ALUIZNI në Shkodër vijon që të jetë në shënjestër. Për 3 prej drejtuesve më të lartë të legalizimeve në Shkodër ka nisur një procedim penal në gjendje të lirë. Bëhet fjalë për drejtorin e ALUIZNIT Ardian Dodani, shefen e hartografisë Ilira Shqari dhe shefen e legalizimeve Erleta Bala.
 
Është policia e Shkodrës ajo e cila ka bërë zyrtar fillimin e procedimit penal përmes një njoftimi për shtyp. Tre prej drejtuesve të ALUIZNIT në Shkodër dyshohen se kanë shkelur ligjin duke dhënë një leje legalizimi për një ndërtesë në një zonë informale në lagjen “Partizani” në qytetin e Shkodrës. Hetimi sapo ka nisur dhe ende akuzat nuk janë të vërtetuara por tre drejtuesit do hetohen për “shpërdorim detyre”.
 
Sipas policisë së Shkodrës, objekti për të cilin ka nisur hetimi nuk plotësonte kushtet e duhura ligjore për të dhënë leje legalizimi.
 
Drejtoria e ALUIZNIT është kritikuar edhe nga delegati i PS në Shkodër Ditmir Bushati bashkë me hipotekën dhe disa drejtori të tjera për korrupsion gjatë mbledhjeve që bëhen thuajse çdo javë për riorganizimin e PS në Shkodër, riorganizim që po bëhet në çdo degë. Atëherë u tha se Dodani është shkarkuar, gjë të cilën ai vetë e hodhi poshtë përmes një deklarate për mediat. Agjencia e legalizimeve në Shkodër gjithmonë është në vëmendje për shkak se ka një numër të madh të ndërtesave informale dhe kërkesave për leje legalizimi.
 
Qytetarët jo pak herë janë ankuar duke bërë që qendra të hedhë kritika e madje edhe akuza. Tashmë duhet pritur se si do shkojë ky hetim që sapo ka nisur për të parë nëse do vërtetohet akuza apo jo. Më parë edhe ish-drejtori Besnik Kastrati është përballur me drejtësinë për “shpërdorim detyre” dhe çështja e tij vijon të jetë në proces gjyqësor në shkallën e parë por në gjendje të lirë.
 
Ardian Dodani është drejtori i dytë tek ALUIZNI që pas 2013 kur e majta mori pushtetin teksa më parë e ka drejtuar Antonela Kçira.


Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )