TIRANE-Për ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-deputetin Petrit Vasili por edhe zëra të tjerë nga opozita joparlamentare, numri i personave që kanë humbu jetën nga COVID-19 është më i lartë se ai që raportohet zyrtarisht nga autoritetet shëndetësore. Me tone të ashpra i ka dhënë përgjigje këtyre pretendimeve, mjeku infeksionist Tritan kalo, i cili është në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit.

“Idiotësitë keqdashëse të një grushti të pangopurish me pusht-shtet e pasuri, të pa vënë me punë e djersë në këto 30 vite demon-kraci, po turbullojnë jo pak mendjet tona”, shkruan ai në një postim në rrjetet sociale.

Si mjek me 39 vite eksperiencë, ai thotë se kurrë nuk është ndeshur me dëshirën e qytetarëve për të pasur më shumë vdekje!

“Të luash me vdekjen t’ia dëshirosh atë bashkëkombësve të tu, as në skenarët e shqiptarfobëve më të egër ndër shekuj, nuk e kam lexuar apo ndeshur sa këto muaj në thëniet e mëndje-ftohurve tanë. Aq më keq, kur duan me shumë dëshirë që të sëmurë të ketë disa qindra apo mijëra herë më shumë. A keni nder e burrni ju që nxirrni nga goja këto zezona?”, përfundon Kalo.

Postimi i plotë
"Jeta kurdoherë do të triumfojë mbi vdekjen. SARS-COV2/COVID-19 nuk është militant apo dashamirës i asnjë Partie. Sars-Cov2/Covid-19 është një “shëndet-vrasës viral” dhe dëmet që ai shkakton mbi shëndetin tonë nuk kanë të bëjnë fare me politikën mjerane, që duan të luajnë disa kokënxehtë te ne. Idiotësitë keqdashëse të një grushti të pangopurish me pusht-shtet e pasuri, të pa vënë me punë e djersë në këto 30 vite demon-kraci, po turbullojnë jo pak mendjet tona.

Po trokas në dyert e vitit të 64 të jetës dhe atij të 39 të ushtrimit të profesionit më fisnik në botë, të mjekut mantelbardhë, por që të lexoj nëpër gazeta, postime në rrjetet sociale, në komente të ndryshme apo të dëgjoj në dalje televizive, se duhet të kemi më shumë te vdekur nga COVID-19 se sa ato që raportohen, këtë gjë as injoranti apo zemërziu më anti-shqiptar nuk mundet ta imagjinojë. Jeni vallë shqiptarë apo bukëshkalë?

Të luash me vdekjen t’ia dëshirosh atë një bashkëkombësi të tu, as në skenarët e shqiptarfobëve më të egër ndër shekuj, nuk e kam lexuar apo ndeshur sa këto muaj në thëniet e mëndje-ftohurve tanë. Aq më keq, kur duan me shumë dëshirë që të sëmurë të ketë disa qindra apo mijëra herë më shumë. A keni  nder e burrni ju që nxirrni nga goja këto zezona? Miq e dashamirës. Ju rikujtoj se sapo hyn në pavionin e parë të COVID-19, në krahun e djathtë të tij gjendet dera ku shkruhet: “Dr. T. KALO”…

Jam aty kurdoherë së bashku me ekipin e papërtuar të mjekëve, infermierëve, Farmacisteve, Sanitareve, Imazheristëve, Administratoreve, Barrelmbajtësve, Shoferëve, Koordinatoreve, Dezinfektuesve, Punonjësve të Shërbimit e të Mirëmbajtjes, Punonjësve të Rendit, etj, që të vigjilojmë për shëndetin tuaj, t’ju ndihmojmë të fitoni përpjekjet tuaja ndaj “SFIDËS COVID-19”, si dhe të ktheheni sa më shpejt të shëruar në gjirin e familjeve tuaja, që aq shumë ju i mungoni por që edhe ju vetë ata ju mungojnë përgjatë hospitalizimit te ne. Bashkëkombës ju duam dhe ju respektojmë shumë.

Dëgjni këshillat tona si profesionistë humanë dhe vijoni përkujdesin ndaj vetes suaj, vijoni e respektoni rregullat e higjienës e të distancimit fizik, sepse së bashku me durim e përpjekje do ia dalim mbanë kësaj sfide, ndaj një virusi shumë tinzar, shumë infektues dhe jo pak jetëmarrës, por jo të pamposhtshëm. Shqipëria ka kurdoherë nevojë për gjithsecilin prej jush!!"