Përpara se të shpikej paraja, forma e të bërit tregti kudo ishte shkëmbimi i mallrava. Kjo formë e lashtë, po përdoret gjerësisht në sektorin e ndërtimit.

Tullat, betoni, hekuri apo materiale të tjera, nuk po blihen me para, por me apartamente.

“Pak a shumë të gjitha firmat e ndërtimit, ndërtuesit dhe pronarët e trojeve sidomos këta janë më të interesuar sepse punojnë me paratë e të tjerëve janë të interesuar ta shtyjnë sektorin në këtë drejtim domethënë të shkëmbejnë mall me mall. Jep tulla dhe merr apartamente. Jep hekur merr apartamente, i jep çimento ose beton, merr apartamente”, thotë Zef Shtjefni, biznesmen në fushën e ndërtimit.

Fabrikat janë përballë dy alternativave thotë Shtjefni ose të pranojnë shkëmbimin mall me mall, ose materialet u mbeten stok.

“Dy rrugë, ose të mbyllë ose ta pranojë për një farë kohe duke shpresuar që do zgjidhet për pak muaj. Të gjithë po punojnë me klering dhe sigurisht që të gjithë do shkojnë drejt kësaj, drejt bllokimit, sepse klering, klering, klering të gjithë ju duhet të cash për të likuiduar punonjësit, për të likuiduar faturat e energjisë, për të likuiduar taksa, gjithë detyrimet e tjera që kanë”, thotë sipërmarrësi.

Zef Shtjefni thotë se kjo formë tregtie i ka detyruar të fikin fabrikat, pasi nuk kanë para që të shlyejnë detyrimet.

“Nuk arrijmë dot tani të japim as kleringje më. I kemi sheshet plotë, ne jemi detyruar t'i fikim fabrikat, ashtu si ne dhe kolegët tanë të gjithë i fikin fabrikat, bëjmë edhe servis por mbi të gjitha për mungesë të qarkullimit të parasë në treg për likuiditetin i fikim sepse s'paguhen dot faturat dhe bëjmë servis derisa të vi një kohë më e mirë të tregut”, thotë Shtjefni.

Të vetmen “zgjidhje” të momentit, Shtjefni e sheh shitjen e apartamenteve që ka marrë në këmbim të tullave

“Por apartamentet nuk shit sepse çmimet kanë shkuar në stratosferë, ka një kontrast shumë të madh me fuqinë blerëse", thekson ai. 

Pse nuk i ulni ju çmimet e apartamenteve?

"Deri në çmimin e kostos që e ke blerë ta lejon logjika ekonomike. Po qoftë se shkon poshtë nivelit të kostos që e ke blerë atëherë ti po del me humbje dhe kështu që s'ka logjikë për të shitur me humbje”, përgjigjet Shtjefni.

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të 2025-ës çmimet e apartamenteve u rritën me 41.7%, krahasuar me 2024-ën, dhe ky shtrenjtim ka vështirësuar shitjen e tyre.

Banka e Shqipërisë thotë se koha e shitjes së një prone është rritur në 11.6 muaj, nga 9.3 muaj që ishte më parë. Në Tiranë nga 7.1 muaj ka shkuar në 11.1 muaj.

Më lehtë shitet një pasuri në bregdet, për mesatarisht 8.7 muaj, nga 10 muaj, që ishte më parë.