Zona e njohur si “Tregu Çam” në Tiranë pritet të transformohet tërësisht përmes një projekti rikualifikimi urban, që përfshin rehabilitimin e infrastrukturës publike, fasadave të bizneseve dhe ndriçimit dekorativ.
Këtë e konfirmoi të mërkurën, kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, e cila ndërsa inspektoi nga afër punimet që po zhvillohen në këtë zonë, dha më shumë detaje mbi projektin që synon t’i japë një identitet të ri estetik dhe funksional një prej hapësirave më të frekuentuara pranë qendrës së kryeqytetit.
Sipas Ristanit, zona ka vuajtur prej vitesh nga mungesa infrastrukturore dhe rrjeti i amortizuar, ndërsa një nga problemet më të mëdha, ai i kanalizimeve të ujërave të zeza, tashmë është zgjidhur përfundimisht.
“Jemi në një zonë shumë qendrore të Tiranës, por për hir të së vërtetës një zonë që ka pasur mungesa të shumta infrastrukture. Kjo zonë u shërben edhe qindra të tjerëve çdo ditë, për nga shërbimet që ofron dhe për nga rëndësia e pozicionimit”, deklaroi Ristani.
Ristani apeloi për mirëkuptim nga qytetarët dhe bizneset gjatë vijimit të punimeve, duke theksuar se projekti do të sjellë një standard më të lartë jetese dhe shërbimesh.
“Ky është një nga ato projekte që ka pasur më shumë negociata dhe më shumë diskutime dhe më shumë nevoja se pothuajse çdo projekt tjetër. Të gjithë ato projekte që i përkasin qendrës janë të tilla sepse përveç banorëve prekin shumë edhe shërbimet, prekin njësi biznesi, prekin edhe të gjithë pjesën e gamës së gjerë të komplikimit të një qyteti të madh i cili është në procesin e vet të ofrimit të shërbimeve në mënyrë sa më cilësore edhe të ofrimit jetesës gjithashtu sa më cilësore. Jemi në mes të punimeve. Këtu do të kemi akoma punë për të bërë qoftë me trasetë e rrugëve, me trotuaret, me kalimet e këmbësoreve apo edhe me unifikimin e bizneseve dhe të fasadave të ndërtesave i cili është një proces akoma në punë e sipër”, theksoi Ristani.
Projekti i rikualifikimit të bllokut të “Tregut Çam” përfshin ndërhyrje në rrugët “Shyqyri Berxolli”, “Reshit Çollaku” dhe “Camëria”, ndërtimin e trotuareve të reja, ndriçim modern LED, rrjet të ri të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të shiut, sinjalistikë rrugore, elemente urbane dhe gjelbërim.
Një pjesë e rëndësishme e projektit është edhe unifikimi i fasadave të bizneseve me stil neoklasik, reklama të standardizuara dhe ndriçim dekorativ, me synimin për t’i dhënë zonës një pamje të re urbane.
Komente











