Për herë të parë nga fillimi i pluralizmit në Shqiëpëri, Bashkia e Tropojës do të ketë një Këshill që do të drejtohet nga e majta. Në këtë bastion të së djathtës postin e kryetarit të bashkisë e fitoi sërish një i djathtë, Besnik Dushaj, por atij do t’I duhet që t’I bindet një Këshilli të mbizotëruar nga partitë e majtë. Aleanca për Shqipërinë Europiane ka marrë 6292 vota, kurse Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet ka marrë 4059 vota.

Në këtë mënyrë Këshilli i Bashkisë Tropojë do të jetë në drejtimin e të majtëve. Pavarësisht kësaj Partia Demokratike mbetet forcë e parë në Tropojë me 18.09%. Forca e dytë në këtë bashki është Partia Socialiste me 6.62% dhe e treta LSI me 6.54%. Normalishtë që diferenca midis Partisë Demokratike dhe partive të majta kokë më kokë është e madhe, por bashkimi bën fuqinë. Plot 39 parti futën në koalicionin e majtë dy krerët e saj Rama-Meta dhe të paktën në Tropojë kjo ka bërë punë. Gjithë kjo mmori partish me nga një grusht votash në bilancin përfundimtar e kanë kthyer peshoren nga ana e së majtës. ASHE humbi kreun e bashkisë, por ka fituar për herë të parë Këshillin.

PD rënie në qarkun e Kukësit

Partia Demokratike ka pësuar një rënie të madhe në Qarkun e Kukësit. Partia më e madhe opozitare në një moment delikat të saj ka pësuar një goditje në një nga zonat që mbahen si bastione të së djathtës. Jo pak, por gati 9% është rënia që ka pësuar, në bazë të numërimit paraprak, kjo parti në Qarkun e Kukësit. Humbja e kreut të Bashkisë së Hasit dhe ajo e Këshillit në Bashkinë e Tropojës demostrojnë më së miri këtë rënie të Partisë Demokratike në një nga bastionet më të forta të saj. Gjithsesi fitimi i Bashkisë Kukës, kundër një ish-anëtari të saj i ka dhënë një farë kuraje Partisë Demokratike në këtë qark. Hasan Halilaj ish-kryetari i Bashkisë Kukës, i zgjedhur nga PD-ja prej dy vitesh kishte kaluar me LSI dhe rikandidimi i tij u mbështet shumë nga e majta. Me një fushatë agresive ASHE synoi të rrëzonte edhe këtë bastion të së djathtës, por në fund Bashkim Shehu i APPD fitoi me 56% ndaj Hasan Halilajt.

Të voglat

Partitë e vogla kanë rezultuar vendimtare në fitimin e Këshillit të Tropojës nga e majta. Janë mbi 10 parti të integruara në koalicionin Aleanca për Shqipërinë Europiane që kanë marrë mbi 2% të votave, të cilat në përfundim kanë sjellë triumfin e së majtës për herë të parë në Tropojë.   
 
 
Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com", versioni print

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)