TIRANE - Zemra e foshnjës nuk është ndalur së rrahuri edhe për 10- 15 minuta minuta të tjera nga momenti kur është përplasur me betonin e ftohtë të tarracës së Qendrës së Kujdesit të nënës dhe fëmijës ku e hodhi i ati. Në kushtet e një tronditje të rëndë psikologjike, (siç e deklaron policia) i ati, Hysen Biba, 29 vjeç kishte marrë foshnje nga krevati i vogël dhe e kishte flakur nga dritarja e dhomës nr. 5 të maternitetit Koço Gliozheni.

Lindita Biba ishte në prang të daljes nga materniteti. Kishte lindur të premten me operacion çezarian për arsye të shëndetit të bebes, dhe po përgatitej të dilte nga materniteti. Për të ndarë gëzimin e ardhjes në jetë të një foshjeje në maternitet kishte ardhur dhe gjyshja. Ndërsa mbrëmjen e djeshme kishte shkuar dhe i ati i vogëlushit. Rrëfimi i nëndrejtorit të maternitetit për Agron Alikaj për minutat e mëvonshme është shokuese:

“Rreth orës 21:00, i ati hyri në dhomën e nënës. I kërkoi gruas të mbajë fëmijën në duar, e  përkundi pak dhe më pas e hodhi nga dritarja. Foshnja ka rënë në një pjesë të tarracës. I gjithë personeli që punonte u terrorizua. Fëmija u mor dhe u vendos në pediatri ku u asistua nga mjekja e rojes. Iu nënshtrua frymëmarrjes artificiale. Megjithëse kishte fraktura të panumërat në trup dhe hermoragji të brendashme në bark e në kokë, fëmija jetoi dhe për pak minuta. Më pas brenda 10-15 minutave vdiq”.

Frakturat ishin të tilla, sa ishte i pamundur transportimi i të porsalindurit në një spital tjetër për mjekimin e specializuar.

Alikaj sqaron se gjëndja e nënës është relativisht e rënduar. Ajo është mbajtur më qetësues gjatë natës, ndërsa sot është pak më mirë. “E kemi vendosur në një dhomë, larg asaj ku ndodhi krimi, për ta mbajtur më të qenë dhe për të qenë më e sigurtë” - shton Alikaj në një prononcim për A1 Report.  

BIBA NE BURG
Gjatë gjithë orëve të natës Hysen Biba është mbajtur në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe është marrë në pyetje nga prokurori i gatshëm i Prokurorisë së Tiranës. Gazetari i Shqiptarja.com, Habjon Hasani informon se 29 vjeçari ka pranuar vrasjen por ka shfaqur shenjat e një destabiliteti të lartë mendorë. Prokurorët e kanë pasur të pamundur të mësojnë nga ai motivin e vrasjes pasi tronditja dhe sjellja e autorit ka qenë e një personi që shfaqte shenjat e destabilitetit të lartë mendor dhe deponimet nuk mund të merreshin për bazë.

(sg/shqiptarja.com)