Trajtim ndryshe për bregdetin

Rrugës dytësore Durrës Plepa - Golem mund të shohësh rëndom njerëz që, me çelësa në duar, mundohen t’u ofrojnë makinave që kalojnë dhoma apo shtëpi me qira në plazh, pasi një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë mbetur bosh në kulmin e sezonit turistik dhe të frekuentimit të plazhit. Nuk mund që të mos të kujtohen kohët e viteve ‘80, kur që në janar mendonim dhe përpiqeshim për të gjetur qoftë edhe një kabinë dërrase në plazh për të kaluar vetëm 14 ditë pushime.

Gjatë këtyre viteve, ndoshta të nxitura edhe nga dëshirat e munguara, janë ndërtuar anembanë zonës bregdetare me qindra mijë objekte të reja pa asnjë lloj kriteri, të cilat siç duket këtë vit kanë ofruar më shumë se kërkesat reale për to. Po të bëjmë një llogari të thjeshtë, maksimumi i kërkesës shqiptare për të pushuar në bregdet 15-30 ditë në verë janë rreth 1.5 milion shqiptarë në Shqipëri dhe pothuajse po kaq shqiptarë nga emigracioni, Kosova, apo Maqedonia perëndimore, pra gjithsej 3 milionë. Ky numër nuk ka tendencë të rritet, por të ulet pasi shqiptarët me nivel ekonomik të mesëm dhe të lartë do të kenë tendencë për të vizituar vende të tjera jashtë Shqipërisë të favorizuar nga heqja e vizave, ndërsa shqiptarët nga Kosova gjatë dy viteve të fundit po e braktisin masivisht bregdetin e Durrësit, ku ndodhen strukturat më të mëdha strehuese, për të shkuar në zona të tjera të Shqipërisë edhe nga përvojat negative të mungesës se ujit dhe papastërtive në plazh.

Ç’të bëjmë me gjithë këtë infrastukturë ndërtimore të ngritur dhe me investimet shumë miliardëshe në euro të shqiptarëve gjatë këtyre viteve? Pse duhet të vazhdohet të ndërtohen pallate shumëkatëshe, me destinacion kryesor turizmin veror, brenda qyteteve si Durrës, Vlorë, Sarandë? Kush po e administron “de facto” bregdetin dhe plazhet shqiptare?

Qeveria qendrore dhe pushteti lokal gjatë më shumë se 20 vitesh nuk kanë kontrolluar dhe jo më mirëadministruar territorin. Dëmet janë tashmë reale dhe të pakthyeshme. Miliona euro investime mund të konsiderohen të humbura; impakti ambiental dhe infrastrukturor nuk mund të zhbëhet dhe çdo ndërhyrje rregulluese do të kete kosto të madhe.
Të konstatosh dhe kritikosh ndoshta është më e lehta dhe ndoshta nga retorika dhe përbaltja politike, rrezikon që të mos dëgjohesh, prandaj duke qenë në botën e biznesit dhe jashtë politikës mund të sugjeroj:

Ndarja e zonës bregdetare të Shqipërisë (brezi i plazhit) në ndoshta 3 zona nën kontrollin dhe administrimin e centralizuar të Qeverisë Qendrore: Grykderdhje e Bunës -  Laguna e Patokut, Kepi i Rodonit – Plazhi i Semanit dhe Laguna e Nartës – Butrint.

Problematika e bregdetit në lidhje me kthimin e pronave, lejet e ndërtimit apo ndërtimet pa leje, pastrimi i plazhit dhe përpunimi i ujërave të zeza, ujit të pijshëm, rehabilitimi urban, por edhe për disa standarte të domosdoshme europiane, nuk mund të realizohen nga komunat. Gjithashtu edhe për bashkitë e mëdha duhet asistencë teknike shumë e kualifikuar.                                                 

Vija e bregdetit sot administrohet nga “të fortit lokal” me bekimin e pushtetit vendor, të cilët nuk kanë as kapacitetit shqiptar më minimal  intelektual dhe administrativ. Nuk kam dijeni për të paktën 1 faturë fiskale të lëshuar për çadrat e diellit dhe shezllonet nga Buna e deri në Butrint. Situata shkon deri aty ku cënohet jeta e pushuesve nga përdorimi i armëve të zjarrit.

Centralizimi, që propozoj, mund të kundërshtohet nga kompetencat vendore, por ka dhe përcaktime ligjore të kodit civil mbi pronën, fakti që pronësia e brezit ranor nuk ka qenë kurrë pronë private e regjistruar dhe shteti figuron pronar i saj, por edhe nga fakti që pronarët e ndërtimeve, në pjesën më të madhe, nuk janë banorë të regjistruar të komunave përkatëse dhe nuk marrin pjesë në zgjedhjen e kryetarit të komunës.

Po kështu, një pjesë e madhe e trashëgimnisë sonë arkeologjike, kulturore dhe natyrore është sot nën administrimin dhe shkatërrimin e fshatarëve, që nuk ia dinë as vlerën dhe historinë. Të gjithë e kuptojmë se kjo gjendje është e patolerueshme, në mos kriminale. Për sa më sipër mendoj se duhet të tejkalohet koncepti i ruajtjes së pasurisë kulturore, arkeologjike apo natyrore, por të mendohet për ekspozicion sa më të mirë të këtyre pasurive të trashëguara duke u shoqëruar me investime të konsiderueshme në funksion dhe shërbim të vetëm për to. Po të marrim psh shembullin e Gjermanisë, monumenti i betejës së kombeve në Leipzig ndaj Napolonit  është 91m i lartë dhe peshon 300 000 ton mermer, ndërsa ai i Arminius (Hermann), një gjysëm romak në kohën e Augustit, është e krahasueshme me statujën e lirisë në SHBA,  ndërkohë që në Shqipëri nuk kemi tabelat e duhura dhe jo më ndonjë monument i ndërtuar për të rivlerësuar një ngjarje apo monumente arkeologjike dhe kulturore ekzistuese.

Investime në këto fusha nuk janë me logjikën e buxhetit, por duhen parë si ndërhyrje të domosmoshme rehabilituese që po e realizohen siç duhet, do të jenë me fizibilitet te lartë.

Nga ana tjetër, pavarësisht ndalimit të skafeve brenda vendit, Shqipëria është pjesë e rëndësishme e itinerareve turistike të jahteve private por dhe më shumë. Ēshtë prioritare ndërtimi i infrastrukturës shërbyese (pa hyrë në idenë e porteve të jahteve) për furnizim me karburat, ujë të pijshëm apo dhe disa materiale të tjera standarte të domosdoshme, që do t’i përfshijnë brigjet shqiptare në harten e udhëtimeve te preferuara Kroaci – Greqi.

Mendoj se shteti shqiptar, ne bashkëpunim me biznesin, duhet të mendojë për itinerare turistike me anije për brigjet shqiptare psh Sarandë-Vlorë, Vlorë-Sazan, Vlorë Durrës, Shëngjin-Grykderdhje e Bunës,  ose në të ardhmen në bashkëpunim me Malin e Zi edhe Shëngjin-Ulqin, Buna dhe liqeni i Shkodrës.
Një fushë e parrahur është edhe peshkimi sportiv dhe zhytja.

Gjithkush mund të mendojë se paketa turistike me target turizmin cilësor janë të thjeshta dhe se ndonjë është edhe realizuar. Po unë mendoj ndryshe. Për të mbërritur nje kroçere psh në Durrës duhet të kesh të pakten 4-5 alternativa 4-8 orëshe ku gjithshka të jetë planifikuar deri në hollësitë më të vogla duke filluar nga qarkullimi, vizitat e organizuara, numri  i duhur i banjove me ujë të rrjedhshëm, shërbime ndaj invalidëve etj. Nuk janë të veshtira për tu realizuar, por kërkojnë seriozitet dhe çertifikim të standarteve.
Në vlerësimet turistike të agjensive ndërkombëtare, kohët e fundit, nuk është në modë vlerësimi i detit apo yjeve  të hoteleve, por përshtypjet e pushuesve. Kjo nuk është gjë tjetër veçse raporti  ndërmjet pritshmërise sipas marketingut dhe realitetit. Këtu nuk bën pjesë vetëm strukturat pritëse dhe natyra ,por edhe mirëpritja, argëtimi, tërheqja nga e panjohura, kostoja financiare, ushqimi, siguria, infrakstruktura dhe shërbimet etj.

Fatmirësisht kemi ç’të ofrojmë; nuk kemi arritur ende se si ta shesim në mënyrën e duhur.

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.04.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Aksident në aksin Librazhd- Prrenjas, trajleri del nga rruga, s'ka të lënduar

Aksident në aksin Librazhd- Prrenjas, trajleri del nga rruga, s'ka të lënduar