‘Trazira’ në Ballkan, si po përplasen kroatët dhe serbët për emrin e një aeroporti

‘Trazira’ në Ballkan, si po përplasen kroatët dhe serbët për emrin e një aeroporti

Riemërtimi i aeroportit të Dubrovnikut ka ndezur një grindje të re etnike midis kroatëve dhe serbëve, këtë herë për prejardhjen e një prej bijve më të shquar të qytetit të lashtë port.

Pas një riemërtimi këtë muaj, fluturimet për në qytetin e rrethuar me mure të Adriatikut tani zbarkojnë në aeroportin Ruđer Bošković, të emërtuar në nder të një astronomi e një matematikani të shekullit të 18-të.

I njohur gjithashtu si Ruggiero Giuseppe Boscovich për italianët, ai përshkroi një ligj të vetëm që rregullon forcat natyrore, një pararendës i teorisë atomike dhe vërtetoi mungesën e një atmosfere në Hënë.

Dubrovniku njihej si Raguza kur Boshkoviçi lindi në republikën vetëqeverisëse në vitin 1711. Nëna e tij ishte italiane dhe ai u nis për në Romë në moshën 14-vjeçare për të ndjekur arsimin dhe më pas karrierën e tij.

Por është identiteti dhe prejardhja e babait të tij që tani vihet në pikëpyetje, çka edhe kësaj radhe dëshmon se atribuimi i vendeve për njerëzit është “si të ecësh në gjemba” Ballkan, ku identiteti mund të jetë sa fluid, ashtu edhe shumë emocional. Në përgjithësi, zgjedhjet dhe përkatësitë fetare të bëra shekuj më parë janë ngurtësuar në identitet etnik: katolikët në kroatë, të krishterët ortodoksë në serbë dhe myslimanët boshnjakë në boshnjakë.

Nikola Bošković ishte një tregtar raguzan nga fshati Orahov Do, në malet që shtrihen mbi Dubrovnik. Ai fshat tani shtrihet në gjysmën e Bosnjës të drejtuar nga serbët e ‘Republika Srpska’. Udhëheqësit separatistë të këtij entiteti duan të ndërtojnë aeroportin e tyre në Trebinje, jo larg nga Orahov Do, dhe duan t’i vënë emrin edhe Ruđer Bošković. Argumenti i tyre është se Nikolla Boshkoviq dhe klani i tij kanë qenë serbë përpara se të konvertoheshin në katolicizëm.

Studiuesit serbë argumentojnë se konvertimi i Nikollës ishte thjesht transaksional dhe u bë në mënyrë që ai të mund të martohej me një familje katolike në Raguzë ose të vazhdonte karrierën e tij, dhe për këtë arsye nuk ndryshoi identitetin thelbësor serb të familjes.

Ish-presidenti serb Boris Tadiq e përshkroi Boshkoviqin si një “katolik serb”.

Danilo Kovaç, një historian në Universitetin Sapienza të Romës, tha: “Kur shqyrtohet çështja e origjinës etnike të Boshkoviçit, është thelbësore të pranohet se koncepti i identiteteve kombëtare kishte kuptime të ndryshme gjatë kohës së paraardhësve të tij.”

Duke iu referuar veprave të studiuesve serbë dhe malazezë që argumentojnë se familja në thelb ishte serbe, ai shtoi: “Të dhënat historike vërtetojnë pa dyshim se Nikolla vizitoi dhe përshkroi kishat dhe manastiret ortodokse serbe në Kosovë”.

Ivan Maslać, drejtori komercial i aeroportit të Dubrovnikut, i hodhi poshtë pretendimet e tilla.

“Emërtimi i aeroportit është puna jonë dhe sigurisht që nuk do të pyesim askënd për këtë”, tha ai, sipas gazetës Slobodna Bosna.

“Sigurisht që Ruđer Bošković nuk është serb”, thekson ai.

Domagoj Vidović, një gjuhëtar në Institutin e Gjuhës dhe Gjuhësisë Kroate, i cili bëri një studim për Orahov Do, tha: “Xhaxhai i Ruđer Bošković-it ishte një prift katolik, Don Ilija Bošković. Deri në fillim të shekullit të 20-të, në Orahov Do nuk jetonte asnjë i krishterë ortodoks. Origjina katolike e Boshkoviqit daton më shumë se 400 vjet. Për këtë ka dëshmi në raportet, regjistrat dhe regjistrimet dioqeziane.”

Përplasja për personazhet e famshëm të të kaluarës nuk është asgjë e re. Në vitin 2006, Serbia e quajti aeroportin e Beogradit sipas Nikola Teslës, shpikësit legjendar të inxhinierisë elektrike. Tesla ishte një serb etnik i lindur në fshatin Smiljan, i cili ishte atëherë, në mesin e shekullit të 19-të, në kufirin ushtarak të perandorisë austro-hungareze, dhe atë që sot është Kroacia.

Edhe pse ai mezi shkeli në Serbinë e sotme, Beogradi pretendon se Tesla është e tija. Hiri i tij ndodhet në një muze të Beogradit dhe kisha ortodokse serbe ka bërë fushatë për t’i zhvendosur në një katedrale, pavarësisht pikëpamjes së tij të shkëputur për fenë. Serbia u ankua me hidhërim kur Kroacia vendosi fytyrën e shpikësit në monedhat e saj 50, 20 dhe 10 cent kur u bashkua me eurozonën në fillim të vitit.

Banka Kombëtare e Serbisë i tha Agence France-Presse se duke bërë këtë, Zagrebi “po uzurponte trashëgiminë kulturore dhe shkencore të popullit serb”.

“Jam po aq krenar për origjinën time serbe dhe atdheun tim kroat. Rrofshin të gjithë jugosllavët”, tha Tesla një herë.

Në Bosnje, çështja e Trebinjës ka një dimension tjetër, një përpjekje nga nacionalistët serbë të Bosnjës dhe udhëheqësi i tyre separatist, Milorad Dodik, për të përforcuar autonominë e Republikës Srpska. Projekti deri më tani është bllokuar nga anëtarët kroatë dhe boshnjakë të presidencës së përbashkët boshnjake./ The Guardian

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë