Transformim i qeverisjes elektronike, E-Albania në ngarkim të AKTI-t, krijohet DgTech, 49% e aksioneve tek privati

Transformim i qeverisjes elektronike, E-Albania në ngarkim të AKTI-t, krijohet DgTech, 49% e aksioneve tek privati

Një projektligj mbi qeverisjen elektronike parashikon një transformimin e një sërë aspekteve të lidhura me marrjen e shërbimeve publike apo private duke sjellë në fokus logjikën e “një dere” të vetme.

Kështu në nenin 5 të projektligjit thuhet se ofrimi i shërbimeve të qeverisjes elektronike në territorin e Republikës së Shqipërisë nga autoritetet publike dhe subjektet private, sipas këtij ligji, udhëhiqet nga parimi i sigurisë, ligjshmërisë dhe parimi i mbrojtjes së interesit të publikut.

“Me qëllim lehtësimin e procedurave administrative për personat fizik e juridik, ofrimi i shërbimeve të qeverisjes elektronike bazohet në parimin e paraqitjes “vetëm një herë”, pranë autoriteteve publike dhe subjekteve private, të të njëjtit informacion në përfitimin e shërbimeve të qeverisjes elektronike “vetëm një herë”, për aq sa kjo është e realizueshme dhe e mundur teknikisht përmes ndërveprueshmërisë së sistemeve sipas përcaktimeve të këtij ligji” vijohet në nenin 6.

Në projektligj thuhet se platforma e-Albania është pika e vetme e kontaktit për ofrimin e shërbimeve elektronike online të institucioneve publike dhe subjekteve private. Ofrimi i shërbimeve nga të gjitha institucionet do të bëhet vetëm elektronikisht.

Autoriteti përgjegjës për qeverisjen elektronike dhe risitë që parashikon ky projektligj i nxjerrë prej disa ditësh në konsultim është Agjencia Kombëtare e Teknologjisë së Informacionit, në vijim AKTI.

“AKTI është institucioni përgjegjës për infrastrukturën qendrore të shërbimeve të qeverisjes elektronike dhe ofrimin e shërbimeve elektronike të përqendruara, si dhe për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike në zbatim të këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi për shërbimet publike” thuhet në nenin 15.

Krijimi i Dg Tech dhe aksionerët publikë dhe privatë

Risia kryesore në këtë draft duket se është krijimi i një tjetër kompanie e cila do të jetë nën varësinë e AKTI-t e emërtuar si “Dg Tech”.

“AKTI i delegon ofrimin e shërbimeve publike Shoqërisë “DgTech” sh.a, në zbatim të ligjit nr.90/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore”, dhe Kodit të Procedurave Administrative në Republikën e Shqipërisë. Shoqëria “DgTech” sh.a monitorohet dhe mbikëqyret nga AKTI” thuhet në draft.

Teksa në projektligjin për qeverisjen elektronike numëron disa dhjetëra detyra të Agjencisë, sa i takon Dg Tech thuhet saktësisht në nenin 32 se ajo është shoqëri aksionare, për ofrimin e shërbimeve në fushën e Teknologjisë dhe Informacionit ndaj personave fizike dhe juridike, autoriteteve publike dhe subjekteve private.

“Subjektet private që ushtrojnë aktivitet në fushën e teknologjisë së informacionit mund të zotërojnë aksione por jo më shumë së 49 (dyzetë e nëntë) % të numrit total të aksioneve. Shoqëria “DgTech” sh.a themelohet, organizohet dhe funksionon si shoqëri aksionare në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 9901/2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, i ndryshuar” thuhet në të njëjtin nen i cili përcakton statutin.

Por cili është misioni i kompanisë së re? Kjo e fundit sipas projektligjit ofron për autoritetet publike, autoritete e pavarura dhe subjektet private, shërbimet sipas katalogut të miratuar më Vendim të Këshillit të Mbikëqyrjes Po kështu shërbimet e ofruara në pikat e shërbimit me një ndalesë duhet të jenë sipas rregullave të përcaktuara me udhëzim të Drejtorit të Përgjithshëm të AKTI-t. Organet drejtuese të “DgTech” sh.a janë Këshilli Mbikëqyrës dhe Administratori./Monitor

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD: Balluku shfaqje nëpër fasoneri, euro në pikiatë

PD: Balluku shfaqje nëpër fasoneri, euro në pikiatë