Rituali i veshjes së nuses nga një grup grash arbëreshe ishte një moment interesant në Samitin e Diasporës për një ndër pjesët më të lashta të mbetura gjallë në kulturën shqiptare. Në panelin e organizuar mbi botën arbëreshe u diskutua mbi kulturën, traditën dhe sfidat me të cilat përballet kjo komunitet, ku përfaqësuesit institucionalë theksuan se gjuha mbetet elementi kryesor që ka ruajtur identitetin arbëresh ndër shekuj.
“Prej 6 vitesh që kur funksion QSPA ka bërë seri evidentimesh të problematikave që ekzistojnë në botën arbëreshe… Ajo që del e para është çështja e gjuhës arbëreshe…”, tha drejtoresha e Qendrës së Studimeve për Diasporën, Diana Kastrati.
Sipas saj, gjuha është çështja më urgjente dhe më e ndjeshme, ndërsa mekanizmat ligjore në Itali për mbrojtjen e pakicave gjuhësore mbeten ende të pamjaftueshme.
“Tema e gjuhës është më e ndjeshmja dhe më urgjentja që kërkon ndërhyrje…”, tha Kastrati.
Një shembull pozitiv vjen nga komuniteti ladin në veri të Italisë, ku politikat arsimore dhe kulturore kanë ndihmuar në ruajtjen e gjuhës.
“Globalizimi është mundësi për të na bërë të njohur ne ladinët… kemi projekte efikase sidomos për të rinjtë.”, tha Sabrina Rasom, funksionare e Instituti Kulturor Ladin.
Ndërkohë, në zonat arbëreshe si San Marzano di San Giuseppe, sfidat mbeten të forta, sidomos për shkak të mungesës së shkollave në gjuhën arbëreshe dhe emigrimit të brezave të rinj.
“Nuk kemi shkollë arbëreshe dhe ky është një handikap i madh… brezi i mesëm nuk e ka folur gjuhën.”, tha Lorenzo Lonoce, Këshilltar komunal për mbrojtjen e gjuhës dhe kulturës arbëreshe në San Marzano di San Giuseppe në Puglia.
Ai kujton se në të kaluarën përdorimi i arbërishtes shpesh është shoqëruar me paragjykime, ndërsa sot po ndërmerren iniciativa për ringjalljen e saj përmes kurseve, projekteve kulturore dhe laboratorëve teatrorë për të rinjtë. Në këtë kuadër, po punohet edhe për krijimin e një standardi shkrimi dhe përdorimin e alfabetit shqiptar në dokumentimin e gjuhës.
“Po bëjmë kurse alfabetizimi me alfabetin shqiptar…”
Ai thekson gjithashtu nevojën për përfshirjen e gjuhës arbëreshe në arsimin universitar dhe formimin e mësuesve të ardhshëm, si në Itali ashtu edhe në Shqipëri.
“Në Shqipëri duhet studiuar arbërishtja dhe filologët shqiptarë duhet të krijojnë klasa universitare të arbërishtes…”
Në këtë proces, bashkëpunimi mes Shqipërisë, Italisë dhe diasporës shihet si vendimtar për të ardhmen e gjuhës.
“Nevojitet bashkëpunim mes dy qendrave tona dhe institucioneve italiane…”, tha Erilda Selaj, drejtuese e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale.
Ndërsa përfaqësues të diasporës theksojnë se ruajtja e gjuhës duhet të lidhet edhe me zhvillimin ekonomik dhe strukturor të komuniteteve arbëreshe.
“Duhen struktura ekonomike për ta çuar përpara këtë gjuhë dhe këtë trashëgimi…”, tha Geri Ballo, drejtuese e “Made in Arbëria”.
Sot, komunitetet arbëreshe numërojnë gjithnjë e më pak folës aktivë të gjuhës, ndërsa përpjekjet për ruajtjen e saj vazhdojnë, mes sfidës së madhe: a do të mbetet arbërishtja një gjuhë e gjallë apo vetëm një kujtim kulturor?
Komente











