Serbia liron 3 policët e Kosovës! Kurti: Rrëmbimi duhet ndëshkuar! Vuçiç bisedon me Blinken: Kërkova lirimin e serbëve të arrestuar! BE: Të zhvillohen zgjedhjet

KOSOVË-  Tre zyrtarët policorë të Kosovës, të cilët u liruan nga autoritetet e Serbisë, hynë në Kosovë përmes vendkalimit kufitar në Merdare rreth orës 13:45 minuta të 26 qershorit.

Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi u pritën nga kolegët e tyre në pikën kufitare në Merdarë dhe më pas të shoqëruar nga makinat e policisë së Kosovës u nisën drejt Prishtinë.

Të rrëmbyer nga forcat serbe prej 14 qershorit ata u liruan paraditen e sotme (26 qershor 2023) me vendimin e Gjykatës së Kralevës, e cila nuk shuajti akuzat për prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, por vendosi që ata të hetohen në liri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shprehu gëzim për lirimin por tha se "agresioni serb duhet të mbahet përgjegjës" pasi rrëmbimi është shkelje e të drejtave të njeriut. Nga ana tjetër presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, zhvilloi një bisedë telefonike me sekretarin e shtetit Antony Blinken, bisedë në të cilën i ka kërkuar lirimin e serbëve të arrestuar në veri të Kosovës.

Ndërkohë përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell konfirmoi pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së gatishmërinë e vendeve të BE-së për të ndërmarrë masa të reja të mëtejshme, nëse nuk ka përparim në drejtim të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës, veçanërisht sa i përket organizimit të zgjedhjeve të reja në katër komunat në këtë zonë.

Edhe kreu i qeverisë, Edi Rama ka përshëndetur lajmin për lirimin e 3 policëve. Ai ndodhet sot në Bruksel për të folur me Presidentin e KiE, Charles Michel për situatën në veri të Kosovës. Kryeministri bën thirrje që dy palët t’i rikthehen dialogut dhe të zbatohet plani franko-gjerman. Rama nënvizoi në një konferencë pak ditë më parë se e vetmja zgjidhje për krizën Kosovë-Serbi është plani franko-gjerman, asnjëherë i refuzuar nga të dyja palët.

Presidentja, Vjosa Osmani, falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë ngjarje. 

“Më lejoni të shpreh falënderimet për gjithë punën që ka bërë SHBA-ja për lirimin e tre policëve të Kosovës të cilët po mbaheshin të kidnapuar”, 

Edhe Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se përndjekja e policëve nga Serbia do të vazhdojë në liri. Ndërkohë Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban mori meritat për lirimin e tre policëve të Kosovës.

Rrëmbimi i tre policëve nxiti reagime të shumta si në Kosovë, ashtu edhe te bashkësia ndërkombëtare, e cila kërkoi vazhdimisht lirimin e tyre.

Qeveria e Kosovës tha se ata janë rrëmbyer në territorin e saj, por Serbia e mohuan duke thënë se policët kishin hyrë në territorin e tyre dhe i akuzoi se kishin kryer veprat penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:41
Tensionet Serbi-Kosovë/ Kurti bisedë telefonike me Blinken: E falenderova për ndihmën që SHBA na ka dhënë

1687500282_albinkurti.JPG

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën ka zhvilluar bisedë telefonike me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken. Siç bëhet me dije nga mediat në Kosovë, Kurti dhe Blinkeni folën për gjendjen në katër komunat veriore të Kosovës. Kurti ka thënë se për zgjedhjet e reja duhen paraprirë nga sundimi i ligjit.

“U fol për nevojën për zbatim të plotë, të sekuencuar drejt e pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit, si dhe për lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia në Leposaviq por pasi që atyre iu ngrit aktakuza e për çfarë Departamenti i Shtetit Amerikan i pari kërkoi lirim të menjëhershëm e pa kushte”

“Të dy u pajtuan që të mbeten në komunikim të rregullt e të dendur në funksion të paqes e sigurisë në Kosovë e drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në njoftim të Qeverisë.

Ora 19:24
Britania i kërkon Kosovës të shtensionojë situatën në veri

Sekretari i Jashtëm britanik, James Cleverly, tha se është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa për të shtensionuar situatën në veri.

Cleverly, gjatë një takimi me Kurtin në Londër më 26 qershor, tha se në mesin e hapave që duhet ekzekutivi kosovar të ndërmarrë janë: të sigurohet që kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës të mund të punojnë nga lokacione alternative, të tërhiqen njësitë speciale policore nga ndërtesat komunale dhe të ndërmerren hapa për zgjedhje të reja dhe gjithëpërfshirëse.

“Ia bëra të qartë kryeministrit Kurti se vazhdimi i tensioneve vë në rrezik të arriturat në Kosovë, që janë arritur gjatë viteve së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët ndërkombëtarë”, tha Cleverly pas takimit me Kurtin.

Sipas njoftimit të Qeverisë britanike, në takim zyrtari i lartë britanik ka theksuar se Kosova dhe Serbia janë përgjegjëse që të veprojnë tani për të shtensionuar situatën dhe për të shmangur çdo veprim të mëtejmë apo retorikë nxitëse.

Sekretari i Jashtëm britanik po ashtu mirëpriti lirimin e tre policëve të Kosovës, që po mbaheshin në paraburgim në Serbi, duke e cilësuar këtë si një hap pozitiv përpara.

Ora 18:30
Tensionet Serbi-Kosovë/ Borrell: BE-ja e gatshme për masa ndëshkuese ndaj palëve nëse nuk shtensionohet situata në veri

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, konfirmoi gatishmërinë e vendeve anëtare të bllokut evropian për të ndërmarrë masa të reja të mëtejshme, nëse nuk ka përparim në drejtim të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës, veçanërisht sa i përket organizimit të zgjedhjeve të reja në katër komunat në këtë zonë.

“Vetëm ato [shtete anëtare] mund ta bëjnë këtë gjë. Masat do të godasin aspektet politike dhe ekonomike të marrëdhënieve tona. Dhe si ta bëjmë atë? Ne po punojmë në mënyrë shumë të strukturuar dhe do të fillojmë të shikojmë se çfarë masash mund të merren në rast se përfundimisht nuk arrijmë një marrëveshje për shpalljen e zgjedhjeve”, tha Borrell pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së.

Në agjendën e këtij takimi ishte edhe Kosova dhe Serbia, pas rritjes së tensioneve muajve të fundit në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

BE tashmë po zbaton një seri masash ndaj Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit të vendit, Albin Kurti, për shkak të hezitimit të këtij të fundit të që përfillë kërkesat evropiane ku përshihen: largimi i njësive speciale të policisë nga objektet komunale, largimi i kryetarëve të komunave dhe që ata të kryejnë punën nga lokacione alternative dhe shpallja e zgjedhjeve të reja.

“Dhe që gjithçka të jetë në rregull, duhet të kemi zgjedhje. Jemi dakord që zgjedhjet duhet të bëhen. Ne ramë dakord që nuk mund të kemi përgjithmonë kryetar komunash në zyra që mbrohen nga trupat e NATO-s, që kanë fituar 2 ose 3 për qind të votave [në zgjedhjet lokale të 23 prillit]. Kjo nuk është një zgjidhje e qëndrueshme. Pra, nëse kjo nuk është e qëndrueshme, duhet të zëvendësohet me një zgjidhje tjetër. Dhe zgjidhja tjetër mund të vijë vetëm me mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Dhe këtë duhet të bëjnë të dyja palët: zgjedhje me pjesëmarrjen e serbëve, sepse përndryshe do të kemi të njëjtën situatë sikur sot”, nënvizoi Borrell.

Borrell la të kuptohet se ambasadorët e shteteve anëtare së shpejti do të fillojnë të diskutojnë për masat e reja në rast se nuk arrihet një marrëveshje për shpalljen e zgjedhjeve të reja. Zyrtari evropian porositi se këto masa janë të përkohshme dhe të kthyeshme.

Borrell ka raportuar para ministrave të Jashtëm të BE-së lidhje me takimin urgjent krize të cilin ai e organizoi më 22 qershor ne Bruksel me bartësit e dialogut nga Kosova dhe Serbia.

Ai pranoi se pala evropiane propozoi një "rrugë të balancuar për daljen nga kriza", por se takimi nuk prodhoi rezultate. Në emër të shteteve anëtare të BE-së, Borrell përshëndeti lirimin e tre policëve të Kosovës që po mbaheshin në paraburgim në Serbi. Bashkimi Evropian ka pritur se do të ketë ulje të tensioneve pas takimeve të fundit që Borrelli ka pasur me dy liderët në Bruksel, një javë më parë./ REL

Ora 14:59
Haradinaj: Lajm i mirë lirimi i tre policëve, por kjo s’nënkupton që kjo ngjarje të konsiderohet e mbyllur

1672322575_DSASADS.jpg

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar mbi lirimin e tre policëve kosovarë, që u rrëmbyen nga Serbia më 14 qershor në veri të vendit.

Përmes një postimi në facebook, Hardinaj tha se ky është një lajm i mirë për Kosovën dhe familjet e policëve, por sipas tij kjo ngjarje nuk konsiderohet e mbyllur me kaq.

Sipas tij as Vuçiç e as Kurti nuk mund të shpëtojnë nga përgjegjësia, për rrëmbimin dhe paraburgimin e policëve për më shumë se 10 ditë.

“Lirimi i tre policëve të Kosovës është lajm i mirë, para së gjithash për familjet e tyre por edhe për Kosovën, por kjo nuk nënkupton që kjo ngjarje mund të konsiderohet e mbyllur vetëm me lirimin e tyre. As Presidenti i Serbisë e as Kryeministri i Kosovës, nuk mund t’i ikin përgjegjësisë së tyre, e cila çoi në rrëmbimin e policëve dhe mbajtjen e tyre në paraburgim e pa asnjë faj për më shumë se dhjetë ditë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj tha gjithashtu se Policia e Kosovës nuk duhet të paguajë çmimin për veprimet e papërgjegjshme të politikave të regjimit në Serbi, apo të veprimeve të papërgjegjshme të qeverisë së Kosovës, e cila çoi në rrëmbimin e policëve të Kosovës dhe mbajtjen e tyre në paraburgim e pa asnjë faj, për më shumë se dhjetë ditë.

Ai shtoi se lirimi i tyre është bërë i mundur vetëm falë ndërhyrjes së diplomacisë amerikane.

“I gjithë falënderimi dhe mirënjohja ynë shkon për ta ShBA-në”, ka përfunduar ai.

Ora 13:51
Petkoviç: Vendimi për lirimin e policëve të Kosovës është gjyqësor, jo politik! Do të luftojmë për lirimin e të arrestuarve serb në Kosovë

1687604654_petarpetkovi.JPG

Petar Petkoviq, ka thënë sot se vendimi i Gjykatës së Lartë në Kraljevë për lirimin e 3 policëve të Kosovës është vendim gjyqësor dhe jo politik. Ai theksoi se Serbia do të luftojë për të gjithë serbët e arrestuar në Kosovë.

“Ne këtu kemi një vendim gjykate, pavarësisht nëse jemi të kënaqur apo jo, Serbia është shtet ligjor dhe këtu duhet të respektohen vendimet e gjykatave, për dallim nga Prishtina ku nuk ka gjykatë, nuk ka gjykatës, as prokurori, por të gjitha. Vendimet i marrin Kurti dhe Sveçlja, të cilët arrestojnë serbët me lista, paraqesin prova inekzistente dhe gjithçka që është në kundërshtim me qasjen që mbizotëron në Serbinë qendrore”, tha Petkoviç.

Ora 13:47
VIDEOLAJM/ Tre policët e liruar të Kosovës mbërrijnë në Merdare

1686750843_policeterrembyer.jpg

Kanë mbërritur në Kosovë tre policët që u liruan nga Gjykata e Kralevës në Serbi.

Ata janë pritur nga kolegët e tyre në pikën kufitare në Merdarë, njofton Klankosova.tv.

Ora 12:14
VIDEOLAJM/ Momenti kur 3 policët e Kosovës lirohen pas 12 ditësh të rrëmbyer nga Serbia

 Ky është momenti kur 3 policët e Kosovës janë liruar nga Gjykata e Serbisë. Ata kanë zbritur shkallët dhe kanë shtrënguar duart me avokatin e tyre. Videoja është siguruar nga Nacionale.

Ora 12:00
Tre policët do të kthehen sot në Kosovë, Xhelal Svelça: Serbia vazhdon me lojërat e saj, do t'i përndjekë në liri

1687528564_xhelalzvecla.jpg

Ministri  i Brendshëm i Kosovës Xhelal Svelça deklaroi se policët do të kthehen sot në Kosovë.

Ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë, përndjekja e tyre nga Serbia do të vazhdojë në liri, vijon më tej ai në një postim në facebook duke akuzuar Serbinë se po vazhdon lojërat e saj.

  “Serbia vazhdon me lojërat e saj.
Policët tanë sot kthehen në Republikën e Kosovës, në familjet e tyre e në radhët e Policisë së Kosovës. Për t’u bashkuar kështu me kolegët e tyre në misionin e përbashkët për rend e ligj, siguri e sovranitet në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë, përndjekja e tyre nga Serbia do të vazhdojë në liri. Konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Policët tanë kanë qenë në detyrë zyrtare, brenda territorit të Republikës dhe duke kryer detyrën e tyre në mbrojtje të integritetit, sovranitetit të vendit dhe luftim të kontrabandës. Ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për cënimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës" shkruan në një postim në facebook. 

Tre zyrtarët policorë të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, u liruan sot dhe do të hetohen në liri 

Ora 11:51
Lirimi i policëve të rrëmbyer nga Serbia, Osmani falënderon SHBA

1686727611_vjosaosmani.jpg

Presidentja, Vjosa Osmani, ka reaguar pas lirimit të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia. Për këtë ajo ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 “Më lejoni të shpreh falënderimet për gjithë punën që ka bërë SHBA-ja për lirimin e tre policëve të Kosovës të cilët po mbaheshin të kidnapuar”, ka thënë ajo.

Ora 11:39
Lirimi i 3 policëve të Kosovës, Orban merr meritat: Vlerësoj Vuçiçin për këtë vendim në këtë periudhë sfidash

1687264796_viktororban.JPG

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka reguar për lirimin e tre policëve të rrëmbyer të Kosovës. Ai shpreh vlerësimin e tij për Presidentin serb, Vuçiç për këtë vendim që morin ë këtë situatë me sfida serioze.

Pak ditë më parë Orban i kërkoi presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, që t’i lironte tre policët e Kosovës që ishin rrëmbyer nga njësitë speciale të Serbisë.

 

“Presidenti serb Aleksandar Vuçiç sapo më njoftoi se në përputhje me kërkesën e bërë në takimin tonë javën e kaluar, autoritetet serbe së shpejti do t'i lirojnë nga paraburgimi tre policët e Kosovës të arrestuar më parë. E vlerësojmë shumë hapin e Presidentit Vuçiç , të cilën ai e mori në një periudhë sfidash serioze dhe vendim i cili është një dëshmi e qartë e bashkëpunimit strategjik mes vendeve tona dhe e përkushtimit tonë të ndërsjellë për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit.”- shkruan Orban.

Ora 11:18
Lirimi i 3 policëve të Kosovës, Kurti: U gëzuam, por rrëmbimi është shkelje e të drejtave të njeriut! Serbia duhet të mbajë përgjegjësi

1687500282_albinkurti.JPG

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar lajmin e mirë për lirimin e 3 policëve të rrëmbyer të Kosovës. Megjithatë, Kurti thotë se Serbia do duhet të mbajë përgjegjësi për këtë shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut siç është rrëmbimi.

“Konfirmojmë se 3 policët e rrëmbyer janë liruar. Edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi.”- thotë Kurti.

Ora 11:04
FOTOLAJM/ U mbajtën peng 12 ditë, 3 policët e Kosovës dalin nga burgu i Serbisë

1687770302_3472531238041918277363772359533498063488582n.jpg

Në foton e publikuar nga biznesmeni Bexhet Pacolli janë 3 policët e Kosovës të cilët u liruan mëngjesin e kësaj të hëne nga Gjykata e Kralevës në Serbi.

"Policët janë zyrtarisht të lirë"- shkruan Pacolli.

Ora 10:25
Lirohen 3 policët e Kosovës të rrëmbyer nga Serbia, Behgjet Pacolli: Më në fund

1686750843_policeterrembyer.jpg

Behgjet Pacolli ka reaguar për lirimin e 3 policëve të Kosovës që u rrëmbyen nga forcat speciale serbe 12 ditë më parë

“Më në fund lirohen policët që u rrëmbyen në veri.”- shkruan Pacolli.

Ora 10:15
U rrëmbyen nga forcat speciale serbe para 12 ditësh, mediat e Kosovës: Lirohen 3 policët

1686902101_policeterrembyerkosoveserbi.jpg

Tre policët që u rrëmbyen në veri të Kosovës janë liruar sot, mëson Gazeta Express.

Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi, u rrëmbyen më 14 qershor brenda territorit të Kosovës.

G.MO/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arben: 26/06/2023 14:29

    Kosova nuk duhet te kenaqet me kaq! Serbia i liroi nga frika, jo se e kuptoi fajin e vet! Prandaj Kurti mire ben qe ruan agresivitetin, por qellimin nuk duhet ta braktise! Derisa serbet te kthehen ne Karpate, nga erdhen ne shekullin e gjashte, nuk do kete stabilitet ne rajon!

    Përgjigju
  • Kujdes: 26/06/2023 13:08

    Here tjeter 2 hane dreken, njeri ben roje me dyfek te mbyshur! Na felliqet! Edhe lini mustaqe, se thone dyfeku do mustaqe!.

    Përgjigju
  • Faik: 26/06/2023 10:28

    I liroi USA , DASH dhe NATO ! Shpresoj té MOS dal as Edi Rama dhe as Sali Krimi dhe as Likja i LesheLisé , pèr tè marr "LAVDE dhe MERITA" , sepse qè tè TRE janè ZERO ZERO ZERO ZERO ZERO me bisht né POLITIKAT e JASHTME !! POLITIKANÈT e SHQIPÈRISÈ janè vetèm pèr tju bèrè VARRIN SHQIPTARÉVE , nèpèrmjet KORRUPSIONIT KORRUPSIONIT KORRUPSIONIT , VJEDHJES sé SHTETIT , GRABITJES sè SHTETIT dhe PLAÇKITJES sè SHTETIT !!! RROFTÉ KOSOVA , RROFTÈ ALBIN KURTI RROFTÈ POPULLI i NDERSHÉM SHQIPTAR kudo né BOTÉ

    Përgjigju
    • Kistra: 26/06/2023 14:05

      Faik, po Tritan Shehu e Mimoza Kusari a mund t'a thone ndonje fjale?! Aman mos na privo nga kjo mundesi.

    • Or tej: 26/06/2023 11:22

      Me fjalibe e fundit e dhjeve fare sepse nuk ka te ndershem or teeeejjjjj

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Gjergj Luca i dedikon këngë Giorgia Melonit për Krishtlindje: Kur dolëm nga ferri, Italia na priti duar hapur

Gjergj Luca i dedikon këngë Giorgia Melonit për Krishtlindje: Kur dolëm nga ferri, Italia na priti duar hapur