Menaxherët francezë të lokalit “Le Constellation” në Crans Montana, ku humbën jetën 40 persona si pasojë e zjarrit tragjik të rënë natën e vitit të ri, janë vënë nën hetim nga prokuroria e kantonit Valais.
Ata dyshohen për vrasje nga pakujdesia, shkaktim dëmesh trupore nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga pakujdesia
Zjarri la të vdekur 40 persona ndërsa 119 të tjerë u plagosën. Policia ka konfirmuar se deri më tani janë identifikuar 113 të plagosur, mes tyre 71 zviceranë, 14 francezë dhe 11 italianë.
Trupat e parë të identifikuar ishin dy gra zvicerane, 21 dhe 16 vjeçe, si dhe dy djem zviceranë, 18 dhe 16 vjeç, të cilët iu dorëzuan familjeve të tyre. Mes viktimave dhe të zhdukurve ka shumë adoleshentë, pasi lokali njihej si një vend që frekuentohej kryesisht nga të rinjtë, në një zonë ku mosha ligjore për konsumimin e alkoolit është 16 vjeç.
Sipas hetimeve paraprake, shkaku i mundshëm i zjarrit ka qenë përdorimi i fishekzjarrëve të vegjël në shishet e shampanjës, të cilat dyshohet se janë afruar shumë pranë tavanit të lokalit.
Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, e ka cilësuar ngjarjen si “një nga tragjeditë më të rënda” që ka përjetuar vendi.
Ndërkohë, jashtë lokalit janë vendosur lule dhe mesazhe ngushëllimi. Familjet janë drejtuar drejt një qendre konferencash pranë Crans-Montana, ku po marrin ndihmën e duhur edhe nga përfaqësues të Mbrojtjes Civile italiane dhe ambasadori i Italisë në Zvicër, Gian Lorenzo Cornado.
Ky i fundit ka bërë të ditur se procesi i identifikimit pritet të përfundojë deri të dielën pasdite, duke shpjeguar se vonesat lidhen me djegiet e rënda që kanë pësuar shumë nga viktimat.







