Tronditje dhe trishtim, si ka mundësi 
të heshtet për Simon Filipaj

Tronditje dhe trishtim, si ka mundësi <br />të heshtet për Simon Filipaj
Si është e mundur vallë që vdekja e njeriut të mrekullueshëm dhe punëtorit të paepur të përkthimit në shqip, modestit dhe të paharruarit, të heshturit dhe sakrifikuesit të vetëdijshëm të vetvetes, njeriut dhe fetarit të urtë Simon Filipaj, të kalonte gati në heshtje të plotë në mediat, kur kjo vdekje duhej të ishte në qendër të vëmendjes si një humbje e pazëvendësueshme jo vetëm njerëzore por dhe sidomos kulturore.

Simon Filipaj vdiq në 02.09.1999 në orën 04 e dhjetë minuta në një nga spitalet e Tivarit në Malin e Zi në moshën 75 vjeçare.
Ai kishte qenë prej vitesh meshtar i përkushtuar me përvujtëri pranë Kryepeshkëvisë së Tivarit dhe famullitar i Kishës së Shën Gjergjit në Kllezën të Ulqinit.

Meshën e dritës për shpirtin e Monsinjor Simon Filipajt në bashkëcelebrim e udhëhoqi miku i afërt i tij imzot Rrok Mirdita, i Arqipeshkëvisë Durrës – Tiranë, Imzot Zef Gashi arqipeshkv i Tivarit, Imzot Mark Sopi, Imzot Pjetër Perkoliqi, Arkipeshkv në pension e shumë meshtarë.
Mesha e shenjtë u tha në kishën e Shën Gjergjit dhe në fund të saj u mbajtën disa fjalime lamtumire.
Monsinjor Rrok Mirdita i prekur thellësisht nga vdekja e mikut të tij të vjetër, kujtoi ditët e paharruara kur së bashku me të ndjerin kanë punuar në shërbim të grigjës vendase në të njëjtën dioqezë. Ai ngriti lart virtytet e larta të klerit dhe vlerat e tij të mëdha si përkthyes i mirënjohur nga qarqe kulturore dhe shkencore shqiptare.
Një fjalë të përmortshme mbajti dhe imzot Mark Sopi ipeshkvi i Kosovës për njeriun e dashur, të përkushtuar “që dha gjithçka për kombin shqiptar”.
Simon Filipaj u varros në vendlindjen e tij në Kllezën.

Ai kishte lindur në këtë fshat afër Ulqinit 75 vjet më parë.
Fëminia dhe rinia e tij kaloi në mjediset e qytetit të Ulqinit dhe Shkodrës si dhe Tivar.
Në Shkodër ai studion pranë Seminarit Papnor të jezuitëve shqiptarë të Propagandës File. Studimet filozofike e teologjike i përfundoi në fakultetin teologjik të arkipeshkëvisë së Zagrebit në Kaptollë, ku dhe diplomohet në vitin 1850.

U shugurua meshtar po këtë vit në Katedralen e Zagrebit dhe meshën e parë e dha në vendlindjen e vet në Kllezën më 26.07.1950.
Pa dashur të shënoj hollësira që gjithsesi janë tepër të rëndësishme në jetën e tij si klerik unë autor i këtyre rreshtave përkujtimore dhe me respekt të madh dhe të veçantë dua të ndalem në atë që quhet viti më i madh i jetës së Simon Filipaj.

Është e vërtetë që në 1988 ai mori titullin Monsinjor, Kapelan i Papës, ndërsa më 1992 u emërua Prelat i Shenjtërisë së tij, Papës Gjon Pali II.
Por data më e madhe dhe universale dhe më kuptimplote e jetës së tij njerëzore është viti 1994, kur Shtëpia Botuese “Drita” në Ferizaj të Kosovës botoi kryeveprën e tij të pavdekshme përkthimin e plotë të Biblës së Shenjtë.

Kjo vepër vigane, të cilës ai i kushtoi tërë jetën është deri më sot i pari dhe i vetmi përkthim tërësor i Kishës Katolike, ku janë të përfshira të gjitha librat e Biblës, së bashku dhe me librin e parë dhe të dytë të Makabejve, përkthime këto që nuk janë bërë më parë në gjuhën shqipe, që nuk gjenden në përkthimet e variantit të kishës së shenjtë të Kishës protestane.

Në analet e kulturës shqiptare ky përkthim kolosal është një vepër unikale dhe kështu Simon Filipaj mund ta quajmë me plot gojën një Shën Jeronim Eusebi të ditëve tona. Simon Filipaj ka përkthyer edhe tekste të tjera liturgjike dhe katekistike.

Ai është dhe autor i një fjalori të rëndësishëm të shpjegimeve me karakter teologjik, kronologjik dhe etimologjik që i kushtohet tërësisht përkthimit të tij të Biblës së shenjtë.
Ky fjalor biblik i shkruar prej Simon Filipajt, është i pari dhe i vetmi i këtij lloji në gjuhën shqipe.
Sa herë do të përmendim viganët e ndritur të kulturës shqiptare, Buzukun, Bogdanin, Budin, Bardhin, Grigor Gjirokastritin, Konstandin Kristoforidhin, Gjenoçin, Fishtën nuk do të harrojmë të përmendet dhe shqipëruesi që e arriti deri më sot i vetmi të realizojë një ëndërr 20 shekullore.

Ky është Simon Filipaj, i cili duke patur përpara syve të tij variantet e pjesshme, përkthime të ndryshme të Biblës nga autorë përpara tij ndjeu dhe kuptoi misionin historik: të përkthente jo pjesë të veçanta, as pjesë më të mëdha, por të përkthente të tërë Biblën pa përjashtim.
Pas 20 shekujsh vetëm Simon Filipaj mund të krenohet se e ka bërë këtë gjë.

Vëllimi i madh me mijëra e mijëra faqe i botimit të Biblës së Shenjtë është në vetvete një enciklopedi e pazëvendësueshme e thesarit të madh të fjalës shqipe, e frazeologjive të mrekullueshme dhe popullore, e materializimit të ideve dhe koncepteve abstrakte dhe shpirtërore si dhe të terminologjisë teologjike dhe historike etj., çka e bën autorin e këtij shqipërimi, Simon Filipaj, një nga punëtorët më të mëdhenj dhe nga mjeshtrit e paharruar të fjalës shqipe në shekullin XX.
Ky shkrim In Memoriam është vetëm një gjest modest për të tërhequr vëmendjen e të gjithëve për një nga njerëzit më të rrallë të kombit shqiptar, të kësaj kohe.

Askush nuk mund të justifikohet me injorancën e vet, turpi është i të paditurve dhe nderi është i të diturve.
Nëse mediat dhe qarqet shkencore e kulturore të kombit shqiptar nuk i bën jehonën e duhur vdekjes dhe humbjes së parakohshme të këtij shqipëruesi të pashembullt Simon

Filipaj, ne nuk mund të mos bëjmë atë që duhet të bëjmë dhe që na takon të bëjmë për këtë njeri dhe punëtor të përmasave të mëdha.
Më vonë do të kuptohet me të gjithë madhështinë e vet humbja e pazëvendësueshme e njeriut të shquar, klerikut të shenjtë, dhe shqiptarit të madh Simon Filipaj.

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Nga largimi i të rinjve, rrezikojmë të mbetemi edhe pa fuqi punëtore. Për bizneset, zgjidhje mbetet rritja e pagës mesatare në 1 mijë euro

Nga largimi i të rinjve, rrezikojmë të mbetemi edhe pa fuqi punëtore. Për bizneset, zgjidhje mbetet rritja e pagës mesatare në 1 mijë euro