Totozani: OK heqjes së imunitetit
Por s’mjafton kundër korrupsionit

Totozani: OK heqjes së imunitetit <br />Por s’mjafton kundër korrupsionit
TIRANE - Avokati i Popullit Igli Totozani, i ftuar në studion e televizionit A1 Report ka pohuar se është dakord për heqjen e imunitetit por e cilësoi atë vetëm një hap në luftën kundër korrupsionit. Gjatë bisedës me gazetaren Mira Kazhani, ai gjithashtu theksoi se moszbatimi vendimeve te gjyqësorit në Shqipëri përbën një problem serioz pasi i jep jetë fenomenit të gjakmarrjes.

Z. Totozani besoj i keni ndjekur zhvillimet e fundit politike, si njeri i fushës së Drejtësisë gjykoni se është në të mirën të vendit heqja e imunitetit?

Avokati i Popullit gëzon imunitet njësoj si kryetari i Gjykatës së Lartë.
Unë personalisht jam dakord për heqjen e imunitetit, pasi kjo është në të mirë të vendit dhe për mua dy janë arsyet kryesorë përse duhet të heqim imunitetin.
Heqja e imunitet në radhë të parë shërben në luftën kundër korrupsionit, së dyti është një nga kërkesat e Bashkimit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Jam i mendimit se duhet të bëjmë gjithçka që ne të jemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe heqja e imunitetit është vetëm një hap i vogël.

Ka pasur edhe deputete që e kanë hequr imunitetin, por sërish kanë arritur ti shpëtojnë drejtësisë?

Heqja e imunitetit nuk është çelësi i luftës kundër korrupsionit, është vetëm një hap pozitiv.
Pra heqja e imunitetit nuk është kali i fitores në luftën kundër korrupsionit, por është një nga kuajt e fitores.
Korrupsioni është një fenomen i ngulitur thellë në shoqërinë shqiptare dhe duhet punë e madhe dhe angazhim në luftën kundër tij.

Z. Totozani ç’bëhet më fatin e komunitetit egjiptian, në lidhje me problemin e tyre me Bashkinë?

Fatkeqësisht kam lajmë jo të mira për këtë çështje.

Jam vendosur në dijeni menjëherë për problemin e tyre nëpërmjet organizatave dhe individëve të ndryshëm dhe urgjentisht jam vënë në lëvizje për të kuptuar situatën.
I kam dërguar letër kryetarit bashkisë z. Lulzim Basha dhe kreut të Policisë Bashkiake z. Florenc Hoxha ku i kam kërkuar informacion për këtë akt dhe legjislacionin ku është bazuar ky akt.

Deri në këto momente nuk kam marrë ende përgjigje zyrtare dhe pse sot është dita e fundit e afatit 10-ditor brenda së cilit duhej të na kthehej përgjigja.

Si shpjegohet fakti që s’kanë kthyer përgjigje zyrtare institucionit të Avokatit të Popullit dhe a ka precedentë të tjerë?

Raste të tjera ka, mund të përmend Drejtorinë e Përmbarimit dhe Ministrinë e Drejtësisë.

Sa i përket Drejtorisë së Përmbarimit e kemi denoncuar si rast. Ajo drejtohet nga z. Pal Metaj dhe ne kemi kërkuar shkarkimin e tij por kjo nuk ka ndodhur.

Gjithashtu kemi konstatuar raste të moszbatimit te vendimeve gjyqësore dhe ky është një problem shqetësues dhe serioz.

Moszbatimi i vendimeve gjyqësore ul besueshmërinë e opinionit publik mbi forcën dhe funksionimin e shtetit dhe për këtë arsye marrin jetë fenomene si gjakmarrja.

Fenomeni i gjakmarrjes ushqehet edhe nga indiferenca e shtetit në zbatimit e ligjit dhe vendimeve gjyqësore, njerëzit kur e shikojnë se shteti nuk është i aftë të garantojë drejtësi ata priren të bëjnë vetëgjyqësi.

Kam informacione të sakta se tragjedia që ndodhi në Pukë mund të shmangej: policia ishte në dijeni të situatës dhe nuk bëri përpjekjen e duhur për të evituar vrasjet.

Gjakmarrja po del jashtë kontrollit, a tregon kjo inekzistencën e shtetit?

Fenomeni i gjakmarrjes është i lidhur drejtpërdrejtë me indiferencën e shtetit.

Organet kompetente nuk janë treguar efikase në punën e tyre për parandalimin e këtij fenomeni që po merr jetë njerëzish të pafajshëm.

Faktorët që e nxisin këtë fenomen janë të shumë, përveç mungesës së vëmendjes nga ana e shtetit, mund të përmendim formimin e ulët kulturor të banorëve të zonave ku ky fenomen është shqëtësues, keqmenaxhimi i organizatave të pajtimit të gjaqeve, bashkëpunimin e dobët mes organeve përgjegjëse për parandalimin e gjakmarrjes dhe puna e dobët e organizatave të shoqërisë civile.

Institucioni i Avokatit të Popullit e ka ngritur herët çështjen e gjakmarrjes. Me iniciativën e paraardhësve të mi u miratua një ligj për ngritjen e një këshilli që do drejtohej nga Presidenti i Republikës.

Këshilli duhej të mblidhej një herë në tre muaj dhe ministri i Brendëshm, ministri i Ekonomise, Avokati i Popullit duhet të raportonin për situatën dhe të hartonin strategji për parandalimin e këtij fenomeni. Këshilli nuk është mbledhur që prej vitit 2005.

Sa i përket shëndetësisë, cilat janë ankesat që i drejtohen institucionit tuaj?

Shërbimi shëndetësor në vendin tonë lë për të dëshiruar.

Në spitale ka mungesë të theksuar medikamentesh, gjithashtu dhe të aparaturave të ndryshme spitalore.
Infrastruktura e spitaleve tona nuk është në nivelin e duhur, dhe në këtë aspekt ka ende shumë punë për të bërë, para pak ditësh e preka vetë nga afër këtë situatë.

Mund të flas fjalë të mira vetëm për një pjesë të personelit mjekësor, për aftësitë dhe përgatitjen e tyre.

(eb/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë