Policia e Vlorës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur rreth tre javë më parë, ku iu vendos lëndë plasëse në derën e banesës së 63-vjeçares Bakie Zoto.

Në pranga ranë Divid Goxhaj, 59 vjeç, dhe djali i tij Ferdinant Bombaj, 29 vjeç, banues në fshatin Babicë e Madhe.

Hetimet tregojnë se ata dyshohet se kanë mbajtur në banesën e tyre një automjet tip “Volkswagen Golf Plus”, i vjedhur në Elbasan, i cili më pas është përdorur për t’u afruar pranë banesës së 63-vjeçares, ku u vendos sasia e lëndës plasëse.

Pas ngjarjes, automjeti i përdorur  është gjetur i djegur në fshatin Babicë e Vogël. Bakie Zoto është nëna e Gentian Zotos, i cili është dënuar me 35 vite burg nga Gjykata e Apelit, si pjesë e grupit që kreu atentatin ndaj Inez Hajrullës më 10 maj 2019 në Vlorë.

Për të njëjtën ngjarje janë dënuar edhe Daut Elmazi, Igli Memaj, Serxho Ademi dhe Albano Goxhaj. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të hetimeve për ngjarjen e ndodhur më datë 29.11.2025, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në portën e jashtme të banesës së një shtetaseje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Objektivi”.

Si rezultat i veprimeve hetimore intensive dhe profesionale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u bë ndalimi, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Vjedhja”, i dy shtetasve (babë e bir), konkretisht:

D. G., 59 vjeç, banues në Babicë e Madhe, Vlorë;

F. B., 29 vjeç, banues në Babicë e Madhe, Vlorë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas kanë mbajtur në banesën e tyre automjetin tip “Volkswagen Golf Plus”, i cili rezulton i vjedhur në qytetin e Elbasanit.

Më pas, më datë 29.11.2025, ky automjet dyshohet se është përdorur nga këta shtetas për t’u afruar pranë banesës së shtetases B. Z., ku dyshohet se është vendosur një sasi lënde plasëse në portën e jashtme të banesës, e cila më pas ka shpërthyer.

Pas kryerjes së ngjarjes, automjeti i përdorur nga këta shtetas është gjetur i djegur në fshatin Babicë e Vogël, Vlorë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprat penale përkatëse, ndërkohë që hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.