Pasojë e dhunës dhe terrorit psikologjik në 18 muaj në paraburgim e quajti Sali Berisha transformimin fizik të aleatit të tij politik, Ilir Metës, siç u pa në pak minuta transmetim live, në seancën e parë gjyqësore të 27 prillit.
"E patë Ilir Metën në kafaz? Ndaj Ilir Metës, është ushtruar dhunë dhe terror psikologjik periodik, madje edhe fizik. Janë organizuar provokacione ndër më të ulëtat dhe më të rrezikshme. I janë dhunuar të drejtat kushtetuese më elementare", tha Sali Berisha.
Jo vetëm jashtë kafazit së qelqtë, por Sali Berisha mbështet kërkesën që të gjitha seancat të bëhen tërësisht publike dhe në sytë e medias, si standard i çdo vendi të lirë.
"Mendoj dhe kam bindjen më të thellë se çdo seancë, përjashto ato që kanë sekrete të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit, duhet të jenë publike. Kjo është një normë për çdo vend të lirë. Kur një seancë bëhet e mbyllur, bëhet për qëllime të sekretit shtetëror dhe asgjë tjetër s’mund të mbahet fshehur nga mediat dhe publiku", vijoi Berisha.
Gjendja e ish presidentit u kthye në vëmendje edhe të deputetëve demokratë. Klevis Balliu, në cilësinë e deputetit të Kuvendit shkoi ta vizitonte, por nuk u lejua.
Edhe një ankimim i Ilir Metës në Apelin e Posaçëm për zëvendësimin e masës së sigurisë, u shty pasi gjykata konstatoi parregullsi në njoftimin e palëve.
Sa për zgjedhjet brenda PD, Berisha tha se po vijon analiza brenda të gjitha degëve dhe po votohet për kryetarët, diçka që duket se s’vlen për atë vetë pasi deri më tani nuk ka asnjë kandidaturë përballë tij për kreun e partisë.
“Analiza e PD po bëhet në të gjitha degët, në disa prej tyre është proces në vazhdim, por gjithçka po zhvillohet në përputhje me rregullore dhe statutin. Ajo që ka rëndësi shumë është se në këtë parti po votohet dhe po zgjidhen kryetarët e degëve me vullnetin e lirë të anëtarëve të PD, në një kohë kur partia e krimit që në vitin 2009 nuk ka njeri që mund të thotë se ka hedhur një votë të vetme. Në tërësi kjo analizë do të përfundojë”, tha Berisha.
Komente










