Tradicional dhe "trendy" si Redi Jupi

Tradicional dhe "trendy" si Redi Jupi
Redi Jupin e takojmë në zyrën e tij në FSHF, (Federata Shqiptare e Futbollit) ku prej kohësh është Drejtor i Ekipeve Kombëtare. I veshur "trendy" me xhup të zi dhe shall me ngjyra, Redi na pret në zyrën e tij. E kërkova këtë intervistë me z. Jupin, pasi pak kohë më parë teksa shfletoja një material për dhunën kundër grave, mes emrave të njohur të meshkujve shqiptar, vura re edhe emrin e ish-futbollistit të njohur të kombëtares tonë. "U bëra pjesë e kësaj nisme pasi besova në të”, shprehet ai. Spoti i realizuar nga “Genuine Effect”, ku është i pranishëm edhe Jupi do të shfaqet javën e ardhshme në televizonet shqiptare. Por në këtë rrëfim për THASH&THEM, ish-futbollisti i talentuar flet për jetën e tij bashkëshortore, marrëdhëniet me fëmijët dhe pushimet e fund vitit, që do ti kalojë jashtë Shqipërisë.

Redi jeni bërë pjesë e një nisme kundër dhunës ndaj gruas, si lindi kjo ide?

Në fakt mu bë një propozim për të bërë këtë fushatë, më treguan se çfarë mesazhi donin të lançonin dhe pasi e shqyrtova mendova të jepja kontributin në këtë fushatë kundër dhunës. Kemi bërë një publicitet që do të shfaqet në publik.

Këto nisma janë të vlefshme sipas jush duke qenë se jeni vet bashkëshkort?

Të them të drejtën oferta për të kontribuar në nisma të tilla kanë qenë të shumta, por problemi është që duhet të zgjedhësh ato nisma për të cilat mendon se vërtet mund të japin një mesazh të sinqertë dhe real. Nëse nuk do të besoja nuk do ta bëja.

Dhuna tek femrat duket se është një fenomen i përhapur në shoqërinë tonë, vetëm në Tiranë kemi patur 22 viktima të kësaj dhunë. Në perceptimin tuaj si duhet të jetë figura e një mashkulli në familje duhet të jetë në kontekstin patriarkal, apo ai duhet të jetë më i hapur në mënyrë që edhe familja të jetë më e shëndetshme?

Figura e babait patjetër që është e rëndësishme në familje ashtu siç është edhe ajo e nënës. Për fat të keq ne kemi ekstreme të perceptimit të rolit të të dyve. Unë jam kundër çdo ekstremi, pra çdo tejkalimi pozitiv apo negativ sepse ne kemi ose femra shumë të forta, ose femra shumë të dobëta dhe anasjelltas edhe tek meshkujt. Ka ç'balancime të pushteteve si në familje, e kudo. Ne i shohim femrat si pronën tonë.

Në fakt si është Redi Jupi si bashkëshort dhe sa ka ndryshuar jeta juaj në momentin kur u martuat?

Nuk besoj se jeta ndryshon shumë, pasi çdo gjë që bën, e bën me karakterin dhe personalitetin që ke si beqar ashtu edhe kur martohesh. Unë nuk besoj se perceptimi im për familjen dhe femrën ka ndryshuar shumë nga koha kur isha beqar dhe tani që jam i martuar. Ne kemi modele shumë të shëmtuara të perceptimit edhe nga djem ose burra që e quajnë veten modern. Meshkujt që lidhen me një femër kanë atë muajin e parë të njohjes, ku çdo gjë shkon vaj pastaj dalëngadalë i presin të gjitha lidhjet femrave, të gjitha kontaktat dhe e lenë pa jetë aktive. Në këtë mënyrë pas 3-4 vitesh ai e shikon që nuk është më i lidhur me femrën që ai ka dashur të lidhet. Unë mendoj se është shumë e shëmtuar të kesh dorë në ndryshimin e karakterit të njeriut.

Sa i përkushtuar është Redi si baba?

Unë kam 3 fëmijë dhe të them të drejtën afeksioni shpërndahet pak, pasi secili do kohën e tij. Unë mundohem që të treve ti jap atë kohën e tyre dhe për tre kam shumë debulesë dhe dashuri.

Pra keni 1 vajzë dhe 2 djem njëri prej të cilëve është vetëm 7 muajsh, jeni më i lidhur me vajzën ashtu siç do baba?

Nuk dua të bëj diferencime, por kam lidhje specifike me të tre. Nuk mund të flasësh njësoj me të tre pasi janë të ndryshëm.

Tre fëmijë, duket sikur keni dashur ta ruani familjen tradicionale shqiptare pasi kohët e fundit çiftet e reja bëjnë shumë pak fëmijë...

Unë nuk i kam patur asnjëherë qejf modelet. Shikoj që shumica e çifteve ndjekin një model familjar, martohen, bëjnë një fëmijë, pastaj të dytin dhe më pas e gjejnë veten duke thënë ç'desha që i bëra. Unë desha dhe i bëra. Nuk nisem nga modele dhe mendoj se familja është modeli më i mirë që duhet të ndjekë shoqëria.

Më thatë që keni dy djem do dëshironit që njëri prej tyre të ishte futbollist?

Profesioni që bën një i ri është pjesë e karakterit dhe personalitetit të tij, pra mënyra sesi ai identifikohet në shoqëri. Është shumë e tmerrshme kur prindërit kanë arritur diçka vet ose nuk kanë arritur dhe kërkojnë ti imponojmë fëmijës ëndrrën e tyre, apo ëndrrën e tyre ta shohin të realizuar tek fëmijët. Nuk ka rëndësi se çfarë mënyrë zgjedh një njeri për tu realizuar në jetë, bëhet inxhiner, futbollist apo hidraulik e rëndësishme është të realizohet. Tmerri më i madh për një njeri është mos realizimi. Nëse fëmija im realizohet përmes futbollit pse jo, por edhe nëse gjen mënyrë tjetër unë do ta mbështesja.

Jeni shkëputur prej një kohe të gjatë nga futbolli, e kujtoni veten në fillimet tuaja dhe çfarë do të kishit bërë ndryshe?

Gjatë kohës që luaja futboll, shumë pak mendoja se çfarë gabimesh kisha bërë. Patjetër që gabime kam bërë në karrierë, por një jetë pa gabime është e çuditshme si jetë.

Nëse do të ktheheshit mbrapa në kohë do ishte futbolli përsëri një zgjedhje e juaja, pasi më pas ju keni studiuar edhe për Drejtësi?

Futbolli ka qenë dhe është pasioni im më i madh. Që katër vjeç unë kam filluar të luaj në lagje, pra ëndrra ime ishte të luaja futboll dhe të luanim të paktën njëherë në stadiumin "Qemal Stafa". Unë e realziova sepse luajta më shumë se njëherë, kështu që nuk është keq (qesh).

Kur e keni arritur kulmin e suksesit në karrierën tuaj si futbollist?

Kulmi i suksesit ka qenë në Turqi, megjithatë ajo erdhi si rezulat i luajtjes me Dinamon etj. Por e rëndësishme është që u realizova si futbollist ndaj dhe jam i qetë. Jam i kënaqur me veten time, pasi kam bërë më shumë se 400 ndeshje dhe tashmë e kam ezauruar si pasion. Kur një pasion i madh nuk ezaurohet është shumë problem kur ngelet brenda.

Përveçse një futbollist i talentuar ju kanë evidentuar gjithnjë edhe si një mashkull trendy. E keni parë ndonjëherë televizionin si një vend ku mund të bënit karrierë?

Kam qenë bashkëshoqërues në emisione sportive, por të them të drejtën media nuk më pëlqen shumë. Nuk e kam me qejf kontaktin me të, pasi sa herë shfaqesh në televizion je shumë i "zbuluar" dhe unë s'kam dëshirë të gjykohem nga të tjerët pa shkak. E kam shumë kollaj të dal dhe të flas për futbollin dhe aktualisht kam një kontratë me një media në të cilën bëj këshilltarin sportiv, pasi nuk mund të bëj asgjë tjetër përveç saj.

Në periudhën kur ju keni qenë futbollist, reklamat për futbollistët nuk kanë qenë shumë të përhapura ndërkohë që sot shumë futbollist janë pjesë e markave sportive. Do të donit të ishit imazh i një kompanie?

Problemi i imazhit nuk ka ndonjë vlerë, aq më tepër në kohën që kam luajtur unë nuk ka patur pothuajse fare. Mendoj se edhe sot nuk ka ndonjë vlerë, pasi unë e njoh pak a shumë sesi është tregu i reklamava. Një njeri i shou bizit apo futbollit, investon shumë për imazhin e tij dhe ky imazh nuk përkthehet në vlerë monetare. Nëse do të isha duke luajtur futboll dhe nëse do të më propozonin të bëja reklamën e X kompanie, do të zgjidhja vetëm atë të cilit do ti besoja, siç bëra edhe me spotin e dhunës kundër gruas pasi besoja në të. Pra edhe shfrytëzimin e imazhit do të preferoja ta bëja në përmirësimin e imazhit, jo në zbehje të tij.

Ku do ti kaloni festat e fund vitit?

Kemi bërë plan që me familjen të shkojmë diku jashtë, ta shfrytëzojmë edhe për punë edhe për pushime.

Besoj se në këtë tur do të jetë edhe pjesëtari më i vogël i familjes Jupi..

Po, po të gjithë bashkë (qesh).

Su/ Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Mziu e shtyu, reagon Milva Ekonomi: E keqardhur për nivelin ku kanë degraduar kolegët e opozitës, dhuna po kalon çdo kufi, dëmton Shqipërinë!

Mziu e shtyu, reagon Milva Ekonomi: E keqardhur për nivelin ku kanë degraduar kolegët e opozitës, dhuna po kalon çdo kufi, dëmton Shqipërinë!