Vrasja javën e kaluar në Gjilan, tronditi gjithë qytetarët e Anamoravës, dhe u prit si lajm rrëqethës në gjithë Kosovën. Jo vetëm që në këtë tragjedi mbetën të vdekur dy vëllezër e dy të tjerë morën plagë, por si ngjarje edhe një herë shpërfaqi pakujdesinë institucionale për të parandaluar tragjedinë.

Në popull thonë se “kur të thyhet biga e qerres gjenden shumë rrugë”, por e vërteta është se shteti i të drejtës po dështon si shpesh për t’i zgjidhur kontestet pronësore që po konvertohen në varre. Edhe në rastin e fundit në Gjilan, që u bë shkaktare një rrugicë apo kioskë, problemi siç e përshkruan njerëzit e afërt me familjarët, ka qenë i trashëguar jo me muaj, por me vite.

Dhe në këtë mesele asnjë zyrtar i shtetit, as nga komuna e as nga policia e drejtësia nuk kanë ndërhyrë për të gjetur një mes. E kur të ndodhë një tragjedi, kur shuhen njerëzit, atëherë kërkohet zanafilla e problemit dhe del se “jazi i mullirit e ka bazën në lumë”. Pra problemi është edhe i komunës e cila nuk ka ndërhyrë me organet e saj për të zgjidhur çështjen pronësore dhe juridike të pronës ku ka ndodhur konflikti.

Nuk është vetëm rasti i Gjilanit, por ka iks raste të tjera që familjet jetojnë të mbyllura nëpër shtëpi, për shkak të problemeve që nuk ka arritur t’i zgjidhë drejtësia, ndërsa i kanë zgjidhur me metodën e “Kaimit dhe Abelit”.

Që këto tragjedi të mos përsëriten, kërkohet angazhim më i madh, më intensiv i organeve të drejtësisë.

E para që duhet të jetë me vigjilente, me efikase, me funksionale dhe më e pavarur duhet të jetë Policia e Kosovës. Nga uniformat blu kërkohet që të intervenojnë në momentin e parë kur marrin thirrje nga palët, ose edhe kur dikush e denoncon dikë për çështje të ndryshme.

Nëse ngjarjet anashkalohen, ose “lihen për pastaj”, që shumë shpesh ndodh në polici, atëherë ky intervenim mund të jetë i padobishëm, sepse aktet e tragjedisë mund të zhvillohen deri në fund. Policia duhet ta eliminojë shkakun e incidentit, jo të ekzaminojë pasojën.

Është e palogjikshme të mendohet se policia duhet të jetë në secilin rast, por në raste të veçanta, kur e keqja shtresohen ditë për ditë, atëherë është e nevojshme prezenca e shpejtë e policisë.

Ashtu si gjyqësia që duhet të ndajë drejtësinë, për të mos lënë hapësirë të dyanshme interpretimi. Mirëpo, më shumë se policia në rastet e veçanta ka faj drejtësia, e cila ecën sikur zvarranik, duke mos qenë në gjendje, siç thotë populli, “as macen ta nxjerr nga përsheshi”.

Për këtë arsyeje sistemi i drejtësisë ka qenë më i kritikuari nga institucionet ndërkombëtare, ndërsa për çdo viti në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, drejtësia merr nota të dobëta për neglizhencë dhe korrupsion.

Shumëkush ia ka parë të madhe kryeministrit Hashim Thaçi që ka ndërmjetësuar në rastin Geci- Syla, duke e akuzuar atë si njeri arkaik që i shkelë parimet e drejtësisë institucionale. Por, kur të ndodhin tragjeditë e tillë, atëherë ndërhyrja e tij mund të merret si vendim i drejtë, sepse më mirë se kushdo tjetër, kryeministri e di se drejtësia nuk ka “prapanicë” për t’i zgjidhur problemet e vjetra, prandaj ndërhyjnë burrat.

Sistemi i drejtësisë që ekziston sot, nuk e ka as 10 për qind angazhimin që ka pasur para 100 vjetëve Islihati i burrave. Prandaj është për keqardhje që me gjithë këta alamet juristë, gjykatës e prokurorë, sistemi i drejtësisë funksionon më keq sa para një shekulli. Rasti i Gjilanit është vetëm një shembull, sepse raste të tilla ka plot: në Llap, Drenicë e Dukagjin. Si gjithandej në këtë vend, ku shteti i neglizhon problemet deri në tragjedi.

Marrë nga "Zëri"