Sot, zhytësit finlandezë u zhytën sërish për të nxjerrë në sipërfaqe trupat e Giorgia Sommacal dhe të studiueses Muriel Oddenino, dy italianët e fundit të ngecur në shpellën nënujore në Maldive. Një ditë më parë, ata nxorën trupat e profesoreshës Monica Montefalcone dhe të studiuesit Federico Gualtieri. Trupi i instruktorit Gianluca Benedetti u gjet ditën e parë.
Për të realizuar operacionin, tre zhytësit shpalosën një litar të gjatë udhëzues të lidhur me një bovë që më pas e hodhën në thellësi. Më pas, me ndihmën e skuterëve nënujorë, ata arritën në 47 metra thellësi dhe fiksuan një pjesë të litarit në hyrje të shpellës, pastaj hynë brenda. Pikërisht duke ndjekur “fillin e Ariadnës”, zhytësit finlandezë, duke i transportuar një nga një, i shtynë trupat drejt daljes: në 30 metra i priste një ekip i marinës maldiviane që i mori.
Në 10 metra, një grup tjetër, për të përfunduar zinxhirin e operacionit, mundësoi që trupat të futeshin në qeset mortore dhe më pas i nxori në sipërfaqe deri te varka. Ndërkohë, tre specialistët kryen procedurat e ndalesave dhe dekompresionit, e më pas dolën në sipërfaqe.
Pas operacionit, po shtohen dyshimet lidhur me pajisjet me të cilat u gjetën zhytësit italianë. Në fakt, bëhet fjalë kryesisht për pajisje të përshtatshme për zhytje rekreative, pra me një konfigurim që nuk duket specifik për shpella të thella. Disa nga zhytësit kishin bombola prej 12 litrash dhe, sipas informacioneve të para, duket se të gjithë përdornin “ajrin” klasik dhe jo përzierje të posaçme për zhytje në 60 metra thellësi, si trimix-i (oksigjen, azot, helium).
Burime në Maldive, shkruajnë mediat italiane, raportojnë se profesoresha Monica Montefalcone është gjetur pa kostumin e plotë zhytjes, por me një version më të shkurtër, zakonisht më i përshtatshëm për zhytje të shkurtra rekreative. Megjithatë, duhet thënë se aktualisht ujërat e Maldiveve janë të ngrohta dhe, nëse ky detaj i përhapur nga Maldivet konfirmohet, mund të ketë qenë thjesht një zgjedhje e pedagoges për të preferuar përdorimin e kostumit të shkurtër për shkak të temperaturave.
Janë rikuperuar GoPro-t dhe kompjuterët e zhytjes që kishin me vete, tani pamjet do të shërbejnë për të sqaruar dinamikën e ngjarjes.
Prokuroria e Romës po heton për vrasje nga pakujdesia. Prokurorët e Piazzale Clodio do të urdhërojnë autopsitë mbi trupat sapo ato të kthehen në Itali. Hetuesit do të marrin në pyetje edhe pasagjerët që ndodheshin në bordin e anijes safari “Duke of York”.
Komente










