Kristian Gjoni është arrestuar dhe 2 gra janë vënë nën hetim nga policia për 46 kilogramët kanabis që u kapën më datë më 3 korrik në Aeroportin e Rinasit. Lënda narkotike, në formën e xhelatinës dhe e sjellë nga Kanadaja në valixhe, ishte e ndarë në 89 paketime dhe vlerësohet rreth 250 mijë euro. 

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta operacionale, të kryera mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas dhe Autoritetet Doganore, finalizuan operacionin policor të koduar “Suitcases”, duke goditur një rast të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Kanadaja drejt Shqipërisë.

Gjatë operacionit u konstatuan dy valixhe, brenda të cilave ndodheshin 89 paketime të mbyllura me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, në formën e xhelatinës, me peshë totale rreth 46 kilogramë, me vlerë tregu rreth 250 000 euro.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë K. Gj., 34 vjeç, si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë A. Gj., 31 vjeçe, dhe L. Sh., 40 vjeçe.

Vijojnë hetimet, me përdorimin e metodave speciale të hetimit, për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.