Një tjetër ngarkesë e madhe kanabisi e nisur nga Kanadaja dhe me destinacion Shqipërinë u godit nga Policia, kësaj here në Portin e Durrësit. Antidroga gjurmoi prej disa kohësh ngarkesën e cila u sekuestrua.
Bëhet fjalë për 107.7 kilogramë kanabis të llojit “Gelato” me THC të lartë, me një vlerë tregu që përllogaritet në rreth 1.2 milionë euro, me autorë të dyshuar 2 shqiptarë të Kosovës që u shpallën në kërkim. Në operacionin “Anchor 2”, hetimi u përqendrua te një kontejner i mbërritur nga Kanadaja, brenda të cilit ndodheshin dy automjete dhe një kamper.
Nga kontrolli i imtësishëm i kamperit u zbulua ngarkesa e drogës. Në hapësira të modifikuara dhe të maskuara me veshje druri, hetuesit gjetën të fshehura 190 pako me kanabis “Gelato”. Gjatë kontrollit u gjetën edhe 43 cigare elektronike, disa prej të cilave mbanin mbishkrime që deklaronin përmbajtje të lartë THC.
Nga hetimet dyshohet se droga sigurohej në Kanada dhe më pas transportohej drejt Shqipërisë, e fshehur në vende të posaçme të krijuara brenda mjeteve që porositeshin për t’u sjellë në vend.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.








Komente
Komento