Pas incidentit në minierën e Fushë Lopës ku humbën jetën 2 persona në Martanesh, Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka marrë edhe masat ndaj kompanisë shfytëzuese të kësaj miniere duke ndaluar aktivitetin e punës.Nga raporti i RISHM bëhet e ditur se pas veprimeve inspektuese në vendin e ngjarjes, është konstatuar se aksidenti ka ardhur si pasojë e moszbatimit dhe shkeljes së Rregullores së Teknikës së Sigurimit Teknik.

Pas raportimit nga ana e Repartit të Inspektim Shpëtim Minierave, MEI  vendosi nisjen e procedurave për heqjen e lejes minerare për subjektin “ALBA-CO” që shfrytëzon minierën ku ndodhi ngjarja.

Objekti minerar ku ka ndodhur aksidenti është i përfshirë në lejen minerare nr. 548 dt.06.04.2000 që shfrytezohet nga subjekti “ALBA - CO”shpk me zotërues të lejes ixhinier miniere Shemsi Ballabani, i cili njëkohësisht kryente dhe detyrën e drejtuesit teknik  të subjektit.

Gjithashtu Ministria e Energjisë dhe Industrisë bën me dije se në zbatim të ligjit dhe programit të miratuar për vitin 2014 të inspektimeve të subjekteve minerare, nga ana e RISHM-t, subjekti “ALBA – CO”shpk ishte kontrolluar sëfundi nga inspektorët më 24 mars të këtij viti dhe për të metat e konstatuara janë lënë detyra specifike dhe masë administrative me gjobë 100.000 Lekë.
 

Mbas këqyrjes së vendit të ngjarjes, grupi i inspektorëve të RISHM-it konstaton se: 
Mbas zbrazjes së grykës së traversës nga materiali,  Xhemal Sela dhe ndihmësi Donald Baci, kanë hyrë dhe janë ekspozuar në brendësi të hapësirës së shfrytëzuar, me qëllim për të vrojtuar për rrëzimin e mineralit. Në këto momente, nga tavani i hapësirës janë shkëputur dy blloqe masivi shkëmbor ultrabazik me përmasa të mëdha, duke i goditur dhe shkaktuar vdekje të menjëhershme të dy punëtorëve.
 
Nga këqyrja e dokumentacionit në subjekt u konstatua se: 
Ka urdhëra pune të lëna në vazhdimësi nga drejtuesi teknik i subjektit. Urdhëri punës i lënë në objekt më datë 19/08/2014, nuk ka të specifikuar proceset e punës që do të kryhen në këtë front për prodhimin e mineralit, si dhe rrugët e lëvizjes së punëtorëve.
 

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)