mbrojtja e të drejtave të shtetasve shqiptarë në çdo vend të huaj, është një detyrim kushtetues i shtetit shqiptar. Sipas Totozanit, “roli aktiv i Ministrisë së Punëve të Jashtme në sqarimin e rrethanave të vdekjes së shtetasit shqiptar Ilia Kareli, do të ishte i domosdoshëm”.
 
LETRA E TOTOZANIT DREJTUAR BUSHATIT
Nisur nga lajmi i botuar sot në shtypin e shkruar, jemi vënë në dijeni të ngjarjes në burgun e Malandrionos, ku është gjendur i vdekur në qelinë e tij një shtetas shqiptar, i cili po vuante dënimin në këtë institucion të ekzekutimit të veprave penale në shtetin grek.
 
Për vetë rrethanat e kësaj ngjarje, e cila është paraprirë nga zhvillime të tjera që kanë rezultuar me humbjen e jetës të një prej gardianëve grekë në po të njëjtin institucion të vuajtjes së dënimit në shtetin fqinj, gjykojmë se është e nevojshme që institucioni që Ju drejtoni të ndjekë nga afër zhvillimet që kanë të bëjnë me hetimin e saj nga autoritetet kompetente vendase duke kërkuar informacionet përkatëse për këtë qëllim.
 
Është detyrim kushtetues mbrojtja e të drejtave të shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, nga ana e shtetit shqiptar dhe institucioneve që përfaqësojnë atë. Në vlerësimin e Avokatit të Popullit, theksojmë se është i dënueshëm ligjërisht dhe moralisht çdo veprim i cili çon në humbjen e jetëve njerëzore pavarësisht faktit se kujt i përkasin ato.
 
Për sa më sipër, një rol aktiv i Ministrisë së Punëve të Jashtme në sqarimin e rrethanave të vdekjes së shtetasit shqiptar Ilia Kareli, do të ishte i domosdoshëm dhe domethënës në kuadër të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të shtetasve shqiptar kudo që ata ndodhen.
 
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin dhe në pritje të përgjigjes nga ana Juaj,

 Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)