Tre tituj të rinj 'Në Librari’: 'Letrat që nuk m’i dërgove kurrë të Irena Shabanit, 'Muri i heshtjes' i Gani Mehmetajt dhe 'Hënat e fundit' nga Furio Bordon

 Tre tituj të rinj vijnë për lexuesit në rubrikën ‘Në Librari’ në Report TV. 

Titulli: 'Muri i heshtjes'
Autori: Gani Mehmetaj
Botues: UET Press
Çmimi: 1400 lekë

Nëse shpirtin e Ballkanit do të donit ta gjenit të mbërthyer në një vend të vetëm, kërkojeni në Kosovë. Gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë.

Kështu shkruhet në parathënien e librit “Muri i heshtjes” të autorit Gani Mehmetaj.

“Ballkani në miniaturë – ai rrugëkalim shekullor perandorish të mëdha –në një mëhallë të vetme, e cila bëhet tokë pjellore kulturash, gjuhësh, religjionesh, historish, luftërash e mitesh. Me një tis mjegulle përrallash e gojëdhënash na i vesh sytë Gani Mehmetaj, në hyrje të këtij romani, dhe na fton të zhytemi në botën e mitologjive të gadishullit dhe në atë të personazheve të ndërtuar brenda narracionit të Realizmit Magjik.”,- vëren në parathënien e botimit, Suadala Balliu.

Në të tre romanet e tij, autori merr përsipër të rrëfejë historinë e shekullit XX, prej luftërave në Ballkan më 1912- 1913, luftimet dhe pasojat e Luftës së Dytë Botërore, instalimi i regjimit socialist me shtetin federativ jugosllav, shpërbërjen e tij e deri te pasojat tragjike të spastrimit etnik e gjenocidit, që kulmuan me ndërhyrjen e forcave të NATO-s, marsin e vitit 1999.

Parë krijimtarinë artistike të autorit të njohur edhe si gazetar, publicist, dramaturg e kineast, duket se Mehmetaj ka shumë për të rrëfyer. Dhe e bën atë mjeshtërisht përmes letërsisë,

Te “Zogjtë e Qyqes”, romani i parë botuar në Shqipëri me të cilin u shpall edhe fitues i Çmimit Letrar Kadare 2021, shkrimtari e rrëfen historinë përmes Draganit, kolonit serb, ardhacak bashkë me familjen që në fëmijëri në një prej valëve të nguljes së kolonëve në Kosovë, me premtimin e një jete më të mirë, por siç thotë ai “si zogjtë e qyqes strehuar në një fole të huaj, natyra i bën ta shkatërrojnë atë”.

Te “Lufta e Pengjeve”, botuar më 2023 e vendos fokusin në zgrip të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftërave të reja për pavarësi të shteteve të federatës.

Te “Muri i Heshtjes”, romani i fundit i tij që keni në duar, Mehmetaj ka bërë një tjetër zgjedhje stilistikore: narratori nuk është më protagonisti, përmes kujtesës së të cilit shpalosen ngjarjet, por është vetë autori.

Romani ndahet në dy pjesë, me Gjinin i cili largohet nga qyteti dhe nga vendi drejt Perëndimit.  Urë lidhëse mes dy krerëve bëhet romani “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, i shkrimtarit Ismail Kadare. Është pikërisht kjo referencë që bëhet edhe pikëtakimi mes Gjinit dhe Milenës, së dashurës së vjetër me të cilën rasti apo fati, në kuptimin determinist ku gjithçka në univers përfshi edhe vendimet apo veprimet e qenies njerëzore janë të paracaktuara, i vënë sërish pranë njëri-tjetrit.

Ndërsa e sheh dritën e botimit në Shqipëri, në vjeshtën e vitit 2024, ky roman i Gani Mehmetaj vjen edhe si një homazh për shkrimtarin Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta në korrik të këtij viti.

Titulli: 'Letrat që nuk m’i dërgove kurrë'
Autori: Irena Shabani
Botues: Pegi
Çmimi: 1000 lekë

“Të jap ty një dashuri të thyer,/Trishtimin e një nate me hënë të humbur,/Një gotë verë pirë me një mik të harruar,/Një tufë lule të vyshkura/Mbledhur në një planet që nuk ekziston./Të vdekurit e mi i mbaj për vete/Se ti s’i njohe së gjalli,/E nëse më pyet pse qesh/Kujtohu për një yll,/Që e shohim njëkohësisht,/Duke qenë larg nga një kilometër i shpirtit te tjetri.

Kjo poezi e titulluar “Testament” është pjesë e librit poetik “Letrat që nuk m’i dërgove kurrë”, të botuar së fundmi, me autore Irena Shabanin.

Me profesion gazetare, poetja Shabani është edhe aktiviste e të drejtave të njeriut. Në hyrje të librit ajo vëren se ky libër është një kushtim për birin e saj, Bled, “vargu i parë dhe i fundmë i zemrës” së saj.

Ky është libri i dytë me poezi i Shabanit, pas botimit të librit të parë në moshën 18-vjeçare.

Në këtë libër poetik rrëfehen jo vetëm ndjesi intime që kanë të bëjnë me marrëdhëniet personale, por vend të rëndësishëm në to zënë edhe çështje sociale si prostitucioni, apo atdheu.

“Letrat që nuk t’i dërgova kurrë” i dërgohen publikut dhe sipas Shabanit ka të bëjë me ndjesi të të gjitha rrethanave, e papërshtatshmërisë së njerëzve, të cilët në momente të caktuara nuk është e thënë të thonë atë që është thënë pa fjalë.

Shabani vëren se do t’i duhen edhe 30 vite të tjera për të sjellë sërish një libër me poezi, por së shpejti, ajo do të vijë me romanin e saj të parë, bazuar në histori të vërteta.

Titulli: Hënat e fundit
Autori: Furio Bordon
Përktheu: Diana Kastrati
Gjinia: Dramë
Botues: Albas
Çmimi: 1000 lekë

Thuhet se ata që ëndërrojnë janë të rinjtë, por kjo nuk është e vërtetë. Nuk janë ëndrra ato të të rinjve, por projekte, shpresa, pra të gjitha gjërat që imagjinojnë se janë të mundshme, të realizueshme, sepse nëse ekziston një e ardhme, çdo gjë është e mundur që të ndodhë. Vetëm pleqtë imagjinojnë gjëra që nuk do të ndodhin kurrë, shpikin një të ardhme që nuk do të ekzistojë ndonjëherë, kujtojnë një të kaluar që nuk mund të kthehet. Ëndërrimtarët e vërtetë janë ata, me kokat që u dridhen, të mbushura plot me episode të konsumuara, me fjalë të thëna, me fytyra të vdekura. Janë ata të vetmit të aftë, që me më të shëmtuarën vetëdije, mendojnë të paqenat dhe vazhdojnë të patrembur të tëhollojnë fantazi dhe dëshira të cilat nuk do të realizohen kurrë.

“Hënat e fundit” u shkrua nga Furio Bordon më 1992. Më 1993 fiton çmimin e Institutit të Dramës Italiane për risinë më të mirë teatrale të vitit. Kap majën e suksesit gjatë sezonit teatror 1995-1996. Kritika letrare por edhe artdashës të teatrit e përcaktuan si një vepër legjendare. Në katër vitet që e ndoqën shfaqjen e parë teatrale në Itali, vepra u përkthye në 12 gjuhë të botës dhe u vu në po aq skena të ndryshme botërore.

E konceptuar mbi lojën e tri personazheve, që, në fakt reduktohet vetëm në një, në atë të protagonistit kryesor, profesorit në pension, drama, ndonëse ka pamjen e një tragjedie të pashmangshme, në fakt është një dramë poetike dhe një himn për jetën.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Atentati në Vlorë, policia lëviz automjetin e djegur të autorëve

VIDEO/ Atentati në Vlorë, policia lëviz automjetin e djegur të autorëve