Zvicra njoftoi më 25 shkurt se do të bëjë dëmshpërblejë me 50 mijë franga të mbijetuarit dhe familjet e viktimave të zjarrit në resortin e skive në Crans Montana që ra në natën e ndërrimit të viteve.

“Kontributi i solidaritetit” synon të ofrojë mbështetje të shpejtë financiare për viktimat dhe të shërbejë si një gjest dhembshurie, tha Këshilli Federal i Zvicrës.

Në parim, pagesa do të zbatohet për çdo person që humbi jetën, si dhe për çdo person që u shtrua në spital, thuhet në deklaratë.

“Guy Parmelin ndan me viktimat dhe familjet e tyre dëshirën për të vërtetën dhe drejtësinë”, tha presidenti zviceran në një konferencë për shtyp. “Edhe ne duam të dimë çfarë ndodhi, pse ndodhi dhe si mund të ishte parandaluar.”

Dëshmitarët dhe prokurorët thanë se zjarri duket se ishte shkaktuar nga përdorimi i fishekzjarrëve, të cilët ndezën materialin izolues prej shkume në tavanin e bodrumit të barit.

Në total, qeveria federale do të ndajë 7.8 milionë franga për 156 persona të lënduar rëndë nga zjarri, tha ministri i Drejtësisë Beat Jans në konferencën për shtyp.

Kjo shumë, sipas tij, do të plotësojë ndihmën e ofruar nga kantoni i Valais, ku ndodhet Crans-Montana, i cili ka premtuar 10 milionë franga për një fondacion në mbështetje të viktimave.

Autoritetet zvicerane thanë se 115 persona u plagosën nga zjarri. Shumica e atyre që humbën jetën ishin adoleshentë dhe shumë nga viktimat ishin të huaj, përfshirë disa nga Franca dhe Italia.

Këshilli Federal njoftoi gjithashtu se do të thërrasë një për të ndihmuar viktimat, sigurimet dhe autoritetet të arrijnë marrëveshje jashtë gjykate, duke shmangur proceset e gjata ligjore. Këshilli synon të kontribuojë deri në 20 milionë franga për marrëveshje të tilla.

Gjithashtu Këshilli tha se shpreson që parlamenti ta përshpejtojë miratimin e legjislacionit të hartuar për të ndihmuar viktimat.

Qeveria gjithashtu synon të ndihmojë me 8.5 milionë franga kantonet e prekura që të mbulojnë kostot e jashtëzakonshme.

Këto masa u ndërmorën pas një analize nga Zyra Federale e Drejtësisë, e cila konstatoi boshllëqe në sistemet ekzistuese të mbështetjes, që janë kryesisht të projektuara për raste individuale dhe hasin vështirësi përballë fatkeqësive në shkallë të gjerë.