Dy vajza të mitura humbën jetën mesditën e kësaj të premteje në bregdetin e Tales në Lezhë. Jonida Dajlani 9 vjeç dhe Adelajda Misha 11 vjeç (goca tezesh me njëra-tjetrën), kishin hyrë në det për t’u larë, por në orët e mesditës, kur nisën dallgët ato nuk mundën të dalin në breg.

Pas kërkimeve për disa minuta të familjarëve por dhe pushuesve të tjerë, trupat e tyre janë konstatuar pas shenja jeta në breg, disa metra më larg vendit ku kishin hyrë për t’u larë.

Vajzat e mitura janë nga Fushë-Kruja dhe i përkasin komunitetit rom. Ato kishin shkuar për të bërë disa orë plazh bashkë me familjet por pushimet u kthyen në tragjedi.

Vendi ku po qëndronin vajzat është një plazh i pamenaxhuar nga bashkia, që nuk ka çadra, shezlongë dhe as sinjalistikë. Një kullë vrojtimi është e braktisur dhe ka mbetur si relike nga vitet e kaluara.

Për ngjarjen tragjike ka reaguar kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu i cili shpreh shqetësimin për mungesën e kujdesit dhe vigjilencës në plazhet e pamenaxhuara, të cilat nuk administrohen as nga subjektet private dhe as nga Bashkia.

“Në hapësira të tilla, kujdesi prindëror ndaj fëmijëve, si dhe vëmendja e familjarëve dhe shoqërisë ndaj personave që nuk dinë not, duhet të jetë maksimal në çdo moment”, thekson Ndreu.

Kjo është ngjarja e dytë tragjike që shënohet brenda muajit, duke e çuar në 4 numrin e të mbyturve në det.

Më 4 qershor, tek Rana e Hedhun, u mbytën Leonit Aliu, 22 vjeç nga Fushë-Kosova dhe Jetmir Binaku, 23 vjeç nga Prishtina. Ata ishin pjesë e stafit organizativ të Festivalit Ndërkombëtar “Unum”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:34
Tragjedia në Tale të Lezhës ku u mbytën 2 vajza të mitura, Ndreu: Në plazhet e pamenaxhuara, vigjilenca e familjarëve ndaj atyre që s’dinë not duhet të jetë maksimale

1781879765_tfrxsuuu.jpg

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në bregdetin e Tales në Lezhë, ku dy vajza të mitura, Jonida Dajlani dhe Adelajda Misha, të moshave 9 dhe 11 vjeçe, janë mbytur në det.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, teksa ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave, Ndreu ka ngritur shqetësimin ‘për mungesën e kujdesit dhe vigjilencës në plazhet publike të pamenaxhuara’, plazhe të cilat nuk administrohen as nga subjekte private, por as nga bashkia.

Më tej Ndreu ka theksuar se siguria në plazh është një përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon ndërgjegjësim, kujdes dhe bashkëpunim nga të gjithë.

Reagimi i Ndreut:

Shpreh dhimbjen time të thellë për humbjen tragjike të jetës së dy vajzave të mitura në plazhin e Tales. Kjo është një ngjarje e rëndë, përballë së cilës fjalët janë të pamjaftueshme. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të tyre.

Si drejtues i pushtetit lokal, shpreh shqetësimin për mungesën e kujdesit dhe vigjilencës në plazhet e pamenaxhuara, të cilat nuk administrohen as nga subjektet private dhe as nga Bashkia. Në hapësira të tilla, kujdesi prindëror ndaj fëmijëve, si dhe vëmendja e familjarëve dhe shoqërisë ndaj personave që nuk dinë not, duhet të jetë maksimal në çdo moment.

Plazhet e menaxhuara janë të pajisura me sinjalistikën përkatëse, zona të identifikuara qartë për pushuesit dhe infrastrukturën e nevojshme për sigurinë e tyre.

Siguria në plazh është një përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon ndërgjegjësim, kujdes dhe bashkëpunim nga të gjithë.