Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ironizuar Sali Berishën nga foltorja e Kuvendit për Chris LaCivitan, strategun amerikan që drejtoi fushatën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2025, pasi presidenti amerikan Donald Trump u distancua publikisht prej tij për shkak të angazhimit si konsulent në Republikën Sërpska të Bosnjë-Hercegovinës.
Reagimi i Ballës erdhi pasi Berisha akuzoi mazhorancën për lidhje me Beogradin, duke pretenduar se ish-drejtoresha e SHISH-it, Vlora Hyseni, ishte emëruar me rekomandimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

"Sa i përket pjesës së Beogradit, sot duhet të heshtni, sepse pushimi nga puna i LaCivitas si pro-rus dhe i financuar nga aleati i Putinit në Ballkan, Dodik, besoj se bashkohemi në dhimbjen tuaj dhe jemi të gatshëm t'ju shprehim ngushëllimet kudo që prisni", tha Balla.

Deklarata e socialistit vjen një ditë pasi Trump reagoi ndaj raportimeve të mediave amerikane se LaCivita dhe James Blair, dy prej strategëve të tij politikë, kishin marrë pagesa prej qindra mijëra dollarësh për të këshilluar qeverinë e Republikës Sërpska përpara zgjedhjeve të së dielës.  

Presidenti amerikan deklaroi se LaCivita dhe Blair nuk punojnë drejtpërdrejt për të, por janë konsulentë të jashtëm. Ai paralajmëroi se do të ndërpriste menjëherë marrëdhëniet me ta nëse konstatonte konflikt interesi, megjithëse më vonë u shpreh se nuk kishte një konflikt të tillë.

LaCvita u angazhua nga Sali Berisha për fushatën parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri. Lidhja e tij me Dodikun, politikanin serb të Bosnjës të njohur për marrëdhëniet e ngushta me Rusinë, u bë kështu pjesë e përplasjes politike në Kuvendin shqiptar.

Balla iu përgjigj opozitës edhe për reormën territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46 dhe që është në rendin e ditës për votim.

"Rendi i ditës u votua pak përpara vijimit të seancës, e kemi pikë të parë çështjen për ndarjen administrative-territoriale. Nëse ju mendoni që normalitetin në këtë sallë e caktoni ju, e keni shumë gabim. Besoj që PPE ka qenë e qartë me ju sa i përket sjelljes në raport me Kuvendin", deklaroi ai.

Kreu i grupit socialist përsëriti gjithashtu ftesën për opozitën që të marrë pjesë në diskutimet e javës së ardhshme për kompetencat e bashkive dhe ndryshimet në mënyrën e zgjedhjes së këshilltarëve bashkiakë.

"Unë ua thashë shumë të qartë ftesën tonë javën e ardhshme për të vijuar punën, nëse doni të jeni pjesë e çështjes së kompetencave dhe asaj zgjedhore, sepse sot votojmë ligjin dhe duhet të transpozojmë në ligj edhe mënyrën e zgjedhjes së këshilltarëve bashkiakë në bashkitë që bashkohen, duke ruajtur identitetin", tha Balla.