Ditmar Bicaj nuk është më trajner i Lushnjës. Pas rezultateve zhgënjyese të javëve të fundit në Kategorinë e Parë dhe problematikave të vazhdueshme brenda klubit myzeqar, palët kanë vendosur të ndajnë rrugët.

Vendimi ka ardhur pas humbjes ndaj Kastriotit në fundjavë. Bicaj, i cili mori drejtimin e skuadrës më 30 shtator duke zëvendësuar Erion Xhafën, zhvilloi një takim me kryetaren e Bashkisë së Lushnjës dhe njëkohësisht presidente e klubit, Eriselda Sefa. Nga ky takim nuk u arrit një dakordësi për zgjidhjen e problemeve ekzistuese, duke çuar në përfundimin e bashkëpunimit.

Nën drejtimin e Bicajt, Lushnja zhvilloi 10 ndeshje në Kategorinë e Parë, duke u renditur në vendin e 10, një pozicion larg objektivave dhe pritshmërive të klubit. Deri më tani, drejtuesit nuk kanë bërë të ditur emrin e trajnerit që do të marrë drejtimin e skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit.