Trashëgimia kulturore, Arben Prrenjasi dhe koleksioni i rrallë i mjeteve motorrike

Trashëgimia kulturore, Arben Prrenjasi dhe koleksioni i rrallë i mjeteve motorrike

Arben Përrenjasi

Vite më parë, kur ndodhte të përmendej termi “Koleksionist”, gjithkujt qytetari, të ardhur kryesisht nga familjet me prejardhje ose gjendje që i përkisnin shtresave të mesme të popullsisë, do i ndërmendeshin filatelistët, mbledhësit e pullave postare. Vetëm kaq! Këta kishin mbetur “gjallë”, por dhe ata ndodheshin në frymën e fundit. Erdhën vitet ‘90, me hapësira të reja dhe liri të shpenguara, ku pasioni derdhej pa pengesa. Sa shumë forca e talente u shfaqën! Lindën koleksionistët numizmatë, mbledhësit e monedhave e kartmonedhave, lindën faleristët, mbledhësit e dekoratave e të stemave. Të qenurit një kohë relativisht të gjatë si Kryetar i Shoqatës së Koleksionistëve, më dha mundësira të shihja, prekja e shijoja koleksione të gjithëfarllojshme: të kostumeve kombëtare në shekuj, të etiketave të birrave, të cigareve, të shisheve e artikujve të qelqit dhe natyrisht, rrjedhë kjo e mbërritjes të një niveli tjetër të gjëndjes pasurore, të koleksionimit të pikturave.

Habitesh kur shikon se sa shumë ndikon në shpirtin e njeriut, grumbullimi, shijimi, shpesh edhe studimi i objekteve që koleksionon. Llojshmëria e koleksioneve sa përmenda më sipër, janë në madhësi aq sa mund të përfshihen brenda disa sirtarëve në etazhera ose shumë-shumë, brënda hapësirës së një dhome. Kur ndodhi, që në këto ditë të gjendesha para koleksionit të Arben Prrenjasit, s’më mbeti përpos se të mbetem i hutuar para përmasave dhe vlerave të asaj pasurie të trashëgimisë kulturore që mbartëte. Do duhej mbase një fushë futbolli.

Kultura e koleksionimit me natyrë muzeore, si veprim i individëve tashmë përbën një risi që kapërxen çdo përfytyrim. Ka një historik lakmues Shqipëria jonë me nisma të guximshme që kanë çuar trashëgiminë e fondeve në nivel muzeor. Koleksionet etnografike të mjekes së njohur Linda Spahiu, koleksionet e xhubletave të shkrimtares Luljeta Dano, Koleksioni i flamurëve kombëtarë të Artan Lame, koleksioni i shumëllojshëm në Shijak i të pasionuarit Lulim Perati, koleksioni në Korçë i prodhimeve të qelqit dhe i 820 lodrave për fëmijë të kohërave të shkuara, të ngritura nga Mirgen Shamblli, janë disa prej tyre. Kam parë syresh që kaplimi prej pasionit u ka ngarkuar barra fizike e financiare. I kanë pranuar me kënaqësi. Dhe duhet thënë se nuk janë të paktë ndër ne koleksionistët, ata që e lëshojnë veten si fëmijë në prehërin e kënaqësisë së objektit që ka gjetur. Është njerëzore, mos u orvat me kot të gjesh shpjegime!? Por, këtu ndër ne, në përgjithësi ca dukuri si këto i shohin ndryshe. Por, këtu ndër ne, në përgjithësi ca dukuri si këto i shohin ndryshe. Ndoshta këto që shkruaj duken paradoksale, sidomos kur parasysh na del mosbesimi i përgjithshëm i njerëzve që u rrinë larg dhe nuk i kuptojnë këto veprime që shoqërojnë shtresa të veçanta sociale.

Bëhet fjalë për një fond mjetesh e artikujsh të koleksionuar të një natyre krejt të veçantë, i përvetshëm në llojin e tij në Shqipëri, i vetmi që njoh e që s’di të ketë të dytë në vendin tonë. Pasioni i z. Prrenjasi ja ka bërë të mundur të mbledhë (për një pjesë, edhe t’i riparojë) biçikleta e motoçikleta mbi një shekullore që kanë qarkulluar në Shqipëri, automjete të transportit dy e katër tonëshe, kokore dhe helmeta të përdoruesve të mjeteve motorike, uniforma dhe motorra të policisë rrugore, autozjarrfikse e paisjet e tyre, mbetje të makinerisë së luftës të nazizmit gjerman në Shqipëri, paisje të kamuflazhit të përdorura nga sigurimi i shtetit, e të tjera, e të tjera.

Sapo e pashë muzeun, m’u mbush mëndja t’i hedh në letër mbresat, jo aq për të bërë të njohur mëndjemprehtësinë e fisnikërinë e mbledhësit dhe ekspozuesit, por sepse lipsen të bëhen të njohura edhe për shoqërinë, për atë shtresë të saj që parreshtur tërhiqet nga objektet e trashëgimisë, nga kultura që i kemi lënë pas, të zëvendësuara, por të mbetura me gjurmë të thella në kujtesë. Se, e di mirë, që këta lloj njerëzish, me ndihmesë të pamatë në rrugëtimin tonë kulturor, të heshtur, fjalëpak e kokëulur, mund të mos jenë promotorë çështjesh, por janë nismëtarë të guximshëm dhe ekzekutues të përsosur. I tillë është Arben Prrenjasi.

Në vëndet e industrializuara të Europës dhe Amerikës, prodhuesit e kanë patur traditë (të paktën nga vitet që pasuan Luftën e Dytë Botërore) ruajtjen e mostrave të prodhuara, ngritjen dhe funksionimin e ekspozimit të tyre. Gjithësesi, s’do të thotë se gjithçka u shkoi fjollë. Di raste kur muzeume prodhuesish të mëdhenj janë vënë në ndjekje të gjetjes të ndonjë mostre që s’u ndodhej në fondin e koleksionuar. Sa i përket Shqipërisë, në këtë fushë gjendja ka qenë dhe vazhdon të mbetet e mjerë. Edhe atje ku ishin, u shkatërruan. Nga muzeumet lokale, përveç atij të etnografisë që ka Rrësheni, s’di të ketë ngelur tjetër të vijë prej asaj kohe që lamë pas. Aq më pak, të mblidhje e ruaje mjete që vetëm sa ishin përdorur në vend, do ishte një utopi. Nuk di se çka në brendinë e vet muzeu Ford ose ai mitiku Smithsonian, muze tipike këto, sepse i përkasin një vendi që nuk është dëmtuar nga luftërat? Ja, psh., e ka muzeu Ford diskun prej druri të Fordit të parë të vitit 1900? Është plotësisht e besueshme ta ketë, sepse janë muzeume të popujve të iluminuar, por që të ndodhet një disk i tillë në fondin e muzeut Prrenjasi, kjo mund të habisë këdo!? E njëjta ndjesi të përshkon kur sheh diskun prej druri të biçikletës së parë, pa komardare. Si e qysh kanë ngelur ato në Shqipëri, janë pjesë të historisë të rrugës që përshkoi koleksioni, që vetëm z. Arben mund t’i shpjegojë e ku çdo njëra prej objekteve të çon në rrëfime e vënde që s’ta kap truri!?

Le ta fillojmë me seksionin e biçikletave dhe motobiçkletave. Janë në koleksion 5 copë të stërvjetra dhe 7 copë të tipit me motorr. Spikat mes të tjerash Bianchi italian i vitit 1940, shumë i njohur nga biçiklistët tanë. Përdoruesi i mjetit paisej në vitet ’50 me leje përdorimi, një kopje e të cilës ruhej si objekt ilustrimi. Biçikletat me motorr, Acylon francez i vitit 1923, Mosquito i vitit 1948 apo Sparta hollandez i vitit 1952, janë ca relike shumë të rralla. Për kënaqësinë e lexuesit shtoj se Shqipëria, për çudinë e çdo kujt, renditet fill pas Francës për organizimin e rretheve çiklistike në Europë. E para etapë, Shkodër-Tiranë, u organizua në vitin 1926. Nisma u përket pedaluesve shkodranë, këtij qyteti të mirënjohur për përdorimin e dyrrotakëve. Spanja dhe Gjermania vijnë pas nesh në organizimin e rretheve të tyre kombëtare. Ne morëm pjesë në garimet e famëshme të etapave Varshavë-Berlin-Pragë të vitit 1952, e quajtur "e paqes". Pirro Angjeli, Gani Lacej apo Fadil Murriqi ishin pjesëmarrës e biçiklistë të famshëm. Në vitin 1955, në këtë garim dy javor, Pirro Angjeli doli mes qindra çiklistëve, i 18-ti. Po në këtë vit Bilal Agalliu merrte pjesë për herë të parë. Ja ku janë tipet e biçikletave që kanë përdorur. Ato ndodhen të sistemuara, të vendosura e të rrethuara me dashurinë e koleksionistit. Një disk biçiklete prej druri mban datëlindjen 1903. Fiuuu...e pabesueshme!

Kalojmë pak më tej, vëndi ku fillon sesioni i motoçikletave. Janë të renditura sipas viteve 30 copë e vijnë të prodhuara nga shtatë shtete. Pa drojë duhet thënë se pothuaj ndodhen atje gjithë tipat e mjeteve që kanë hyrë në vendin tonë. Spikat motoçikleta Guzzi, legjendarja italiane. Është e vitit 1934 - më shpjegon Beni. Ja një motoçikletë e ushtrisë gjermane, një tjetër është BMW e vitit 1960! Më tej: tërë tipet e motoçikletave që importoheshin prej prodhuesve të lindjes, që rëndom i quanim, “Të kampit Socialist”, Çekosllovakisë e Gjermanisë demokratike, ku vendin qendror e zënë 9 copë JAWA të viteve 1948-1987; 4 copë MZ që renditen nga viti 1956; IFA e vitit 1952 e më tej të tjera kineze e hungareze. Një qoshkë u përket motoçikletave të policisë rrugore, të sistemuara me kulturë, efekt e përkormëri, sëbashku me uniformat, kaskat e mjetet e tjera ndihmëse të këtij shërbimi. Dhe si qershi mbi tortë, Vespa e pararendësja e saj. Komode, luksoze, edhe tani, ashtu e stërpërdorur nga viti 1981, rrezëllon të fismen, atë që ndikoi jo pak në revolucionarizmin e jetës gjinore dhe emancipimin e shoqërisë.

Vendosura në një radhë, njëra pas tjetrës, janë automjetet e transportit, Zis i vitit 1968, zjarrfikse e vitit 1970, Gaz 51 sovjetik i vitit 1956, gas 51 kinez i vitit 1970, Gas 69 sovjetik i vitit 1955, Zuk polak i vitit 1970, Skoda Saurel çekosllovak i vitit 1978, Fiat 125 i vitit 1978, Aro rumune e vitit 1981, BÇ kineze e vitit 1970. Emra këta që tingëllojnë të afërt për brezin tim, ndodhen atje, rreth 15 copë. Por ka edhe nga ato që nuk kanë qenë të familjarizuara për ne, si Wolksvagen Beatle e Gjermanisë Perëndimore e vitit 1969 apo Mercedes Benz 113, i vitit 1972, Limousine e vitit 1976, etj. Nuk duhet lënë pa përmendur edhe prania e një traktori me zinxhirë, DT 54, prodhim i vitit 1970. Të heshtura, të vendosura me pekul e merak si pjesë e rendësishme e strukturës së koleksionit, e ansamblit të mjeteve, ato në shumicë janë ende në gjendje pune. Harmonia mes tyre ishte motivi, domethënja që Arbeni kish arritur t’u jepte objekteve. Tek biçikletat, motoçikletat dhe automjetet shihet më së miri evolucioni, ndryshimi në rritje drejt të më rendimentes, më të përsosurës.

Pak fjalë mbi njeriun që e ka krijuar këtë koleksion dhe si ja mundur ta organizoj! Arben Prrenjasi, me profesion oficer policie, ish drejtues i rangut të lartë në këtë institucion dhe pedagog, ka patur një karierë e veprimtari policore plot përkushtim, për të cilën Presidenti i Republikës e ka dekoruar me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”. Pas daljes në rezervë punoi në detyra të ndryshme të administratës së mesme shtetërore e më pas me veprimtari private në biznes. Sportist skiator e motoçiklist, është nga ata njerëz që kur e bëjnë të tyren një ide, i shkojnë deri në fund. Natyra të tilla si kjo e Arbenit janë të aftë t’i shpalosin gjithë ç’kanë si aftësi, e tregojnë veten si njerëz të veprimit. Objektet që ka koleksionuar nuk është se shiten në pazar, pra: merr lekë me vete dhe shkon i blen. Sikur të ishte kaq e thjeshtë? Përkundrazi, ato duhet t’i gjesh, ato duhet t’i kërkosh, t’i nuhasësh, të biesh në gjurmë, t’i ndjekësh deri kur në fund të kesh mundur ta bësh tënden. Gjithsecila prej tyre fsheh një histori dhe mjerisht (lexuesi na mirëkupton) që përmes pak faqe gazetë s’mundesh t’i shpalosësh.

Gjeratorja e hobit të koleksionimit është e njohur për ne, se si është e zonja të të kapërthej në vorbullën e saj. E pyes Arbenin: si ka ndodhur, si ja keni bërë të mundur? Ky më tregoi, se si njëherë e një kohë zbuloi, që dëshira për koleksionimin e gjërave të vjetra flinte fshehur brënda tij. E filloi me kartmonedha, pije të ndryshme dhe armë të vjetra, por pa qenë i qartë nëse po i shërbenin për ndonjë koleksion. Gjithçka u profilua në drejtimin që ekziston sot, kur së bashku me mikun e tij M.Halili, bashkuan dëshirat dhe filluan kërkimet, udhëtimet, takimet me njerëz dhe...koleksioni rritej, merrte formë. Nuk rreshtnin sa informacionet aq dhe rendja pas tyre. Sqimën për të arritur më të përsosurën në këtë fushë e kam të njohur të vjetër, ndaj i kutoj ç’kanë hequr. Kam parë dhe ç’ndikim kanë patur mbi kërkimin e pasosur, për ndërtimin e një koleksioni.

Me vështirësi mund t’i gjesh objektet, por synimi ishte që ato të bëheshin aktive, të viheshin në gjendje pune. Dhe këtu del e merr vlerat një tjetër personazh me ndihmesë të jashtëzakonshme për ripërtëritjen e mjeteve të koleksionit. Ai është Medi Halili, mekanik, motorrist, xhenerik, elektricist, elektroauto. I rritur mes motorrash dhe automjetesh, i pandarë asnjëherë nga pasioni për guidimin e motorrave JAWA, është personi që në bashkëpunim të ngushtë me Arbenin, ju dha jetë mjeteve dhe automjeteve, duke kryer riparimin e rigjenerimin e tyre.

E përgëzova Arbenin! E mënjanoi përgëzimin me një buzeshje dashamirëse, si të donte të theksonte që puna në këtë mes ishte arti i koleksionimit e jo gjë tjetër. Dhe natyrisht, në prag të ndarjes nga koleksioni flasim mbi të ardhmen. Arbeni projekton muzeun e Koleksionit Ron, emri i djalit të tij, dhe ëndërron të ndajë kënaqësinë e tij me të tjerët, ta bëjë të vizitueshëm.  Dal nga hapësirat e këtij muzeu me përulësi për atë që e krijoi dhe me një ndijim dehës, si të isha bërë pjesë e këtij koleksioni. Nga qoshka fundore e këtij “Muzeu”, ndërsa dalim, na ndjek në distancë transmetimi në bardh e zi, mbase i të vetmit aparat TV Iliria, që është funksional.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion