Sot, familjarë, të afërm dhe fqinj përcollën në banesën e fundit, nënë e bir, Rrahime dhe Luka Hazisllari. Vajza e vogël 6-vjeçare po lufton për jetën në pediatrinë e Tiranës. Vogelushja qe i mbijetoi tragjedisë kishte festuar ditelindjen të shtunën, një dite para zjarrit fatal në banesë. I ati e uronte plot dashuri në rrjetet sociale.
***
Mesditën e së dielës, në familjen e varfër, Hazisllari, ra zjarr në kuzhinën e banesës. Brenda ndodheshin Rrahime Hazisllari, 38- vjeçe, dhe dy fëmijët e saj me spektrin e autizmit, Luka 13 vjeç, dhe motra e tij 6 vjeçe. Kur zjarrfikësja mbërriti aty rreth orës 13:30 nuk gjeti flakë por vetëm tym e blozë.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se zjarri ka qenë aksidental. Soba e druve ishte ndezur në kuzhinë dhe në dysheme gjendej një dyshek sfungjeri. Po në dysheme u gjeten dhe disa fije shkrepese, ndaj nuk dihet me saktesi se si mori flakë dysheku e me pas orenditë.
“Ne u njoftuam nga salla operative në orën 13:00, data 19 tetor. Shkuam shpejt por nuk gjetëm flakë në banesë, vetëm tym. Për momentin ekzistojnë dy pista hetimi: Soba e ndezur në kuzhinë dhe disa fije shkrepse të ndezura poshtë në dysheme. Nuk mund të themi ende shkakun përfundimtar”, tha shefi i zjarrfikëses së Maliqit.
Nga dëshmitë e deritanishme dhe provat në vendngjarje, mendohet se nëna tentoi të shuajë flakët. Ajo arriti të nxirrte vajzën e vogël në oborr përmes dritares. U rikthye për të marrë djalin por nuk ia doli! Fqinjët, të alarmuar nga të qarat e vajzës, hapën me forcë portën e jashtme të baneses, e cila ishte mbyllur me çelës. Vajzën 6-vjeçe, që kishte festuar ditëlindjen ditën e shtunë, e gjetën me plage të shumta në fytyrë e trup. Ndërsa, 38-vjeçarja me djalin 13-vjeç u gjetën në korridorin e banesës, afër derës së kuzhinës, të asfikësuar nga tymi.
Xhemile Kapri, fqinja që ndihmoi vajzën e vogel, tregon mes dhimbjes: "Dola të hidhja plehrat dhe pashë çupkën që qante në oborr. Ishte e djegur, e mbuluam me një kuvertë. Djali ishte i shtrirë barkas, me krahët hapur. Nuk e dinim që nëna ishte brenda por e gjeti policia dhe zjarrfikësja”, u shpreh ajo.
Shefi i zjarrfikëses, Sadik Halili thotë më tej se djali fillimisht u gjet me shenja jete dhe u dërgua në spital, por nuk mundi të mbijetojë, ndërsa nëna u gjet e pajetë sepse ishte asfikësuar nga tymi.
"Kur mbërritëm, djali ishte i pavetëdijshëm, vajza e vetëdijshme, ndërsa nënën e gjetëm të pajetë tek dera e kuzhinës, tha ai.
Familja Hazisllari me dy fëmijë me spektrin e autizmit e përballonte jetesën me vështirësi të shumta ekonomike e sociale. Nëna kujdesej për ta, ndërsa babai punonte në ndërtim. Shërbimi social bën të ditur se djali i ndjerë trajtohej me KEMP dhe pagesë kujdestarie, në vlerën e 26 mijë lekëve në muaj ndërsa vajza e vogël përfitonte vetëm paketa ushqimore dhe sanitare.
Mjekët thanë se gjendja e 6-vjecares është mjaft e rëndë, me djegie në 45 per qind të trupit. Ajo mbahet e intubuar ne reanimacionin e pediatrisë së QSUT, në Tiranë. Ministria e Shëndetësisë theksoi se per momentin është e pamundur të transportohet për mjekim jashtë vendit.
Komente









