Tregu mediatik në vend, më
shumë vende pune se gazetarë

Tregu mediatik në vend, më<br />shumë vende pune se gazetarë
TIRANE - Modeli i çrregulluar i tregut mediatik në vend, ku ka më shumë vende pune se gazetarë ishte njëra nga temat e diskutimit në konferencën e radhës, i qendrës "Shqiptaro-Gjermane" ,i cili mundësohet nga fondacioni Konrad Adenauer

Në një panel të ftuarish ku bënin pjesë gazetari Carlo Bollino, akademiku Prof. Dr Artan Fuga si dhe gazetari zviceran Martin Woker i gazetës "Neue Zurcher Zeitung" (NZZ) dhe profesor Zylyftar Bregu, ndanë eksperiencat e tyre, nga pikëpamja e medias si biznes.

Në fjalën e tij, Carlo Bollino theksoi se jemi përballë një çrregullimi të tregut mediatik dhe në ndryshim nga vendet e tjera, ku kriza financiare ka bërë që të shkurtohen vendet e punës së gazetarëve dhe të falimentojnë mediat, në Shqipëri ndodh e kundërta. 

“Shqipëria është një botë ndryshe. Tregu mediatik shqiptar ofron më shumë vende pune sesa gazetarë. Krahasuar me Italinë ku gazetarët shkarkohen, në Shqipëri kërkohen më shumë të tillë, pavarësisht rënies në shkallë globale të tregut të reklamës. Këtu kemi të bëjmë me një çrregullim të tregut mediatik. Këtu media nuk falimenton dhe kjo tregon se burimet financiare nuk janë ato që deklarohen, sepse janë burime paralele informale.”- u shpreh Bollino. 

Gjithashtu, ai solli në vëmendje edhe problemin me kontratat e gazetarëve dhe pavarësinë e tyre. Duke iu rikthyer shembullit të Italisë, Bollino shpjegoi: “Nëse në Itali lufta më e madhe e një gazetari është të ketë një kontratë të përhershme, në Shqipëri sërish ndodh e kundërta. Përsa i përket pavarësisë së gazetarit përballemi me biznesmenë që janë edhe botues mediash dhe ushtrojnë presionin e tyre mbi gazetarët. Në këtë mënyrë, cenohet pavarësia e gazetarit.” Sipas Bollino-s kjo mund të rregullohet fare mirë me një funksionim të mirëfilltë të sindikatave të gazetarëve dhe përcaktimi i qartë i kontratave të punës.

Bollino
(Në foto gazetari Carlo Bollino duke folur gjatë konferencës)

Ndërkaq anëtari i AMA-s, Zylyftar Bregu paraqiti të njëjtin problem, por të reduktuar në operatorët lokalë në vend. Në bazë të shifrave zyrtare të AMA-s që ai solli tregoi që mediat lokale nuk bëjnë trasparente të ardhurat e tyre. 
Megjithatë ai tha: “AMA e ka të pamundur të monitorojë operatorët lokalë.”

Duke u fokusuar në problematikën e reklamave, akademiku Fuga tha në prezantimin e tij se kërkohet një rregullim i sistemit të shpërndarjes së reklamave.

“Shpeshherë reklama është shpërndarë në mënyrë klienteliste. Kjo ka sjellë pasoja në zhbalancimit të tregut të reklamës duke ndikuar median dhe cilësinë e informacionit.”

Fuga theksoi se nuk gjendemi në një krizë mediatike, por në një përshtatje me forma të reja të tregut. Sipas tij, reklamat kanë tendencën të shkojnë drejt formave të reja, pasi format mediatike klasike po dalin nga sistemi. 

Artan Fuga
(Në foto prof.Artan Fuga duke folur gjatë konferencës)

Gazetari zviceran Martin Woker duke sjellë shembullin e gazetës “NZZ”, pranoi se mediat online janë në rritje nga pikëpamja financiare, porse është kundër kësaj, pasi sipas tij kjo çon drejt një profesioni të gazetarit multifunksional.

“Në median ku unë punoj, tre vitet e fundit versioni online i gazetës ka arritur nga zero në 15.000 abonentë. Personalisht, jam kundër gazetarit multifunksional, pasi një person nuk mund të jetë njëlloj i aftë në të gjitha fushat.” - gjykoi Woker.

Ky qëndrim i zviceranit ishte i ndryshëm nga ai i gazetarit Carlo Bollino, i cili theksoi se realiteti mediatik shqiptar favorizon gazetarin multifunksional.

Takimi i mbajtur në ambientet e fakultetit të Histori -Filologjisë, është takimi i katërt i qendrës gjermano-shqiptare “Konrad Adenauer”. Qëllimi i këtyre seancave është të ofrojë një klimë bashkëpunimi mes studentëve, shkollës, profesionistëve të gazetarisë dhe medias, duke sjellë në fokus problematikat e tregut mediatik shqiptar.


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë