Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh lider i Lëvizjes Vetëvendosje, ka ftuar për takim partitë politike, tre ditë para se të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së 11-ë të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka pranuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për takim. Burime për mediat e Kosovës bëjnë të ditur se Kurti dhe Abdixhiku do të takohen nesër në orën 18:00 në ambientet e Kuvendit.
Ndërkohë njësoj si në ftesën dërguar në fillim të korrikut, Aleanca e udhëhequr nga Ardian Gjini, ka refuzuar takimin me Kurtin. Në ftesën dërguar Gjinit, Kurti i kërkon atij takim për nesër apo të mërkurën pasdite.
“I nderuar z. Ardian Gjini, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Uroj që kjo letër t’ju gjejë mirë. Meqë për ditën e enjte, më 6 gusht, e kemi seancën për konstituimin e Kuvendit të legjislaturës së 11-të, ju ftoj për takim në Kryeministri, për të biseduar për rrugën përpara, në formatin 1+1, pra ju si kryetar dhe një bashkëpunëtor i juaji, nesër, të martën, në ora 18:00 ose 19:00, apo të mërkurën pasdite në 14:00, 15:00, 16:00 ose 17:00. Me shpresë në përgjigje pozitive, ju përshëndes. Sinqerisht, Albin Kurti”, thuhet në letrën e Kurtit.
Partia e Gjinit, në letrën-përgjigjen që i ka dërguar Kurtit, ka kujtuar se kjo parti veçse ka vendosur gjashtë kushte në këmbim të votës për krijimin e institucioneve, duke shtuar se nuk është e interesuar që të bëhet pjesë e Qeverisë së re të Kosovës.
“Aleanca nuk sheh fare arsye që të takohemi në këtë format”, thuhet në letrën që Gjini i ka kthyer Kurtit më 3 gusht.
Ftesë për të marrë pjesë në takim Albin Kurti i kishte dërguar edhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Por edhe Hamza e ka refuzuar ftesën e Kurtit, duke argumentuar se PDK do të vijojë të qëndrojë në opozitë.
“I nderuar Kryeministër në detyrë, z. Albin Kurti, Ju falënderoj për ftesën për takim. Duke iu referuar takimit tonë të datës 10 korrik 2026 dhe qëndrimit publik të PDK-së, ju rikonfirmoj se, në rrethanat aktuale, qëndrimi ynë është që të vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë”, shkroi Hamza në përgjigjen e tij.









Komente
Komento