TIRANE, 1 Dhjetor /ATSH-E,Xhajanka/ -Në tregun e këmbimit valutor vendas, këtë fillim jave që përkon dhe me fillimin e muajit dhjetor, monedha shqiptare Lek po tregon qëndrueshmëri, duke arritur të fitojë terren kundrejt valutave kryesore euro dhe dollarë.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, 1 euro këmbehet të hënën me 140.13 lekë dhe 1 dollarë me 112.42 lekë kundrejt përkatësisht 140.17 lekë dhe 112.56 lekë që tregtoheshin në fund të muajit nëntor.
Ekspertët e fushës shprehen se, pritshmëritë referuar tradicionalisht muajit dhjetor, janë për një forcim të valutave në tregun e këmbimit valutor, e lidhur kjo me rritjen e kërkesës në treg, për shkak të festave të fund vitit. Por duket se fenomenet sezonale, që njihen në dimër dhe në verë për prurjet valutore nga emigrante nuk po japin më efektin e dikurshëm.
Ndërsa tregu valutor vendas vazhdon të reflektojë ecurinë në bursat ndërkombëtare. Deri në gjysmën e pare të viti kursi i këmbimit euro lekë arrit në kufijtë e 141 lekëve, ndërsa u vërej një forcim i menjëhershëm i monedhës së gjelbërt kundrejt lekut.
Rreth 65% e importeve kryhen nga vendet e bashkimit evropian, ndaj kërkesa për euro është e larte në sektorin tregtar.
Nga ana tjetër 60 % e kredive të dhëna janë në euro, çka do të thotë, se çdo luhatje e ndjeshme e këtij kursi ka një impakt të madh për ekonominë. Gjithësesi ekspertët parashikojnë se në vijim të muajit dhjetor mund të nisin lëvizjet në tregun e këmbimit të monedhave.
/f.n/