Prej ditësh, autostrada Librazhd – Elbasan pret një fluks të lartë automjetesh që kthehen në kryeqytet duke krijuar një trafik të rënduar. Lidhur me këtë situatë problematike në studion e Report Tv, ishte i ftuar eksperti i sigurisë Arben Luzi, i cili ka komentuar faktorët që shkaktojnë vargun e madh të automjeteve të bllokuara në trafik.
Arben Luzi thotë se problematika e parë dhe më e madhe është infrastruktura rrugore e më pas aftësitë e shoferëve për të drejtuar automjetin.
“Infrastruktura ka të metat e saj dhe po t’i shohësh në kompleks, kemi të meta të drejtuesve të mjeteve, dhe të infrastrukturës rrugore. Nëse i referohemi trafikut urban, ne kemi një trafik ë ndër vite ka qenë i tillë. Në festat e fundvitit ka qenë i rënduar. Tirana këtë gjë e ka dhe në oraret kur njerëzit dalin ose ishin për në punë”, tha Luzi.
Eksperti thotë se në Bradashesh ku krijohet trafik i rënduar, kemi fenomenin e ‘grykës së shishes’ ku nga një rrugë si autostradë, kthehet në rrugë interurbane dytësore dhe shoferët detyrohen që të ulin shpejtësinë, shtuar këtu dhe fluksit të madh që është përballur zona gjatë kësaj periudhe.
“Në Bradashesh kemi grykën e shishes, nga një rrugë si autostradë, ajo kthehet në një rrugë interurbane dytësore të shpejtësisë së ulët. Kryqëzimi i Cërrikut duhet t’i ishte dhënë zgjidhje nga bashkia se aty është një kryqëzim që është nën nivel, që nuk ka sinjalistika”, tha Luzi.
Arben Luzi thotë se në Mirakë është krijuar amulli rrugore për shkak të ndërtimeve që vijojnë në atë aks rrugor. Luzi u shpreh se për këtë duhet që shteti t’i kërkojnë llogari firmave të ndërtimit.
Problem vijon dhe Rruga e Kombit ku disa ditë më parë disa automjete u aksidentuan për shkak të lagështirës dhe ngricës. Arben Luzi u shpreh se Autoriteti Rrugor Shqiptar duhet të rrisë kërkesën e llogarisë për përgjegjësit e hedhjes së kripës në rrugë.
“Nuk mund të flasim për siguri rrugore në Mirakë, por për amulli rrugore. Duhet të menaxhohet nga pronarët e rrugës, duke të rritet kërkesa e llogarisë kundrejt firmave. Rruga e Kombit paguhet nga ne. ARRSH duhet të hedhë kripë, duhet të kontrollojë atë që i ka dhënë koncesionin”, tha eksperti.
Eksperti tha se për të zgjidhur problemin, duhen të ndërtohen nënkalime ose mbikalime për të redaktuar trafikun dhe nëpër rrethrrotullime, të cilat kanë kosto të mëdha. Luzi thotë se projektet e rrugëve në Shqipëri janë hartuar sipas standardeve, por janë deformuar rrugës.
“Duhen nënkalime ose mbikalime për të reduktuar trafikun. Kanë kosto të mëdha. I kemi pasur projektet sipas standardeve, por janë ndryshuar rrugës. Në të gjitha daljet e Unazës së Re të Tiranës, zgjidhja e rrethrrotullimeve, hyrja dhe dalja lë për të dëshiruar. Duhet të ishin bërë degëzime të rrugëve. Shtetet e tjera e kanë zgjidhur problemin e trafikut me infrastrukturë të plotë rrugore. Në të gjitha rrethrrotullimet duhet të ketë kalime në disnivel për të shfryrë degëzimet. Në të gjithë fluksin e kemi futur në rrethrrotullim. Duhet menduar për infrastrukturën rrugore. Mundësitë janë për të shkuar tek më e mira”, tha Luzi.
Komente







