Në mjediset e Shtabit të Përgjithshëm u zhvillua ceremonia e gradimit të tre gjeneralëve të rinj të Forcave të Armatosura.
Grada madhore “Gjeneral Brigade”, me dekret të presidentit të Republikës Bajram Begaj, iu akordua kolonelëve Razije Mehmeti, Fatmir Neziraj dhe Edmond Voci, në vlerësim të kontributit të tyre në drejtimin dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura.
Në ceremoni morën pjesë ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, si dhe drejtues të tjerë të lartë ushtarakë dhe civilë.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu u shpreh se niveleve drejtuese të Forcave të Armatosura u shtohen tre gjeneralë të rinj, të cilët përfaqësojnë tre rrugëtime të veçanta në forcë dhe tre profesionistë të dedikuar ndaj uniformës dhe Atdheut.
Ai u uroi suksese në këtë përgjegjësi të re, duke theksuar se me përkushtimin e tyre do t’i shtojnë vlera forcës dhe do të shërbejnë si shembull frymëzimi për ushtarakët e rinj.
Gradimi i tre gjeneralëve konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve drejtuese të Forcave të Armatosura dhe në vijimin e procesit të modernizimit të tyre.
Komente








