Trajtim financiar për 1500
të burgosur pa dokumentacion

Trajtim financiar për 1500<br />të burgosur pa dokumentacion
TIRANE - 1500 të burgosur dhe të paraburgosur pritet të fitojnë një trajtim shtetëror, pas miratimit të një ligji të ri në favor të tyre.

Detajet mbi këto kategori nuk bëhen me dije, por shifra dhe përfitimi konfirmohen nga një procesverbal i Konferencës së Kryetarëve, i datës 13 tetor, ku kryetari i grupit socialist, Gramoz Ruçi kërkon futjen në kalendar të një projektligji që do të zgjidhë ngërçin e 1500 personave që nuk kanë marrë trajtim për mungesë dokumentacioni.

Bëhet fjalë për një trajtim financiar apo trajtim në skemën e vuajtjes së dënimit? Konferenca e Kryetarëve nuk jep detaje, por ngelet për tu parë në axhendë.

Gjatë kësaj mbledhjeje ka edhe debate mes Edmond Spahos dhe Gramoz Ruçit për funksionimin e komisioneve hetimore të opozitës. Në vijim, procesverbali i plotë.

Debatet në mbledhje:
Valentina Leskaj – Fillojmë Konferencën e Kryetarëve ku në rend të ditës kemi projektprogramin dhe projektkalendarin 3-javor të punimeve të Kuvendit.

Gramoz Ruçi –Do të doja që të përfshihet në kalendar ligji “Për dëmshpërblimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve”. Është një kërkesë prej 1500 të dënuarve, të cilët nuk kanë marrë asnjë lloj trajtimi për arsye të mungesës së dokumentacionit. Këtu kam një projektligj që bën disa ndryshime për t’u futur në afat. Do të kërkoja që kjo të futej në kalendar dhe këtë ligj e kanë dhe Komisioni i Sigurisë dhe Çështjet Sociale, të cilët janë prezent në këtë Konferencë. Thelbi është ky, që janë 1500 veta që nuk kanë paraqitur dokumentacionin.

Edi Paloka – Arsyeja se përse ne kërkojmë referendum nuk lidhet thjesht me ligjin që kaloi në Parlament. Zhvillimi i referendumit për këtë çështje do të thotë që i jep të drejtë vetë qytetarit të vendosë, prandaj nuk ka lidhje thjesht me këtë ligj. Referendumi është për t’ia kaluar qytetarëve dhe nuk ka lidhje as me dekretin e Presidentit.

Spartak Braho – Nuk është ashtu ligji zoti Paloka. Referendumi bëhet për një çështje të veçantë. Kisha dhe një vërejtje për pikën 19 për ligjin “Për Policinë e Shtetit” komisioni përgjegjës, Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi, çfarë është kjo punë kështu?

Mimoza Pano – Projektligji i propozuar trajton krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe meqë kjo ka qenë objekt i punës së komisionit të posaçëm, po në mbledhje të Konferencës së Kryetarëve ju vetë keni vendosur që ky projektligj t’i kalojë Komisionit të Posaçëm të  Reformës në Drejtësi, si komision përgjegjës. Dhe tashmë ai është konceptuar si ligj më vete. Nga ana jonë do t’i kërkohet zyrtarisht Këshillit të Ministrave që ta tërheqë këtë projektligj.

Edi Paloka – Po për propozimin e ligjit që kërkova unë për referendumin?

Gramoz Ruçi – Nuk jemi dakord, do ndjekë rrugën e zakonshme. Nuk e kalojmë me konsensus në Konferencë dhe do të shprehet seanca, dihet ajo punë.

Valentina Leskaj – Atëherë meqenëse nuk u ra dakord për kalendarin, vazhdojmë me dy kërkesat e tjera. Janë dy kërkesa, njëra e Kryetarit të Komisionit Hetimor për çështjen e CEZ-it, zotit Spaho për shtyrjen e afatit edhe një kërkesë që është e Kryetarit të Komisionit Hetimor zotit Balla për shtyrjen e afatit të komisionit, që lidhet përsëri me OSSH dhe CEZ.

Mimoza Pano – Komisioni i drejtuar nga zoti Spaho ka kërkuar 3-muaj shtyrje afati.

Edmond Spaho – Unë fillimisht unë kërkova 1-muaj. Më pas reflektova, duke parë dhe ecurinë e komisionit dhe kërkova 2-muaj, por nuk e gjetëm gjuhën. Tani kemi filluar duke pyetur dëshmitarët dhe vë re se do të zgjasë shumë, ndaj kërkova që të zgjatej 3-muaj. Duke qenë se do të ketë procedura që do të zgjasin dhe do kërkojnë dokumentacione të tjera .

Gramoz Ruçi – Nuk keni bërë kërkesën për zëvendësimin e nënkryetarit të komisionit, për këtë arsye nuk është zhvilluar komisioni. Prandaj propozoni njeriun që të funksionojë komisioni, pasi kjo është arsyeja. Kërkoni çfarë të doni, vetëm kërkoni sipas rregullave. Komision pa kuorumin e caktuar nuk ka. Kryetari i komisionit e cakton datën, programin dhe kalendarin e komisionit në bashkëpunim me kryesinë e komisionit, dakord.

Edmond Spaho – Kam sot një vendim komisioni me shkrim që të mblidhet ditën e hënë ora 17.00 dhe më kanë thënë që të shtyj komisionin edhe një javë se do të ikim. Ju jeni i pa informuar, përse duhet ta shtyj unë komisionin? Ti ke edhe 5 anëtarë të tjerë, të vijnë në komision dhe të fillojmë normalisht.

Unë nuk i mbledh në komision pa kuorum sepse i di rregullat, por ju nuk doni që komisioni të bëhet. Ndaj kam filluar që t’i lutem që tani se kur do mblidhemi për seancën tjetër, se duhet t’i marr dorën këtij zotërisë për të mbledhur komisionin! Jo more, por nuk bëhet kështu! Po të jetë për kështu më mirë anulloje fare.

Gramoz Ruçi – Ja ku është Kryesia e Parlamentit, ulu këtu e më kërko.

Edmond Spaho – Unë jam përpjekur që ta zgjidh në rrugë shoqërore dhe me mirëkuptim, por vetëm po më saboton që të mos bëj komision.

Edi Paloka – Gramoz, kjo nuk është hera e parë që ndodh me komisionet, por edhe të bësh të pa diturin nuk është normale!

Valentina Leskaj – Le t’i marrim me radhë. Për kërkesën e zotit Spaho dhe zotit Balla për shtyrjen e afateve të komisioneve hetimore, miratohet me 3-muaj zgjatje afati për të dy komisionet. 
(er.nu/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi