DUBAI- Merr fund arratia e një prej anëtarëve të grupit Rraja. 39-vjeçari Bujar Sefa allias Xaka është arrestuar në Dubai, atje ku fshihen shumë kriminelë shqiptarë. Sefa ishte në kërkim nga SPAK si pjesë e grupit të Rrajave që u godit në dhjetor 2020 pasi dyshohet se kishin trafikuar të paktën 2.4 tonë marjuanë e kokainë nga Shqipëria drejt Bashkimit Europian.

SPAK e akuzon Sefën si një prej drejtuesve të grupit dhe ndaj tij Gjykata e Posaçme më 23 dhjetor 2025 ka caktuar masën arrest me burg për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal'', "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Interpol Tirana tashmë pritet të nisë procedurat për ekstradimin e tij në vendin tonë.

"Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 23.05.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal'', "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Shtetasi B. S. alias B. X. akuzohet se ka qenë drejtuesi i një grupi kriminal, i cili në vitin 2020 ka kultivuar bimëve narkotike në fshatrat e njësisë administrative Cudhi, Krujë", njoftoi Policia e Tiranës. 

Ishin bisedat në SKyECC që çuan SPAK në goditjen e këtij grupi kriminal, ku u arrestuan edhe tre anëtarë të fisit Rraja, Gazmir, Përparim dhe Rexhep Rraja. Ky i fundit djali i ish deputetit të PS-së, Rrahman Rraja. Prokuroria e Posaçme i komunikoi masën arrest me burg në qeli në muajin dhjetor edhe Islam Sefës, vëllasë së Bujar Sefës. Ai u arrestua në korrik të vitit 2024 në një lokal afër SPAK për trafik droge, si akuzuar si drejtues dhe financues i një grupi që trafikoi 912 kg marijuanë në vlerë 3.3 milionë euro drejt Gjermanisë.

Ndërkohë Bujar Sefa, i cili ishte në kërkim edhe për këtë operacion, u dënua në mungesë me 10 vite burg më 1 korrik të vitit 2024 si drejtues i një grupi kriminal që kultivonte parcela me kanabis në disa zona të Krujës.  Të dy vëllezërit, Islam dhe Bujar Sefa, sipas shkrimeve të kohës, rezultojnë të dënuar në vitin 2021 në Itali me nga 9 dhe 12 vjet burg, si pjesë e një organizate që merrej me trafikun e drogës nga Holanda në Venezia, gjatë viteve 2016-2017.