ELBASAN, 2 Korrik/ATSH - Miranda Sadiku/.- Rastësisht në vitin 1922, në muret e Kalasë së Elbasanit u zbulua një gur masiv (gur varri), ku ishte i gdhendur emri i qytetit Skamp. Sot, guri që daton shekullin e II-të të erës sonë, ndodhet në muzeun Etnografik të Elbasanit si një dëshmi që vërteton vendndodhjen e lashtë të Skampis, Elbasanit.
Drejtori i Muzeut Etnografik, Kreshnik Belegu thotë për ATSH-në se "ky gur varri i përket legjionarit Mark Sabidi Emilia Maksimus dhe vërteton plotësisht vendndodhjen e qytetit".
Sipas Belegut, dokumenti mbishkrimor, që mendohet se i takon shekullit të II-të e.s, është i vetmi monument epigrafik që përmend emrin e lashtë të qytetit në trajtë të shkurtuar "Skamp".
Ai sqaron se në shekujt III-IV, lashtësia e kësaj qendre dëshmohet nga të dhënat që japin intineraret e ndryshme për rrugën Egnatia, me të cilën qyteti ishte mjaft i lidhur.
"Të dhënat e fundit nga Skampini i përkasin shekullit të VI-të kohës së sundimit të perandorit Justiniani. Në Sinekdemos të Hieroklit, Skampini figuron si qytet krahas qyteteve të tjera të provincës së Epirit të Ri , ndërsa në listën e Prokopit të Çezaresë, Skampini konsiderohet si një nga kështjellat e ndërtuara rishtazi. Por dokumenti i fundit që përmend emrin Skampis datohet saktësisht në pranverën e vitit 519-të", thotë Belegu.
Ndryshimi i emrit nga Skapin në Elbasan, duket se ndodhi me pushtimin turk. Në vitin 1466 Sulltan Mehmeti i II-të, ndërton kalanë, e cila ishte shembur nga romakët, nga perandori Justinian dhe më pas nga dyndjet e fiseve bullgare.
Kalaja u ndërtua si pikë mbështetje për trupat osmane e tipit fushor ndër më të mëdhatë në ballkan dhe u quajt prej tyre "Elbasan", një emër me prejardhje turke. Në mbishkrimin në portën e kalasë është shkruajtur " Ilj-basan", që në turqisht do të thotë "shtypës". Më pas, në të përdorshem e folur, "Ijl" u zëvëndësua me shkronjën "E", duke i dhënë qytetit emrin që ka sot, "Elbasan"./k.s








