Tregu i sigurimeve u rrit me 19% për dy muajt e parë të vitit

Tregu i sigurimeve u rrit me 19% për dy muajt e parë të vitit

Tregu i sigurimeve po rritet me ritme dyshifrore në muajt e parë të këtij viti.

Sipas statistikave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për periudhën janar-shkurt primet e shkruara bruto në sigurime kishin vlerën e 3.3 miliardë lekëve, në rritje me 19.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Aktiviteti i sigurimit të Jetës po shfaq ritmet më të larta të rritjes, me 35.5% krahasuar me 2-mujorin e parë të vitit të kaluar. Ndikimin kryesor në këtë rritje e ka dhënë rritja e lartë në produktet e sigurimit të jetës së kombinuar dhe jetës në grup, si edhe vijimësia e rritjes së produktit më të rëndësishëm të tregut, jetës së debitorit. Megjithatë, numri i kontratave në aktivitetin e sigurimit të Jetës paraqitet në rënie, me 7.1% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo tregon se nuk bëhet fjalë për një rritje të tregut të Jetës me bazë të gjerë, por me shumë mundësi me kontrata të veçanta që sigurojnë përgjegjësi në vlera relativisht të larta dhe që reflektohen edhe në vlerën e primeve të shkruara bruto.

Ndërkohë, në aktivitetin e Jo-Jetës, rritja paraqitet në niveleve më të ulëta, me 17.8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Normat më të larta të rritjes në këto muaj të parë të vitit janë regjistruar kryesisht në produktet e sigurimit vullnetar. Primet e shkruara bruto të sigurimit nga zjarri dhe forcat e natyrës janë rritur me 53%, ndërsa primet e sigurimit kundër dëmtimeve të tjera në pronë janë rritur me pothuajse 80%. Rritje të lartë po shfaq edhe klasa e sigurimit të përgjegjësive civile, me 74%. Kjo klasë është e lidhur kryesisht me sigurimin e përgjegjësisë në ndërtim. Edhe primet për sigurimin e garancive janë rritur me 51% krahasuar me 2-mujorin e parë të vitit të kaluar.

Grupi kryesor i produkteve, ai i lidhur me sigurimin e përgjegjësive motorike ndaj palëve të treta për dy muajt e parë të vitit po shfaq një rritje më të kufizuar, me 8.4% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ritmet më të larta të rritjes edhe këtë fillim viti janë të përqendruara te produkti i Kartonit Jeshil, me 14.6% më shumë krahasuar me 2-mujorin 2022. Ky produkt është i lidhur me sigurimin e detyrueshëm të automjeteve për udhëtime jashtë vendit.

Dëmet e paguara nga siguruesit për këta dy muaj paraqiten gjithashtu në rritje, me 35.2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja ka ardhur e gjitha nga aktiviteti i Jo-Jetës.

Në këtë segment, disa prej produkteve kanë regjistruar rritje shumë të larta të dëmeve krahasuar me një vit më parë. Këtu përfshihen sigurimi ndaj dëmtimeve të tjera në pronë, sigurimi i garancive apo kartoni jeshil. Diferencat shumë të mëdha mes periudhave përgjithësisht janë të lidhura me ngjarje të veçanta sigurimi në vlera të mëdha. Ndërkohë, dëmet paraqite në rënie në aktivitetin e sigurimit të Jetës dhe në pjesën që lidhet me Fondin e Kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve./Monitor

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës